Në ajetin 8 të sures “El-Beled” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ أَلَمْ نَجْعَل لَّهُ عَيْنَيْنِ﴾
“A nuk i dhamë atij dy sy?”
Të dashur vëllezër dhe motra!
Një nga dhuntitë më të mëdha që Allahu i ka dhënë njeriut është shikimi. Me sy shohim bukuritë e krijimit, dallojmë rrugën, lexojmë Kur’anin, shohim prindërit, fëmijët dhe njerëzit që duam.
Kur’ani na mëson se syri nuk është vetëm një organ i trupit. Ajo që shohim mund të ndikojë drejtpërdrejt në zemrën, moralin dhe shpirtin tonë.
Prandaj, ajeti i 8 në suren “El-Beled”: “A nuk i dhamë atij dy sy?” na nxit të pyesim veten: Çfarë shoh me sytë që Allahu më ka dhënë? A i përdor për të parë atë që më afron tek Allahu, për të lexuar Kur’anin, për të parë nevojën e të tjerëve dhe për të medituar mbi krijimin e Tij? Apo i lejoj të shohin atë që e dëmton zemrën? Ajeti është i shkurtër, por mbart një mesazh të fuqishëm: para se të kërkojmë më shumë prej Allahut, duhet të kujtojmë dhe të falënderojmë për dhuntitë që tashmë na ka dhënë.
Në ajetin 78 të sures “En-Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَاللَّهُ أَخْرَجَكُم مِّن بُطُونِ أُمَّهَاتِكُمْ لَا تَعْلَمُونَ شَيْئًا وَجَعَلَ لَكُمُ السَّمْعَ وَالْأَبْصَارَ وَالْأَفْئِدَةَ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ﴾
“Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja, kur nuk dinit asgjë, dhe ju dha dëgjimin, shikimin dhe zemrat, që të jeni mirënjohës.”
Shikimi të dashur vëllezër dhe motra është amanet. Prandaj gjithmonë të themi: A po e rujmë këtë amanet? A po i përdor sytë në atë mënyrë që kënaq Allahun? Sepse një dhunti mund të përdoret për bindje, por mund të përdoret edhe për mëkat. Syri mund të përdoret për të parë të mirën dhe të keqen.
Kur’ani urdhëron uljen e shikimit
Një nga mësimet më të qarta të Kur’anit të Shenjtë është:
﴿قُل لِّلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصَارِهِمْ وَيَحْفَظُوا فُرُوجَهُمْ﴾
“Thuaju besimtarëve të ulin shikimet e tyre dhe të ruajnë nderin e tyre.” (Sure “En-Nur”, ajeti 30)
Pastaj Allahu thotë:
﴿وَقُل لِّلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ وَيَحْفَظْنَ فُرُوجَهُنَّ﴾
“Dhe thuaju besimtareve të ulin shikimet e tyre dhe të ruajnë nderin e tyre.” (Sure “En-Nur”, ajeti 31)
Vëreni diçka shumë të rëndësishme: Kur’ani nuk thotë që besimtari të mos shohë fare, pir thotë “të ulë shikimin”. Pra, Islami nuk kërkon që njeriu të ecë me sy të mbyllur, por kërkon kontrollin e shikimit.
Shikimi i parë mund të jetë i paqëllimshëm, por besimtari nuk duhet ta vazhdojë me vetëdije shikimin në atë që është e ndaluar.
Shikimi është një nga dyert e zemrës
Në ajetin 19 të sures “Gafir” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿يَعْلَمُ خَائِنَةَ الْأَعْيُنِ وَمَا تُخْفِي الصُّدُورُ﴾
“Ai e di shikimin e fshehtë të syve dhe atë që fshehin kraharotët.”
Sa i fuqishëm është ky ajet! Njeriu mund të mendojë e të thotë: “Askush nuk më pa.”
Por Allahu thotë: “Ai e di shikimin e fshehtë të syve.” Edhe një shikim që njerëzit nuk e vërejnë, Allahu e di. Kjo na mëson se devotshmëria e vërtetë fillon atëherë kur njeriu e kontrollon veten edhe kur askush tjetër nuk e sheh.
Jo çdo gjë që mund ta shohim, duhet ta shohim
Sot kemi një sprovë që njerëzit e së kaluarës nuk e kishin në këtë formë. Mjafton të hapim telefonin dhe brenda disa sekondash mund të shohim qindra pamje.
