Në ajetin 54 të sures “En-Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ أَمْ يَحْسُدُونَ النَّاسَ عَلَىٰ مَا آتَاهُمُ اللَّهُ مِن فَضْلِهِ ۖ …﴾
“A mos i kanë zili njerëzit për atë që Allahu u ka dhuruar prej mirësive të Tij?…”
Ky ajet fisnik na mëson të mos i kemi zili të tjerët për mirësitë, aftësitë dhe begatitë që Allahu u ka dhuruar. Çdo e mirë vjen prej Allahut dhe ndahet sipas urtësisë së Tij. Besimtari duhet të gëzohet për të mirën e tjetrit, të jetë mirënjohës për pjesën e vet dhe t’i kërkojë Allahut nga mirësia e Tij.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Në vazhdim të rubrikës “Ti pyet Kur’ani përgjigjet”, sot do të ndalemi te pyetja: Çfarë thotë Kur’ani për zilinë dhe si të shpëtojmë prej saj?
Një nga sëmundjet më të rrezikshme të zemrës, për të cilën Kur’ani, Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) kanë tërhequr vëmendje të veçantë, është ZILIA (hasedi).
Zilia në Kur’an është dëshira që mirësia apo begatia t’i largohet tjetrit. Zilia nuk është vetëm një ndjenjë kalimtare, por ajo mund të shkatërrojë besimin, marrëdhëniet shoqërore dhe qetësinë e zemrës. Për këtë, zilia është një cilësi e keqe, të cilën Allahu e ka ndaluar, duke urdhëruar që të kërkojmë mbrojtje prej së keqes së ziliqarëve.
Zilia përmendet në këto sure të Kur’anit:
Në suren “El-Felek”, ajeti 5 në të cilinAllahu i Madhëruar thotë:
﴿وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ﴾
“Dhe prej së keqes së ziliqarit, kur ai ka zili.”
Ky është një urdhër i drejtpërdrejtë për të kërkuar mbrojtjen e Allahut nga e keqja e ziliqarit.
Në suren “El-Bekare” ajeti 109 në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَدَّ كَثِيرٌ مِّنْ أَهْلِ الْكِتَابِ لَوْ يَرُدُونَكُم مِّنْ بَعْدِ إِيمَانِكُمْ كُفَّارًا حَسَدًا مِّنْ عِندِ أَنفُسِهِم﴾
“Shumë prej ithtarëve të Librit do të dëshironin që, pasi keni besuar, t’ju kthenin përsëri në mosbesim, nga zilia që buron prej vetes së tyre…”
Ky ajet tregon zilinë që mohuesit ushqenin ndaj muslimanëve dhe vazhdojnë edhe në këto ditë.
Dhe, në suren“En-Nisa”, ajeti 54 në të cilin Allahu i Madhëruar thotë::
﴿ أَمْ يَحْسُدُونَ النَّاسَ عَلَىٰ مَا آتَاهُمُ اللَّهُ مِن فَضْلِهِ ۖ …﴾
“A mos i kanë zili njerëzit për atë që Allahu u ka dhuruar prej mirësive të Tij?…”
Zilia është ndër mëkatet e para në histori
Historia e parë e zilisë nuk filloi me njeriun, por me shejtanin. Kur Allahu urdhëroi engjëjt të përuleshin para Ademit, Iblisi refuzoi. Në ajetin 12 të sures “El-A’raf” Allahu thotë:
﴿… ۖ قَالَ أَنَا خَيْرٌ مِّنْهُ خَلَقْتَنِي مِن نَّارٍ وَخَلَقْتَهُ مِن طِينٍ﴾
“Ai tha: Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë nga balta.”
Kjo mendjemadhësi e Iblisit ishte e përzier me zili.
Pastaj zilia u shfaq tek bijtë e Ademit. Kur Allahu pranoi kurbanin e Habilit dhe jo të Kabilit, ai (Kabili) tha:
﴿…قَالَ لَأَقۡتُلَنَّكَۖ…﴾
“…Ai tha: do të të vras…” (Sure “El-Maide”, ajeti 27)
Dhe kështu ndodhi vrasja e parë në historinë njerëzore. Pra, shumë krime e kanë fillesën te zilia.
Kur’ani urdhëron të kërkojmë mbrojtje nga zilia
Allahu na mëson një lutje të përditshme:
“Dhe nga e keqja e ziliqarit kur zilia e tij shfaqet.” (Sure “El-Felek”, ajeti 5)
Është domethënëse që Allahu e përmend zilinë krahas magjisë dhe errësirës së natës. Kjo tregon se dëmi i saj është shumë i madh.
Ithtarët e Librit e kundërshtuan Profetin Muhamed për shkak të zilisë
Për këtë Kur’ani thotë: “Shumë prej Ithtarëve të Librit do të donin t’ju kthenin në mosbesim pas besimit tuaj, nga zilia që kishin në zemrat e tyre.”
