Cila është pikëpamja e Kur’anit për ujin?
Në ajetin 18 të sures “Mu’minun” Allahu i Madhëruar thotë:
}وَأَنْزَلْنَا مِنَ السَّمَاءِ مَاءً بِقَدَرٍ فَأَسْكَنَّاهُ فِي الْأَرْضِ وَإِنَّا عَلَى ذَهَابٍ بِهِ لَقَادِرُونَ{
“Ne zbresim ujë nga qielli me masë të caktuar, pastaj e depozitojmë atë në Tokë. Por, nëse dëshirojmë, Ne jemi në gjendje ta heqim atë tërësisht.”
Sipas Kur’anit të Shenjtë, uji konsiderohet baza e jetës dhe simbol i zhvillimit. Kur’ani i Shenjtë i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj mirësie të madhe, duke e bërë atë një nga shenjat e fuqisë së Allahut në krijimin e Tij dhe një mjet për të kujtuar madhështinë e mirësisë dhe mëshirës së Allahu ndaj njerëzve.
Kur’ani nuk është mjaftuar vetëm me përmendjen e ujit nga këndvështrimi material, por e ka trajtuar atë me një qasje të plotë, që bashkon aspektin besimor, mjedisor dhe etik, duke thirrur në falënderimin për këtë mirësi të madhe dhe në reflektimin mbi domethëniet që ajo mbart si dëshmi e njëshmërisë së Krijuesit, të Madhëruar.
Fjala “ujë” dhe derivatet e saj janë përmendur në Kur’anin e Shenjtë 63 herë. Fjala “ujë” është përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë 59 herë, ndërsa në forma të lidhura me përemra (si: uji yt, uji i saj, uji juaj, uji i tyre) është përmendur edhe 4 herë.
Uji nuk përdoret vetëm për të pirë, por ka funksione të shumta, në të cilat shfaqet urtësia e Krijuesit, të Lartësuarit. Sipa Kur’anit të Shenjtë ndër këto funksione janë:
Funksioni i parë: Dhënia e jetës:
Uji është baza e jetës dhe është i domosdoshëm për të gjitha qeniet e gjalla, përfshirë njeriun, kafshët dhe bimët. Asnjë qenie e gjallë nuk mund të jetojë pa ujë, pasi ai është përbërësi kryesor i shumicës së qelizave të gjalla dhe përbën një përqindje të madhe të peshës së trupit. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe prej ujit bëmë çdo gjë të gjallë. A nuk besojnë pra?” [Sure “El Enbija”, ajeti 30).
Në një ajet tjetër thotë: “Dhe me të (ujin) e ringjallëm një tokë të vdekur; kështu do të jetë edhe ringjallja (pas vdekjes).” (Sure “El A’raf”, ajeti 57).
Ky ajet e lidh ringjalljen e tokës nëpërmjet ujin në kohën e pranverës me ringjalljen e njeriut pas vdekjes, duke treguar rëndësinë kësaj mirësie të madhe, që është uji.
Funksioni i dytë: Mbirja dhe rritja e bimëve
Uji është një element thelbësor për rritjen e bimëve. Ai ndihmon në transportimin e elementeve ushqyese nga toka drejt gjetheve dhe kërcellit, ndihmon në rregullimin e temperaturës së bimës, si dhe ruan qëndrueshmërinë e qelizave bimore dhe mbështet strukturën e tyre. Allahu i Lartësuar në Kur’an thotë: “Dhe Ne zbritëm nga qielli ujë të bekuar dhe me të bëmë të mbijnë kopshte dhe drithëra për korrje.” (Sure “Kaf”, ajeti 9).
Funksioni i tretë: Pastrimi:
Uji është baza e pastërtisë në Islam dhe adhurimet që kërkojnë pastërti nuk janë të vlefshme pa përdorimin e tij. Uji nuk shërben vetëm për pastrimin e trupit, por ka edhe rol në pastërtinë shpirtërore. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Dhe Ai ju zbret nga qielli ujë për t’ju pastruar me të, për t’ju larguar ndyrësinë e djallit, për t’ju forcuar zemrat dhe për t’ju bërë të qëndrueshëm këmbët.” (Sure “El Enfal”, ajeti 11).
Uji në Kur’anin e Shenjtë nuk është thjesht një element material, por një shenjë hyjnore që tregon madhështinë e krijimit dhe përsosmërinë e urtësisë së Allahut. Allahu i Lartësuar ka lidhur në Librin e Tij dhuntinë e ujit me shpërblimin në botën tjetër: në Xhenet ai paraqitet si një nga format më të bukura të kënaqësisë së përjetshme, ndërsa në Xhehennem si një nga format më të ashpra të ndëshkimit dhe vuajtjes. Ky kontrast e fuqizon kuptimin e njeriut për përgjegjësinë ndaj kësaj dhuntie të madhe dhe e nxit të falënderojë Allahun dhe të kryejë vepra të mira.
