Pozita e prindërve në Kur’an është shumë e lartë dhe respektohet thellësisht. Kur’ani e përmend këtë shumë herë dhe e konsideron një nga veprat më të rëndësishme morale. Qëndrimi i Kurani për prindërit është shumë i lartë dhe i qartë: Respekt, mirësjellje, bindje në të mirë dhe kujdes i vazhdueshëm, sidomos në pleqëri. Në Kur’an, prindërit kanë një pozitë shumë të lartë. Respekti, mirënjohja dhe kujdesi ndaj tyre konsiderohen ndër veprat më të mëdha dhe më të dashura tek Allahu.
Më poshtë janë ajetet kryesore ku Kur’ani flet për prindërit:
1- Në ajetet 23 dhe 24 të sures “Isra” Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”
Në këtë ajet mirësia ndaj prindërve përmendet menjëherë pas adhurimit të Allahut, që tregon rëndësinë e saj. Kur’ani e ndalon edhe fjalën më të vogël të pakënaqësisë ndaj prindërve, pra t’u tuash “uf”. Sipas Kur’anit është detyrim butësia ndaj prindërve dhe lutja për ta, të gjallë qofshin apo të vdekur.
2- Në ajetet 14 dhe 15 të sures “Lukman” Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: ‘Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë. Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.”
Në këtë ajet theksohet sakrifica e nënës. Bindja ndaj prindërve nuk lejohet vetëm nëse kërkojnë shirk (mosbesim), por edhe atëherë trajtohen me respekt.
3- Në ajetin 15 të sures “El Ahkaf” Allahu i Madhëruar thotë: Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem I penduar dhe Ty të dorëzohem!”.
Në këtë ajet përmenden vuajtjet e nënës si arsye për mirënjohje. Ajeti thotë se lutja për mirësinë ndaj prindërve është pjesë e devotshmërisë.
4- Në ajetin 36 të sures “En Nisa” Allahu i Madhëruar thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë dhe silluni mirë me prindërit…”
Në këtë ajet mirësia ndaj prindërve renditet menjëherë pas teuhidit, ashtu siç thotë edhe ajeti 23 në suren “El Isra”.
5- Në ajetin 83 të sures “El Bekare” Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtoni kur Ne morëm besën tuaj, o bijtë e Izraelit, se do të adhuroni vetëm Allahun, do të silleni mirë me prindërit…”
Kjo ishte pjesë e besëlidhjes me bijtë e Izraelit, por që vlen për mbarë njerëzit deri në ditën e fundit të kësaj jete.
6- Në ajetin 8 të sures “El Ankebut” Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet dhe: “Nëse ata të nxisin ty që të më shoqërosh Mua (në adhurim) atë, për të cilin ti nuk di asgjë, atëherë mos i dëgjo ata.” Tek Unë do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmëroj për gjithçka që keni bërë.”
Edhe ky ajet pëmban të njëjtin parim sin ë ajetin 15 të sures “El Lukman”: Nuk ka bindje në mëkat, por ka respekt në sjellje.
Si shembull të mirësjelljes ndaj prindërve Kur’ani sjell shembull Profetin Jahja (Paqja qoftë mbi të!) për të cilin thotë: “Dhe ishte i sjellshëm me prindërit e vet…”
Gjithashtu përmend Profetin Isa (Paqja qoftë mbi të!) ku thotë: “Dhe më ka bërë të sjellshëm ndaj nënës sime…”
Nga këtu kuptojmë se mirësia ndaj prindërve është cilësi e profetëve.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Bazuar në ajetet e begata që përmendëm kuptohet qartë qëndrimi I Kur’anit ndaj prndërve. Kur’ani mëson se:
Mirësia ndaj prindërve është obligim fetar.
Mirësia ndaj prindërve është menjëherë pas adhurimit të Allahut në rëndësi.
Mosrespekti është mëkat i madh.
Kujdesi në pleqëri është përgjegjësi e veçantë.
Edhe nëse nuk janë besimtarë, prindërit të trajtohen me respekt.
Duhet të lutesh për ta, qofshin të gjallë, por dhe pas vdekjes së tyre.
Sipas Kur’anit detyrimet e fëmijëve ndaj prindërve janë:
Të respektojnë dhe t’i nderojnë prindërit
Të flasin me butësi dhe edukatë
T’i ndihmojnë dhe kujdesen për ta sidomos në pleqëri.
Të luten për ta, siç thotë Kur’ani në ajetin 24 të sures “El Isra”: “Zoti im, mëshiroji ata ashtu siç më rritën kur isha i vogël.”
