Në ajetin 26 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ فَأَمَّا الَّذِينَ آمَنُوا فَيَعْلَمُونَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِنْ رَبِّهِمْ وَأَمَّا الَّذِينَ كَفَرُوا فَيَقُولُونَ مَاذَا أَرَادَ اللَّهُ بِهَذَا مَثَلًا يُضِلُّ بِهِ كَثِيرًا وَيَهْدِي بِهِ كَثِيرًا وَمَا يُضِلُّ بِهِ إِلَّا الْفَاسِقِينَ ﴾
“Sa u përket atyre që besojnë, ata e dinë se kjo është e vërteta që vjen nga Zoti i tyre. Ndërsa ata që nuk besojnë thonë: ‘Çfarë ka dashur Allahu të thotë me këtë shembëlltyrë?’ Me të, Ai lë në humbje shumë njerëz dhe udhëzon shumë të tjerë. Por Ai nuk lë në humbje me të askënd tjetër, përveç atyre që janë të pabindur dhe dalin nga rruga e drejtë.”
Shembëlltyrat në Kur’anin e Shenjtë nuk janë thjesht mjete letrare për zbukurimin e fjalës, por janë një metodë e Allahut për edukimin, udhëzimin dhe zgjimin e mendjes, zemrës ndërgjegjes njerëzore.
Allahu i Madhëruar përdor shembëlltyra për t’i afruar të vërtetat e thella shpirtërore dhe morale me mendjen dhe zemrën e njeriut. Nëpërmjet tyre, ajo që është abstrakte bëhet e kuptueshme, ajo që është e padukshme bëhet më e afërt me përfytyrimin dhe ajo që është e vështirë për t’u kuptuar shpjegohet përmes realiteteve të njohura.
Në gjuhën arabe, shembëlltyra quhet المَثَل (el-methel), ndërsa shumësi i saj është الأَمْثَال (el-emthal).
Kur’ani na tregon disa qëllime themelore të përdorimit të shembëlltyrave. Prej atyre qëllimeve janë:
Qëllimi i parë: Për ta nxitur njeriun të mendojë
Në ajetin 21 të sures “El-Hashr” Allahu i Madhëruar thotë:
وَتِلْكَ الْأَمْثَالُ نَضْرِبُهَا لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ
“Këto shembëlltyra ua sjellim njerëzve, në mënyrë që ata të mendojnë.”
Ky ajet na mëson se një nga qëllimet kryesore të shembëlltyrave është nxitja e të menduarit (tefekkur). Kur’ani nuk kërkon që njeriu vetëm të dëgjojë, por edhe të meditojë mbi atë që dëgjon.
Shembëlltyra kur’anore nuk synon vetëm t’i japë njeriut një informacion, por synon ta bëjë atë ta zbulojë vetë të vërtetën dhe të nxjerrë mësime prej saj.
Qëllimi i dytë: Për ta ndihmuar njeriun të kuptojë të vërtetat
Në ajetin 43 të sures “El-Ankebut” Allahu i Madhëruar thotë:
وَتِلْكَ الْأَمْثَالُ نَضْرِبُهَا لِلنَّاسِ ۖ وَمَا يَعْقِلُهَا إِلَّا الْعَالِمُونَ
“Këto shembëlltyra ua sjellim njerëzve, por ato nuk i kuptojnë siç duhet veçse të diturit.”
Ky ajet na tregon se shembëlltyrat kanë një dimension të thellë intelektual. Për shembull, në ajetin 41 të sures “El-Ankebut” Allahu thotë:
مَثَلُ الَّذِينَ اتَّخَذُوا مِن دُونِ اللَّهِ أَوْلِيَاءَ كَمَثَلِ الْعَنكَبُوتِ اتَّخَذَتْ بَيْتًا
“Shembulli i atyre që marrin mbrojtës të tjerë përveç Allahut është si shembulli i merimangës që ndërton një shtëpi.”
Ajeti e përshkruan shtëpinë e merimangës si më të dobëtën e shtëpive. Përmes këtij krahasimi, Kur’ani na mëson se mbështetja shpirtërore te fuqitë e tjera në vend të Allahut është e brishtë. Shembëlltyra e bën të kuptueshme një të vërtetë që ndonjëherë do të kërkonte shumë fjalë për t’u shpjeguar.
Qëllimi i tretë: Për ta bërë njeriun të marrë mësim dhe këshillë
Në ajetin 32 të sures “Ez-Zumer” Allahu i Lartësuar thotë:
وَلَقَدْ ضَرَبْنَا لِلنَّاسِ فِي هَٰذَا الْقُرْآنِ مِن كُلِّ مَثَلٍ لَعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ
“Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kur’an shembëlltyra të ndryshme, në mënyrë që ata të marrin këshillë.”