Syri mund të shkojë nga një fotografi te tjetra, nga një video te tjetra, pa kufi.
Prandaj urdhri i Kur’anit për uljen e shikimit është edhe më i rëndësishëm në jetën tonë të përditshme. Duhet të pyesim veten: Çfarë po fus në zemrën time përmes syve?
Sepse ajo që shohim vazhdimisht mund të mbetet në mendje, të zgjojë dëshira dhe të ndikojë në sjelljen tonë.
Kur’ani na mëson edhe një lloj tjetër shikimi
Kur’ani nuk na mëson vetëm të mos shohim të ndaluarën. Ai na mëson po ashtu të shohim drejt dhe me meditim.
Në ajetet 17-20 të sures “El-Gashijeh” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿أَفَلَا يَنظُرُونَ إِلَى الْإِبِلِ كَيْفَ خُلِقَتْ وَإِلَى السَّمَاءِ كَيْفَ رُفِعَتْ وَإِلَى الْجِبَالِ كَيْفَ نُصِبَتْ وَإِلَى الْأَرْضِ كَيْفَ سُطِحَتْ﴾
“Vallë, a nuk shikojnë devenë, si është krijuar? Edhe qiellin, si është ngritur? Edhe malet, si janë vendosur? Edhe tokën, si është shtrirë?”
Pra, Kur’ani dëshiron të na mësojë një shikim që të çon te njohja e Allahut.
Shiko qiellin, kujto Krijuesin.
Shiko natyrën, kujto fuqinë e Allahut.
Shiko një njeri në nevojë, kujto përgjegjësinë tënde.
Shiko prindërit, kujto mirësinë e tyre.
Ky është shikimi me mësim dhe reflektim.
Një nga mësimet më të thella të Kur’anit është se njeriu mund të ketë sy të shëndetshëm, por të mos e shohë të vërtetën.
Mund të shohë një padrejtësi dhe të mos shqetësohet.
Mund të shohë një të varfër dhe të mos preket.
Mund të shohë shenjat e Allahut dhe të mos mendojë. Prandaj ekziston një ndryshim mes: syrit që sheh dhe zemrës që kupton.
Në ajetin 46 të sures “El-Haxh” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿فَإِنَّهَا لَا تَعْمَى الْأَبْصَارُ وَلَٰكِن تَعْمَى الْقُلُوبُ الَّتِي فِي الصُّدُورِ﴾
“Me të vërtetë, nuk verbohen sytë, por verbohen zemrat që janë në kraharor.”
Shikimi mund të jetë adhurim. Nëse njeriu e përdor shikimin për të lexuar Kur’anin, për të parë prindërit me dashuri, për të parë fëmijët me mëshirë, për të vërejtur nevojën e një vëllai dhe për të medituar mbi krijimin e Allahut, atëherë shikimi bëhet pjesë e një jete të bindjes.
Por nëse njeriu e përdor syrin për atë që Allahu e ka ndaluar, atëherë e njëjta dhunti mund të bëhet shkak për largimin e zemrës nga Allahu. Prandaj duhet të kujtojmë se syri është i vogël në madhësi, por i madh në ndikim.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur’ani na mëson tri gjëra të mëdha rreth shikimit:
E para: Shikimi është dhunti dhe amanet nga Allahu dhe duhet të jemi mirënjohës.
E dyta: Duhet ta ruajmë shikimin nga ajo që Allahu e ka ndaluar.
E treta: Duhet ta përdorim shikimin për të parë shenjat e Allahut dhe për të zgjuar zemrën.
Kur’ani i Shenjtë na mëson se “shikimi” nuk është thjesht një shqisë e përkohshme pamore, por është një mjet i madh për të medituar, për të nxjerrë mësime dhe për të kuptuar të vërtetat.
Çdo ditë le të themi: “O Allah, a je i kënaqur me atë që po shoh?”
Dhe çdo ditë të lutemi: O Allah! Na jep sy që shohin të mirën, zemra që e kuptojnë të vërtetën dhe shikime që na afrojnë tek Ti! Na ruaj sytë nga harami, zemrat nga mëkati dhe na bëj prej atyre që kur shohin krijimin, kujtojnë Krijuesin!
