Cili është qëndrimi i Kur’anit për sigurinë?

Qëndrimi i Kur’anit për sigurinë (الأمن – el emnu) është shumë i thellë dhe gjithëpërfshirës. Siguria në Kur’an nuk është vetëm mungesë frike fizike, por një gjendje qetësie shpirtërore, drejtësie shoqërore dhe besimi në Allahun. Siguria (el emnu) lidhet ngushtë me imanin (besimin), me drejtësinë dhe me përkujtimin e Allahut. Ajo përmendet në 21 vende e shpërndarë në 14 sure të Kur’anit të Shenjtë.

Qëndrimi i Kur’anit për sigurinë është:

Së pari: Kur’ani na thotë se siguria është fryt i besimit të pastër

Allahu e lidh sigurinë me besimin e sinqertë dhe largimin nga padrejtësia. Në ajetin 82 të sures “El En’am” thuhet:

﴿الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُم بِظُلْمٍ أُولَٰئِكَ لَهُمُ الْأَمْنُ وَهُم مُّهْتَدُونَ﴾

 “Ata që besuan dhe nuk e përzien besimin e tyre me padrejtësi – për ta është siguria dhe ata janë të udhëzuar.”

Sipas këtij ajeti siguria e vërtetë fillon nga zemra. Një shoqëri pa besim dhe drejtësi nuk mund të ketë siguri të qëndrueshme.

Së dyti: Kur’ani thotë se siguria dhuratë hyjnore pas frikës

Allahu premton që besimtarëve do t’ua zëvendësojë frikën me siguri. Në ajetin 55 të sures “Nur” thuhet:

﴿…وَلَيُبَدِّلَنَّهُم مِّن بَعْدِ خَوْفِهِمْ أَمْنًا ۚ…﴾

“…Ai do t’ua zëvendësojë frikën me siguri …”

Nga ky ajet kuptojmë se siguria është një dhuratë nga Allahu, që vjen si rezultat i besimit dhe veprave të mira.

Së treti: Kur’ani thotë se siguria është begati që duhet falënderuar

Në suren Kurejsh, Allahu përmend sigurinë si një nga mirësitë më të mëdha. Në ajetin 4 të kësaj sureje Allahu thotë:

﴿ الَّذِي أَطْعَمَهُم مِّن جُوعٍ وَآمَنَهُم مِّنْ خَوْفٍ﴾

“…Ai i ushqeu kundër urisë dhe i siguroi nga frika.”


Nga ky ajet mësojmë se siguria është një mirësi themelore, njësoj si ushqimi. Pa të, jeta nuk ka stabilitet. Pa siguri nuk ka jetë në shoqëri.

Së katërti: Kur’ani i konsideron vendet e shenjta vende të sigurta dhe sigurie. 

Në ajetin 97 të sures “Ali Imran” Allahu e përshkruan Mekën si vend sigurie dhe thotë:

﴿…وَمَن دَخَلَهُ كَانَ آمِنًا ۗ… ﴾

“Dhe kush hyn në të është i sigurt.”

Ndërsa  në ajetin 67 të sures “El Ankebut” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ أَوَلَمْ يَرَوْا أَنَّا جَعَلْنَا حَرَمًا آمِنًا وَيُتَخَطَّفُ النَّاسُ مِنْ حَوْلِهِمْ…﴾

“A nuk e kanë parë se Ne e bëmë një vend të sigurt (haram), ndërkohë që njerëzit përreth tyre rrëmbehen (grabiten)…?”

Ajeti na përcjell mesazhin se siguria publike është një shenjë e mëshirës dhe rregullit të Allahut.

Së pesti: Kur’ani na thotë se siguria sjell qetësinë e zemrës.

Këtë Kur’ani e lidh edhe me përmedjen e Allahut (Dhikrullah). Në ajetin 28 të sures “Err Rra’d” Allahu i Madhëruar thotë:

 ﴿…أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ﴾

“Vërtet, me përkujtimin e Allahut qetësohen zemrat.”

Kuptimi i ajetit është se zemra e njeriut gjen qetësi, stabilitet dhe siguri të brendshme kur lidhet me Allahun përmes dhikrit (përmendjes së Allahut), lutjes, leximit të Kur’anit, besimit dhe mbështetjes tek Ai.

Njeriu mund të ketë siguri materiale apo fizike, por pa qetësi shpirtërore mbetet i shqetësuar, i frikësuar ose i pasigurt. Ky ajet tregon se siguria e vërtetë fillon nga zemra, dhe zemra qetësohet kur është pranë Allahut.