Fjala يَتَذَكَّرُونَ (jetedhekkerun) lidhet me përkujtimin, ndërgjegjësimin dhe marrjen e mësimit. Prandaj, qëllimi i shembëlltyrës nuk përfundon me kuptimin e saj. Ajo duhet të ndikojë në sjelljen e njeriut.
Një person mund ta kuptojë një shembëlltyrë, por nëse nuk ndryshon asgjë në jetën e tij, nuk e ka përfituar plotësisht mesazhin e saj. Shembëlltyrat kur’anore nuk janë vetëm për t’u kuptuar me mendje, por edhe për t’u përjetuar me zemër dhe për t’u zbatuar në jetë.
Qëllimi i katërt: Për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta
Një nga shembëlltyrat më domethënëse gjendet në ajetin 17 suren “Err-Rra’d në të cilin Allahu i Madhëruar e i Lartësuar thotë:
كَذَٰلِكَ يَضْرِبُ اللَّهُ الْحَقَّ وَالْبَاطِلَ ۚ فَأَمَّا الزَّبَدُ فَيَذْهَبُ جُفَاءً ۖ وَأَمَّا مَا يَنفَعُ النَّاسَ فَيَمْكُثُ فِي الْأَرْضِ
“Kështu Allahu sjell shembullin e së vërtetës dhe së pavërtetës. Sa i përket shkumës, ajo zhduket, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve mbetet në tokë.”
Në këtë shembëlltyrë, Allahu e krahason të pavërtetën me shkumën që shfaqet mbi ujë. Shkuma mund të jetë e dukshme dhe të mbulojë sipërfaqen, por ajo nuk ka qëndrueshmëri. Ndërsa uji, i cili u sjell dobi njerëzve, mbetet.
Këtu qëndron një mësim I madh se: E pavërteta mund të duket e fuqishme dhe mbizotëruese për një kohë, por ajo nuk ka qëndrueshmërinë e së vërtetës.
Nuk duhet ta gjykojmë vërtetësinë e diçkaje nga zhurma, përhapja apo fuqia e saj e përkohshme, por nga e vërteta dhe vlera e saj.
Qëllimi I pestë: Për të shpjeguar vlerën e besimit dhe të veprave të mira
Në ajetin 24 të sures “Ibrahim” Allahu i Madhëruar thotë:
أَلَمْ تَرَ كَيْفَ ضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا كَلِمَةً طَيِّبَةً كَشَجَرَةٍ طَيِّبَةٍ أَصْلُهَا ثَابِتٌ وَفَرْعُهَا فِي السَّمَاءِ
“A nuk e sheh se si Allahu sjell shembullin e fjalës së mirë? Ajo është si një pemë e mirë, rrënja e së cilës është e qëndrueshme, ndërsa degët e saj ngrihen drejt qiellit.”
Në këtë shembëlltyrë, fjala e mirë krahasohet me një pemë të shëndetshme. Nga kjo mund të nxjerrim tre mësime:
I pari: Rrënjët e forta. Besimi i vërtetë duhet të ketë themele të qëndrueshme.
I dyti: Degët drejt qiellit: Besimi e orienton njeriun drejt vlerave të larta shpirtërore.
I treti: Frytet e pemës: Besimi i sinqertë duhet të shfaqet përmes veprave të mira.
Pra, besimi nuk është thjesht një pohim me gjuhë. Ai duhet të jetë një realitet i gjallë që jep fryte në jetën e njeriut.
Qëllimi i gjashtë: Për ta paralajmëruar njeriun nga sjelljet e gabuara
Në ajetin 5 të sures “El-Xhumua” Allahu i Madhëruar thotë:
مَثَلُ الَّذِينَ حُمِّلُوا التَّوْرَاةَ ثُمَّ لَمْ يَحْمِلُوهَا كَمَثَلِ الْحِمَارِ يَحْمِلُ أَسْفَارًا
“Shembulli i atyre që u ngarkuan me Teuratin, por nuk e zbatuan atë, është si shembulli i gomarit që mbart libra.”
Ky ajet paraqet një kritikë të fuqishme ndaj dijes që nuk shoqërohet me përgjegjësi dhe veprim. Një kafshë mund të mbajë mbi shpinë libra të shumtë, por nuk përfiton nga përmbajtja e tyre. Po kështu, njeriu mund të zotërojë njohuri fetare, por nëse nuk i zbaton ato, nuk e realizon qëllimin e vërtetë të dijes. Vlera e dijes nuk qëndron vetëm në atë që dimë, por edhe në atë që zbatojmë.