Në përfundim, mund të thuhet se Kur’ani i Shenjtë ka trajtuar mirësinë e ujit në një perspektivë të gjithanshme, që bashkon njohurinë dhe besimin, duke thirrur të gjithë njerëzimin të reflektojë mbi krijimin e Allahut, të falënderojë për dhuntitë dhe begatitë e Tij, dhe të ruajë këtë dhunti të madhe që është baza e ekzistencës së tyre në këtë jetë.
Uji ndërmjet mëshirës dhe ndëshkimit
Siç e thamë më lart tek uji gjendet jeta e njerëzve, mëshira e Allahut ndaj tyre dhe mirësia e Tij për ta. Por po ashtu në të gjendet shkatërrimi dhe ndëshkimi i Allahut ndaj atyre që e meritojnë.
Kush e studion Kur’anin e Shenjtë sheh se uji e shoqëron njeriun në këtë botë dhe në Botën Tjetër. Uji sjell jetën dhe vdekjen, kënaqësinë dhe ndëshkimin.
Në këtë botë Allahu mund të ndëshkojë njerëzit me ujë, duke ua mohuar atë deri sa të vdesin nga uria dhe etja. Ai mund të fundosë mohuesit e tiranët dhe zullumqarët, ashtu si ndodhi me popullin e Profetit Nuh (Paqja qoftë mbi të!) kur Allahu i hapi dyert e qiellit dhe shpërtheu burimet e tokës, duke ndodhur Përmbytja e Madhe që fundosi tokën dhe gjithçka mbi të. Vetëm Nuh dhe ata që besuan me të shpëtuan. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ne hapëm dyert e qiellit me ujë që derdhej dhe shpërthyen burimet e tokës, e u takua uji sipas një urdhri të vendosur, dhe Ne e mbartëm atë mbi anije të ndryshme dhe të forta.” (Sure “El Kamer”, ajetet 11, 13).
Kur Faraoni arriti kulmin e tiranisë e të padrejtësisë, shkatërrimi i tij erdhi po me ujë. Për këtë Allahu thotë: “Ai donte t’i shtynte ata nga toka, por Ne e fundosëm atë dhe gjithë ata që ishin me të.” (Sure “El Isra”, ajeti 103.)
Në Botën Tjetër Allahu e ka bërë ujin një nga llojet më të larta të kënaqësisë për besimtarët në Xhennet. Ai thotë: “Atje ka lumenj me ujë të pastër që nuk ndryshon as shijen e as erën.” (Sure “Muhamed”, ajeti 15.).
Kjo do të thotë se në Xhennet do të ketë lumenj me ujë të ëmbël dhe të pastër, që nuk ka shije apo erë të keqe, ndryshe nga uji në këtë botë që mund të kalbet, dhe kjo është pjesë e nderimit hyjnor për të drejtët.
Por, për banorët e Xhehennemit, atyre do t’u jepet të pinë ujë si ndëshkim dhe jo si mëshirë, siç thotë Allahu: “Dhe nëse ata thërrasin për ndihmë, u jepet një ujë si gjymt i nxehtë që djeg fytyrat; sa i keq është ky pije dhe sa e keqe vendqëndrimi.” (Sure “El Kehf”, ajeti 29.). Ky ujë i valuar djeg fytyrat para se të pihet, duke treguar ashpërsinë e ndëshkimit (Allahu na ruajtë!)
Me këtë kontrast, Kur’ani i Shenjtë tregon se uji në Botën Tjetër mund të jetë mjet mëshire ose mjet ndëshkimi, sipas gjendjes së njeriut. Kjo e thërret besimtarin të reflektojë mbi fatin e tij dhe të përgatitet të bëhet nga ata që do të kënaqen me lumenjtë e rrjedhshëm, dhe jo nga ata që kërkojnë ndihmë me ujë, por pa asnjë mëshirë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Uji në Kur’anin e Shenjtë nuk është thjesht një element material, por një shenjë hyjnore që tregon madhështinë e krijimit dhe përsosmërinë e urtësisë së Allahut.
Në përfundim, mund të thuhet se Kur’ani i Shenjtë ka trajtuar mirësinë e ujit në një perspektivë të gjithanshme, që bashkon njohurinë dhe besimin, duke thirrur të gjithë njerëzimin të reflektojë mbi krijimin e Allahut, të falënderojë për dhuntitë dhe begatitë e Tij, dhe të ruajë këtë dhunti të madhe që është baza e ekzistencës së tyre në këtë jetë.