(Sure “El-Bekare”, ajeti 109)
Pra, problemi i kundërshtimit të Profetit nga ana e Ithtarëve të Librit nuk ishte mungesa e argumenteve. Problemi ishte zemra e sëmurë. Njeriu ziliqar nuk e pranon të vërtetën kur ajo vjen nga dikush tjetër.
Edhe vëllezërit e Jusufit ranë në zili
Në ajetin 8 të sures “Jusuf” Kur’ani thotë: “Kur thanë: Jusufi dhe vëllai i tij janë më të dashur për babanë tonë sesa ne.” Nga kjo zili ata planifikuan ta largonin Jusufin dhe një ndjenjë e fshehur u shndërrua në komplot.
Sa familje janë prishur për shkak të zilisë? Sa miqësi janë shkatërruar? Sa bashkëpunime janë ndërprerë?
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Zilia i ha veprat e mira ashtu si zjarri e ha drurin.” Një njeri mund të falet, të agjërojë dhe të japë sadaka, por zilia mund t’ia shkatërrojë shpërblimin.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ziliqari nuk gjen kurrë qetësi.”
Në një thënie tjetër imam Aliu ka thënë: “Zilia është burg i shpirtit.”
Njeriu ziliqar nuk është i lumtur as me atë që ka. Ai gjithmonë shikon atë që kanë të tjerët.
Cilat janë shkaqet e zilisë?
Disa prej shkaqeve janë dobësia e besimit, krahasimi i vazhdueshëm me të tjerët, dashuria e tepruar për dynjanë, mendjemadhësia dhe moskënaqësia me caktimin e Allahut. Kur zemra nuk është e kënaqur me atë që Allahu i ka dhënë, fillon të shqetësohet nga begatitë e të tjerëve.
Si ta shpëtojmë nga zilia?
Kur’ani Proeti Muhamed dhe Ehli Bejti na kanë caktuar disa rrugë për shpëtimin nga zilia. Prej tyre janë:
E para: Të kujtojmë se furnizuesi është Allahu
Në ajetin 32 të sures “Ez-Zukhruf” Allahu thotë: “Ne kemi ndarë mes tyre jetesën në këtë botë.”
Çdo begati dhe mirësi është ndarë me urtësinë e Allahut. Askush nuk mund të marrë atë që Allahu nuk ia ka caktuar.
E dyta: Të falënderojmë Allahun për begatitë dhe mirësita tona
Kur njeriu numëron mirësitë që ka, si: shëndeti, familja, besimi, siguria, zemra mbushet me mirënjohje dhe zilia largohet.
E treta: Të lutemi për atë që e kemi zili
Kjo është një nga ilaçet më të fuqishme morale. Në vend që të thuash: “Pse ai ka?” Thuaj: “O Allah! Bekoje atë edhe më shumë dhe më jep edhe mua nga mirësia Jote.” Shejtani nuk e duron këtë lutje.
E katërta: Të mos krahasojmë jetën tonë me të tjerët
Sot rrjetet sociale e ushqejnë zilinë. Njerëzit shohin vetëm fotografitë e bukura të jetës së të tjerëve. Por nuk shohin sprovat, dhimbjet dhe vështirësitë e tyre. Kur’ani na mëson të shikojmë më shumë brenda vetes sesa tek të tjerët. Në ajein 105 të sures “El-Maide” Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Kujdesuni për vetveten.”
Ky ajet na mëson se çdo besimtar së pari duhet të kujdeset vetën e tij, për besimin, veprat dhe përmirësimin e vet. Kujdesi për veten do të thotë ta ruash zemrën, ta ndreqësh sjelljen dhe të qëndrosh i palëkundur në rrugën e Allahut dhe të mos merret me llogaritë e të tjerëve.
E pesta: Të forcojmë bindjen (kana’atun)
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Pasuria nuk është në shumicën e pasurisë, por në pasurinë e shpirtit.” Pra, kur njeriu i kënaqur, ai është më i pasuri.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur dikush sheh suksesin e tjetrit dhe gëzohet për të. Kur lutet për të. Kur e falënderon Allahun për mirësitë që u ka dhënë robërve të Tij. Kjo do të thotë se ai njeri ka zemër të pastër.
Imam Sadiku (Paqja oftë mbi të!) thotë se besimtari dëshiron për vëllanë e tij atë që dëshiron për veten. Ky është morali i njerëzve të devotshëm.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Zilia, në fillim nuk dëmton atë që e ka zili. Por, fillimisht ajo djeg zemrën e ziliqarit. Njeriu ziliqar jeton në vuajtje edhe kur nuk ka asnjë fatkeqësi.
Ndërsa zemra që është e kënaqur me Allahun jeton e qetë, edhe nëse nuk ka shumë pasuri.
Le ta lusim Allahun e të themi: “O Allah! Pastroji zemrat tona nga zilia, urrejtja dhe smira! Na bëj prej atyre që gëzohen për mirësitë e të tjerëve dhe që janë të kënaqur me caktimin Tënd! Mbushi zemrat tona me dashuri, sinqeritet dhe falënderim ndaj Teje!
Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!