Qëllimi i shtatë: Për të edukuar zemrën dhe për të forcuar bindjen
Në ajetin 261 të sures “Ek-Bekare” Allahu i Plotfuqishëm dhe i Gjithdijshëm thotë:
مَثَلُ الَّذِينَ يُنفِقُونَ أَمْوَالَهُمْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ كَمَثَلِ حَبَّةٍ أَنبَتَتْ سَبْعَ سَنَابِلَ فِي كُلِّ سُنبُلَةٍ مِّائَةُ حَبَّةٍ
“Shembulli i atyre që e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e Allahut është si një kokërr që nxjerr shtatë kallinj dhe në secilin kalli ka njëqind kokrra.”
Kjo shembëlltyrë e lidh bujarinë me një pamje konkrete: që është mbjellja e një kokrre që shumëfishohet. Njeriu duhet të kuptojë se dhënia në rrugën e Allahut nuk duhet parë si humbje e pasurisë, por si një vepër që mund të sjellë shpërblim të shumëfishuar.
Qëllimi i tetë: Vërtetimi i Ringjalljes.
Në ajetin 57 të sures “El- A’raf” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَهُوَ الَّذِي يُرْسِلُ الرِّيَاحَ بُشْرًا بَيْنَ يَدَيْ رَحْمَتِهِ حَتَّى إِذَا أَقَلَّتْ سَحَابًا ثِقَالاً سُقْنَاهُ لِبَلَدٍ مَّيِّتٍ فَأَنزَلْنَا بِهِ الْمَاء فَأَخْرَجْنَا بِهِ مِن كُلِّ الثَّمَرَاتِ كَذَلِكَ نُخْرِجُ الْموْتَى لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ َ﴾.
“Ai është që i dërgon erërat si përgëzuese, përpara mëshirës së Tij. E kur ato mbartin re të rënduara me shi, Ne i drejtojmë drejt një vendi të vdekur (të shkretë). Pastaj prej tyre zbresim ujë dhe me anë të tij nxjerrim gjithfarë frutash. Po kështu do t’i nxjerrim edhe të vdekurit (nga varret), në mënyrë që të përkujtoni e të merrni mësim.”
Ky ajet fisnik na përcjell dy mesazhe themelore dhe vendimtare, të cilat lidhen me dy të vërteta madhështore të besimit.
Mesazhi i parë: Njëshmëria e Allahut dhe njohja e Krijuesit.
Mesazhi i dytë Bota Rjetër dhe Ringjallja.
Pjesa përmbyllëse e ajetit përmban një shembull të bukur dhe kuptimplotë, nëpërmjet të cilit Allahu i Madhëruar na drejton vëmendjen drejt Botës së Përtejme dhe ringjalljes pas vdekjes. Ashtu si Allahu e ringjall tokën e vdekur nëpërmjet shiut, duke bërë që prej saj të mbijnë bimët dhe të dalin frytet, po ashtu Ai ka fuqinë t’i ringjallë njerëzit pas vdekjes.
Në këtë ajet, natyra shndërrohet në një dëshmi të gjallë të madhështisë së Krijuesit. Era, retë, shiu dhe gjallërimi i tokës nuk janë vetëm dukuri natyrore, por edhe shenja hyjnore që e ftojnë njeriun të meditojë mbi jetën, vdekjen dhe ringjalljen.
Ajeti na fton të njohim Allahun përmes shenjave të krijimit dhe të besojmë me bindje në Ringjalljen dhe Jetën e Përtejme. Sepse Ai që krijon dhe përtërin jetën në këtë botë, është i Fuqishëm ta rikthejë atë edhe në botën tjetër.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Shembëlltyrat kur’anore kanë për qëllim ta nxjerrin njeriun nga dëgjimi pasiv drejt mendimit të vetëdijshëm, nga njohuria sipërfaqësore drejt kuptimit të thellë dhe nga kuptimi teorik drejt veprimit praktik.
Shembëlltyrat nuk ndikojnë vetëm në mënyrën si mendojmë, por edhe në mënyrën si i vlerësojmë veprat tona. Nëse i përmbledhim ajetet e mësipërme, vërejmë se Kur’ani përdor tri shprehje veçanërisht domethënëse, të cilat plotësojnë njëra-tjetrën. Ato shprehje janë të menduarit, të kuptuarit dhe marrja e mësimit. Shembëlltyra është një urë ndërmjet dijes dhe veprimit.
Allahu na sjell shembëlltyra jo sepse e vërteta ka nevojë për shembuj, por sepse mendja dhe zemra e njeriut kanë nevojë për rrugë që e bëjnë të vërtetën më të kuptueshme dhe më ndikuese në jetën e tij.
Një pyetje e rëndësishme që duhet t’ia bëjmë vetes sa herë lexojmë një shembëlltyrë kur’anore është: Çfarë dëshiron Allahu të më mësojë përmes kësaj shembëlltyre dhe çfarë duhet të ndryshoj në jetën time pasi e kam kuptuar atë?
Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur’anit!
