Cila është urtësia e ndalimit të kamatës sipas Kur’anit?
Në ajetin 278 të sures “Bekare”, Allahu i Madhëruar thoë:
{یا أَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّقُواْ ٱللَّهَوَذَرُواْ مَا بَقِيَ مِنَ ٱلرِّبَوٰٓاْ إِن كُنتُم مُّؤۡمِنِينَ}
“O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”
Një nga çështjet e rëndësishme ekonomike dhe morale që trajton Kur’ani është ndalimi i kamatës. Islami nuk e ndalon kamatën thjesht si rregull financiar, por si një parim themelor për drejtësinë shoqërore dhe pastërtinë morale të shoqërisë.
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe fjala kamátë ka kuptimin e të hollave që marren me përqindje për një hua të dhënë dikujt.
Fjala “riba” (الربا) në Kur’anin Famëlartë ka kuptimin e shtimit dhe rritjes.
Kamata përmendet drejtpërdrejt në katër (4) sure të Kur’anit dhe në tetë (8) ajete.
1- Në suren “El Bekare” nga ajeti 275 deri në ajetin 279.
ٱلَّذِينَ يَأۡكُلُونَ ٱلرِّبَوٰاْ لَا يَقُومُونَ إِلَّا كَمَا يَقُومُ ٱلَّذِي يَتَخَبَّطُهُ ٱلشَّيۡطَٰنُ مِنَ ٱلۡمَسِّۚ ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمۡ قَالُوٓاْ إِنَّمَا ٱلۡبَيۡعُ مِثۡلُ ٱلرِّبَوٰاْۗ وَأَحَلَّ ٱللَّهُ ٱلۡبَيۡعَ وَحَرَّمَ ٱلرِّبَوٰاْۚ فَمَن جَآءَهُۥ مَوۡعِظَةٞ مِّن رَّبِّهِۦ فَٱنتَهَىٰ فَلَهُۥ مَا سَلَفَ وَأَمۡرُهُۥٓ إِلَى ٱللَّهِۖ وَمَنۡ عَادَ فَأُوْلَٰٓئِكَ أَصۡحَٰبُ ٱلنَّارِۖ هُمۡ فِيهَا خَٰلِدُونَ (275) يَمۡحَقُ ٱللَّهُ ٱلرِّبَوٰاْ وَيُرۡبِي ٱلصَّدَقَٰتِۗ وَٱللَّهُ لَا يُحِبُّ كُلَّ كَفَّارٍ أَثِيمٍ (276) إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّٰلِحَٰتِ وَأَقَامُواْ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتَوُاْ ٱلزَّكَوٰةَ لَهُمۡ أَجۡرُهُمۡ عِندَ رَبِّهِمۡوَلَا خَوۡفٌ عَلَيۡهِمۡ وَلَا هُمۡ يَحۡزَنُونَ (277) يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّقُواْ ٱللَّهَوَذَرُواْ مَا بَقِيَ مِنَ ٱلرِّبَوٰٓاْ إِن كُنتُم مُّؤۡمِنِينَ (278) فَإِن لَّمۡ تَفۡعَلُواْ فَأۡذَنُواْ بِحَرۡبٖ مِّنَ ٱللَّهِ وَرَسُولِهِۦۖ وَإِن تُبۡتُمۡ فَلَكُمۡ رُءُوسُ أَمۡوَٰلِكُمۡ لَا تَظۡلِمُونَ وَلَا تُظۡلَمُونَ (279)
“Ata që marrin kamatë (fajde), do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet, sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si kamataria. Porse Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën. Ai të cilit i vjen këshilla nga Zoti i tij dhe i shmanget kamatës, le ta mbajë atë që tashmë ka fituar dhe fati i tij është në duart e Allahut. Ndërsa ata që i kthehen kamatës sërish, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
“Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë. Allahu nuk i do ata që janë mohues – gjynahqarë.”
“Ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, falin namazin dhe japin zeqatin, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.”
“O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”
“Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë.”
2- Në suren “Ali Imran, ajeti 130:
}يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ لَا تَأۡكُلُواْ ٱلرِّبَوٰٓاْ أَضۡعَٰفٗا مُّضَٰعَفَةٗۖ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَ لَعَلَّكُمۡ تُفۡلِحُونَ ({
“O ju që keni besuar! Mos pranoni kamatë të shumëfishtë mbi kamatë! Kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni”
3- Në suren “En Nisa”ajeti 161:
}وَأَخْذِهِمُ الرِّبَا وَقَدْ نُهُوا عَنْهُ وَأَكْلِهِمْ أَمْوَالَ النَّاسِبِالْبَاطِلِ ۚ وَأَعْتَدْنَا لِلْكَافِرِينَ مِنْهُمْ عَذَابًا أَلِيمًا{
“për shkak se merrnin kamatë, megjithëse kjo ishte e ndaluar për ta dhe për shkak se përvetësonin padrejtësisht pasurinë e njerëzve. Jobesimtarëve midis tyre, Ne u kemi përgatitur një dënim të dhembshëm.”
4- Në suren “Ankebut” ajeti 39:
﴿ وَمَا آتَيْتُم مِّن رِّبًا لِّيَرْبُوَ فِي أَمْوَالِ النَّاسِ فَلَا يَرْبُو عِندَ اللَّهِ ۖ وَمَا آتَيْتُم مِّن زَكَاةٍ تُرِيدُونَ وَجْهَ اللَّهِ فَأُولَٰئِكَ هُمُ الْمُضْعِفُونَ﴾
“Dhe atë që e jepni si kamatë, që të shtohet në pasurinë e njerëzve, ajo nuk shtohet tek Allahu. Ndërsa atë që e jepni si zekat, duke kërkuar Fytyrën (kënaqësinë) e Allahut, të tillët janë ata që do të shumëfishohen (në shpërblim).”
