Cila është pikëpamja e Kur’anit për fëmijët?
Pikëpamja e Kur’anit për fëmijët është shumë e qartë. Sipas Kur’anit fëmijët janë dhuratë dhe përgjegjësi nga Allahu. Kur’ani nuk i sheh fëmijët vetëm si pjesë të familjes, por si një amanet që prindërit duhet ta ruajnë sa më mirë, ta edukojnë dhe ta drejtojnë drejt së mirës.
Kushdo që e studion Kur’anin e Shenjtë do të gjejë se sipas tij:
1- Fëmijët janë dhuratë dhe begati nga Allahu
Kur’ani thotë se fëmijët janë një nga mirësitë më të mëdha në jetë.
Në suren “Esh Shura” ajeti 49 thuhet:
{…يَهَبُ لِمَن يَشَآءُ إِنَٰثٗا وَيَهَبُ لِمَن يَشَآءُ ٱلذُّكُورَ…}
“…Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë…”
Nga ky ajet kuptohet se fëmijët nuk janë pronë e prindërve. Ata janë dhuratë nga Allahu dhe janë përgjegjësi që duhet trajtuar me falënderim dhe me kujdes.
2- Fëmijët janë stoli e kësaj jete
Në ajetin 46 të sures “Kehf” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ الْمَالُ وَالْبَنُونَ زِينَةُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا ۖ وَالْبَاقِيَاتُ الصَّالِحَاتُ خَيْرٌ عِندَ رَبِّكَ ثَوَابًا وَخَيْرٌ أَمَلًا﴾
“Pasuria dhe fëmijtë janë stoli e jetës së kësaj bote…”
Nga ky ajet kuptohet se fëmijët janë zbukurim i jetës së kësaj bote, pra ata e bëjnë jetën të bukur.
3- Fëmijët janë sprovë
Në Suren “El Enfal” ajeti 28 Allahu i Madhëruar thotë:
{…وَٱعۡلَمُوٓاْ أَنَّمَآ أَمۡوَٰلُكُمۡ وَأَوۡلَٰدُكُمۡ فِتۡنَةٞ…}
“Ta dini se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë…”
Ajeti na thotë qartë se fëmijët janë sprovë. Kështu që prindërit do të pyeten se si i rritën dhe si i edukuan fëmijët. Nuk mjafton vetëm ushqimi dhe veshja për fëmijët; duhet edhe edukim moral dhe shpirtëror i tyre.
4- Fëmijët janë armiq
Në ajetin 15 të sures “Et Tegabun” Allahu i Madhëruar thotë:
{ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّ مِنْ أَزْوَاجِكُمْ وَأَوْلادِكُمْ عَدُوّاً لَكُمْ فَاحْذَرُوهُمْ…}
“O ju që keni besuar! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, pandaj ruajuni prej tyre…”
Ndonjëherë disa nga njerëzit më të afërt të njeriut, si bashkëshortja ose fëmijët, mund ta largojnë atë nga bindja ndaj Allahut dhe nga rruga e drejtë. Prandaj, besimtari duhet të jetë i kujdesshëm që dashuria për ta të mos e çojë në gabim.
Ky ajet nuk do të thotë se gruaja apo fëmijët janë armiq në vetvete. Kuptimi është se ata mund të bëhen shkak që njeriu të neglizhojë detyrat fetare, të bëjë padrejtësi ose mëkate, të vendosë interesat familjare mbi urdhrat e Allahut.
5- Fëmijët nuk duhen vrarë e as nuk duhen dëmtuar
Kur’ani e ndalon rreptësisht dëmtimin ose vrasjen e fëmijëve për arsye varfërie apo për ndonjë arsye tjetër.
Në Suren “El Isra”, ajeti 31 thuhet:
﴿وَلَا تَقْتُلُوا أَوْلَادَكُمْ خَشْيَةَ إِمْلَاقٍ ۖ نَّحْنُ نَرْزُقُهُمْ وَإِيَّاكُمْ ۚ إِنَّ قَتْلَهُمْ كَانَ خِطْئًا كَبِيرًا﴾
“Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë. Ne ju furnizojmë ju dhe ata.”
Nga ky ajet kuptojmë se jeta e fëmijës është e shenjtë. Prindërit duhet të kenë besim dhe kujdes, jo frikë dhe padrejtësi. Duhet të jenë të mëshirshëm ndaj fëmijëve të tyre në çdo lloj situate.
6- Edukimi duhet të fillojë me besim dhe moral
Një nga shembujt më të bukur të edukimit në Kur’an është këshilla e Lukmanit për djalin, i cili këshillon për besimin në Allah, për largimin nga idhujtaria, për moralin e mire, për respektin ndaj prindërve dhe për drejtësinë dhe përulësinë.
Kjo tregon se edukimi i fëmijës duhet të përfshijë: besimin, moralin, karakterin, sjelljen ndaj njerëzve.
7- Prindërit duhet të kujdesen për të ardhmen e fëmijëve
Në Suren “En Nisa”, ajeti 9 Kur’ani këshillon që njerëzit të kenë frikë për pasardhësit e tyre dhe të veprojnë me drejtësi. Ajeti thotë: “Le të druajnë nëse ata lënë pas vetes fëmijë të mitur, duke u brengosur për ta…”
Kuptimi i këtij ajeti është se prindërit duhet të mendojnë për të ardhmen e fëmijëve dhe të krijojnë një jetë të qëndrueshme dhe edukim të mirë për ta.
Në mbyllje të temës shtrohet pyetja:
Si duhet të trajtohen fëmijët sipas Kur’anit të Shenjtë?
Sipas mësimeve të Kur’anit të Shenjtë fëmijët duhet të trajtohen:
Me dashuri dhe mëshirë Jo me dhunë, poshtërim ose padrejtësi.
Me drejtësi mes tyre. Prindërit nuk duhet të favorizojnë një fëmijë dhe të padrejtësojnë tjetrin.
Me edukim të mirë. Fëmijëve duhet t’u mësohen: besimi, morali, ndershmëria respekti.
Me mbrojtje dhe kujdes. Prindërit janë përgjegjës për sigurinë fizike, emocionale dhe shpirtërore të fëmijëve.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Sipas Kur’anit të Shenjtë, fëmijët janë: dhuratë, sprovë amanet nga Allahu dhe duhet të rriten me dashuri, drejtësi, edukim dhe përgjegjësi.
Gjithmonë të lutemi e të themi:
﴿ وَالَّذِينَ يَقُولُونَ رَبَّنَا هَبْ لَنَا مِنْ أَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ أَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّقِينَ إِمَامًا﴾
“O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”. (Sure “El Furkan”, ajeti 74).