Ky ajet na mëson se përmendja e Allahut largon ankthin, frikën dhe pasigurinë. Besimi në Allahun i jep njeriut forcë dhe stabilitet në vështirësi.  Siguria shpirtërore është një nga dhuratat më të mëdha të besimit. Siguria e brendshme është baza e çdo sigurie të jashtme.

 Së gjashti: Kur’ani thotë se siguria sjell mirësi e begati. Në ajetin 112 të sures “En Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:


﴿ وَضَرَبَ ٱللَّهُ مَثَلٗا قَرۡيَةٗ كَانَتۡ ءَامِنَةٗ مُّطۡمَئِنَّةٗ يَأۡتِيهَا رِزۡقُهَا رَغَدٗا مِّن كُلِّ مَكَانٖ فَكَفَرَتۡ بِأَنۡعُمِ ٱللَّهِ فَأَذَٰقَهَا ٱللَّهُ لِبَاسَ ٱلۡجُوعِ وَٱلۡخَوۡفِ بِمَا كَانُواْ يَصۡنَعُونَ﴾

“Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.”

Së shtati: Kur’ani thotë se siguria në Botën Tjetër është shpëtimi nga frika e madhe

Në ajetin 103 të sures “El Enbija” Allahu i Madhëruar thotë për besimtarët në Ditën e Gjykimit:

﴿ لَا يَحْزُنُهُمُ الْفَزَعُ الْأَكْبَرُ وَتَتَلَقَّاهُمُ الْمَلَائِكَةُ هَٰذَا يَوْمُكُمُ الَّذِي كُنتُمْ تُوعَدُونَ﴾

“Ata nuk do t’i brengosë tmerri më i madh dhe engjëjt do t’i presin (duke u thënë): “Kjo është dita juaj e premtuar.”

Kulmi i sigurisë është shpëtimi në Botën Tjetër.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Sipas Kur’anit të Shenjtë, siguria (el emnu) ndërtohet mbi besimin e pastër, mbi drejtësinë dhe shmangien e padrejtësisë, mbi përmendjen e Allahut, mbi falënderimin për begatitë që Allahu na ka dhënë dhe mbi rregullin shoqëror dhe atë etiko-moralز Forma më e lartë e sigurisë është siguria e zemrës në këtë botë dhe siguria nga frika në Botën Tjetër.

            Si përfundim, Kur’ani e konsideron sigurinë një nga begatitë më të mëdha që Allahu i ka dhuruar njerëzimit. Ai nuk e kufizon sigurinë vetëm në aspektin fizik, por e trajton atë si siguri shpirtërore, shoqërore, ekonomike dhe morale. Kur’ani na mëson se besimi në Allahun, drejtësia, mirësia, respektimi i të drejtave të njerëzve dhe largimi nga padrejtësia janë themeli i një jete të sigurt dhe të qetë. Ndërsa largimi nga udhëzimi i Allahut sjell frikë, trazira dhe pasiguri. Prandaj, ndërtimi i sigurisë së vërtetë fillon nga zemra e besimtarit dhe shtrihet në të gjithë shoqërinë përmes vlerave që promovon Kur’ani.

Në ajetin 126 të sures “El Bekare” përmendet një lutje e mrekullueshme e Profetit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë:

﴿وَإِذۡ قَالَ إِبۡرَٰهِـۧمُ رَبِّ ٱجۡعَلۡ هَٰذَا بَلَدًا ءَامِنٗا وَٱرۡزُقۡ أَهۡلَهُۥ مِنَ ٱلثَّمَرَٰتِ مَنۡ ءَامَنَ مِنۡهُم بِٱللَّهِ وَٱلۡيَوۡمِ ٱلۡأٓخِرِۚ﴾

“Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në Jetën Tjetër!”

Ndërsa në ajetin 35 të sures “Ibrahim” thuhet:


﴿ وَإِذۡ قَالَ إِبۡرَٰهِيمُ رَبِّ ٱجۡعَلۡ هَٰذَا ٱلۡبَلَدَ ءَامِنٗا وَٱجۡنُبۡنِي وَبَنِيَّ أَن نَّعۡبُدَ ٱلۡأَصۡنَامَ ﴾

“(Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!”

Siguria dhe besimi janë ndër begatitë më të mëdha që duhet të kërkohen nga Allahu. Profeti Ibrahim u lut për sigurinë e qytetit, furnizimin e banorëve dhe mbrojtjen nga idhujtaria, duke treguar se qetësia e shoqërisë lidhet ngushtë me besimin e drejtë dhe adhurimin te Allahu. Këto ajete na mësojnë se një shoqëri e sigurt ndërtohet mbi besimin, moralin dhe largimin nga devijimi shpirtëror. Edhe ne duhet të lutemi për një vend të qetë të mbushur me siguri, mirësi, paqë e lumturi.