Trajtimi më i plotë i kamatës gjendet në suren “El Bekare”, ku Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu e ka lejuar shitblerjen, ndërsa e ka ndaluar kamatën.” (Sure “El Bekare”, ajeti 275). Madje në ajetin 279 të sures “Bekare” thuhet: “Nëse nuk hiqni dorë, atëherë merrni njoftim për luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.” Kjo është një nga shprehjet më të forta në Kur’an, që tregon seriozitetin e fortë të këtij ndalimi.
Cila është urtësia e ndalimit të kamatës?
Ashtu si shumë Ndalimi i kamatës ka disa urtësi e ato janë:
Urtësia e parë: Ruajtja e drejtësisë shoqërore
Kamata krijon pabarazi të thellë ekonomike. Ai që jep para me kamatë (interes) fiton pa mund, ndërsa ai që merr hua, zakonisht kur është në nevojë, detyrohet të paguajë më shumë sesa ka marrë. Kjo bën që pasuria të grumbullohet në duart e një pakice, siç është sot.
Kur’ani synon një sistem ku pasuria të qarkullojë në shoqëri dhe nuk përqendrohet vetëm tek të pasurit. Në ajetin 7 të sures “El Hashr” thuhet: “…që pasuria të mos qarkullojë vetëm ndër të pasurit prej jush.”
Urtësia e dytë: Mbrojtja e të dobëtit
Në shumicën e rasteve, ai që merr hua ose është në vështirësi, ose në krizë financiare, ose në varfëri, ose në nevojë emergjente. Islami urdhëron për ndihmë dhe solidaritet, e jo shfrytëzim të dobësisë apo të vështirësisë financiare.
Prandaj në ajeti 280 të sures “El Bekare” Kur’ani urdhëron e thotë: “Nëse ai është në vështirësi, jepini afat deri në lehtësim.”
Madje, Kur’ani nxit edhe faljen e borxhit si sadaka. Pra, logjika kur’anore është mëshirë dhe lehtësim, jo presion dhe fitim mbi fatkeqësinë e tjetrit.
Urtësia e tretë: Pastrimi moral i shoqërisë
Kamata ushqen lakminë dhe egoizmin. Ajo krijon një mentalitet ku fitimi bëhet qëllim absolut, pa marrë parasysh gjendjen e tjetrit.
Në ajetin 276 të sures “El Bekare” Kur’ani thotë: “Allahu e zhduk kamatën dhe e shton sadakanë.” Kjo tregon një të vërtetë të thellë që është: Edhe nëse kamata duket si shtim matematikor, në realitet ajo e shkatërron bekimin, moralin dhe stabilitetin shoqëror. Ndërsa sadekaja, që në dukje zvogëlon pasurinë, në fakt e shton bereqetin dhe harmoninë në shoqëri.
Urtësia e katërt: Stabiliteti ekonomik
Një sistem i bazuar në interesa të larta dhe borxhe të pafundme krijon kriza financiare, varësi ekonomike dhe pabarazi ekstreme. Historia moderne ka treguar se ekonomitë e mbingarkuara me borxhe janë të brishta.
Islami promovon një model tjetër. Ai model është: tregtia reale, investim produktiv, partneritet dhe ndarje risku. Pra, fitimi duhet të vijë nga puna dhe rrezik i përbashkët, jo nga fitim i garantuar mbi nevojën e dikujt tjetër.
Urtësia e pestë: Dimensioni shpirtëror
Ndalimi i kamatës nuk është vetëm çështje ekonomike, por është çështje besimi. Kur’ani e lidh braktisjen e kamatës me besimin e vërtetë. Në ajetin 278 të sures “El Bekare” Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe hiqni dorë nga ajo që ka mbetur nga kamata, nëse jeni besimtarë.” Pra, largimi nga kamata është provë e sinqeritetit të besimit.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ndalimi i kamatës në Kur’an ka disa qëllime të mëdha. Ndalimi i kamatës mbron të dobëtin; Ruan drejtësinë shoqërore; Parandalon grumbullimin e padrejtë të pasurisë; Pastron moralin nga lakmia; Forcon solidaritetin dhe mëshirën mes individëve të shoqërisë.
Islami nuk ndërton ekonomi mbi shfrytëzimin e nevojës së tjetrit, por mbi drejtësinë, ndihmën dhe përgjegjësinë morale. Dhe kjo është arsyeja pse Kur’ani e trajton kamatën me aq seriozitet, sepse ajo prek vetë themelet e drejtësisë në shoqëri.
Në ajetin 29 të sures “Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:
}يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ لاَ تَأْكُلُواْ أَمْوَالَكُمْ بَيْنَكُمْ بِالْبَاطِلِ إِلاَّ أَن تَكُونَ تِجَارَةً عَن تَرَاضٍ مِّنكُمْ {…
“O ju që keni besuar, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju.”
Në këtë ajet besimtarët urdhërohen të mos e marrin pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të padrejtë, si nëpërmjet mashtrimit, vjedhjes, kamatës, ryshfetit etj.). Pasuria lejohet të fitohet vetëm përmes marrëveshjeve të drejta dhe me pëlqim të dyanshëm. Thelbi i ajetit është drejtësia në marrëdhëniet ekonomike dhe respekt absolut për jetën njerëzore.
