Dallimet mes mashkullit dhe femrës sipas Kur’anit

Në ajetin 36 të sures “Ali Imran” thuhet:

﴿وَلَيْسَ الذَّكَرُ كَالْأُنثَى﴾

“E mashkulli nuk është si femra.”

Ky ajet është pjesë e ngjarjes së nënës së Merjemes (nënës së Profetit Isa a.s.), e cila u zotua ta përkushtonte fëmijën e saj në shërbim të Allahut. Por kur lindi vajzë, tha me habi e nënshtrim: “Zoti im, unë e linda vajzë, e Allahu e di më mirë se çfarë lindi, dhe mashkulli nuk është si femra.”

Ky pohim se mashkulli nuk është si femra, nuk nënkupton përçmim ndaj femrës, por është një konstalim i dallimeve natyrore dhe funksionale që ekzistojnë mes mashkullit dhe femrës, të cilat janë krijuar nga Allahu me qëllim plotësues, jo konkurrues.

Shkenca moderne nuk bie ndesh me Kur’anin për këtë çështje. Ajo e konfirmon urtësinë e Kur’anit që thotë se: Mashkulli dhe femra nuk janë njësoj në trup dhe natyrë, por janë të barabartë në vlerë, nderim e shpërblim, dhe secili ka një rol të përsosur që e plotëson tjetrin. Feja dhe shkenca pohojnë njëra-tjetrën. Shumë e shumë çështje që Kur’ani i ka përmendur para më shumë se katërmbëdhjetë shekujve, shkenca i ka konfirmuar. Dhe njëra prej tyre është edhe çështja e dallimit mes mashkullit dhe femrës.

Shkenca moderne i pranon në mënyrë të qartë dallimet mes mashkullit dhe femrës që përmend Kur’ani. Thënia e ajetit: “E mashkulli nuk është si femra”, është e konfirmuara në biologji, neurologji dhe psikologji. Edhe shkenca e vërteton se mashkulli dhe femra janë ndërtuar ndryshe për t’u plotësuar, jo për t’u kundërshtuar. Të njëjtën gjë thotë edhe Kur’ani.

Cilat janë dallimet mes mashkullit dhe femrës?

1- Dallime fizike dhe biologjike

Mashkulli ka më shumë forcë fizike dhe është më i prirur për punë që kërkojnë qëndrueshmëri fizike.

Femra ka ndjeshmëri më të lartë, aftësi përkujdesjeje dhe një trup të përgatitur për lindje e ushqyerje, role që lidhen me mëshirën dhe jetën familjare.

2- Dallime në hormonet dhe ndërtimin trupor

Sipas shkencës, mashkulli prodhon më shumë testosteron, që nxit forcën muskulore, agresivitetin e kontrolluar dhe qëndrueshmërinë fizike. Ndërsa femra prodhon më shumë estrogjen dhe progesteron, që ndikojnë në butësi, empati dhe përgatitje për shtatzëni. (Burim: Journal of Endocrinology & Metabolism, 2022.)

3- Dallime në sistemin e trurit dhe ndërlidhjet nervore

Studime të Rezonancave magnetike kanë treguar se truri i femrës ka më shumë lidhje midis hemisferës së majtë dhe të djathtë, që ndihmojnë në shprehje emocionale, ndjeshmëri dhe komunikim.

Ndërsa truri i mashkullit ka më shumë lidhje brenda secilës hemisferë, që ndihmon në zgjidhjen e problemeve dhe fokusin e thellë logjik. (Burim: Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), 2014).

4- Dallime psikologjike dhe emocionale

Femra është më e ndjeshme, më emocionale dhe më e lidhur me ndjenjat.

Mashkulli priret më shumë drejt arsyes dhe vendimmarrjes së ftohtë në situata të caktuara. Pra, sipas Islamit femra është më e butë e më e mëshirshme, ndërsa mashkulli më vendimtar dhe mbrojtës.

 Kjo e bën bashkëpunimin e tyre të domosdoshëm për ekuilibrin e shoqërisë.

5- Dallime në përgjegjësi dhe detyra

Në Islam, secili ka përgjegjësi që përputhen me natyrën e tij. Mashkulli ka detyrë të mbajë përgjegjësi financiare dhe mbrojtëse (në familje dhe shoqëri). Femra ka detyrë të ruajë shtëpinë, të rrisë fëmijët dhe të forcojë jetën shpirtërore e emocionale të familjes.

 Këto janë ndarje të drejtësisë së Krijuesit dhe jo diskriminim.

6- Dallime në ndikim shoqëror

Mashkulli shpesh vepron në fusha publike, drejtim, luftë, tregti etj.Femra, me ndikimin e saj në edukimin e brezave dhe në ndërtimin moral të familjes, ndikon më thellë në themelin shpirtëror të shoqërisë. Ndikimet janë të ndryshme, por të dy kanë peshë të barabartë në vlerë.

7- Dallime në prirjet profesionale dhe instinktive

Femrat kanë më shumë prirje për profesione që lidhen me kujdesin, arsimimin, shëndetin dhe marrëdhëniet njerëzore. Meshkujt priren më shumë drejt inovacionit teknik, konkurrencës dhe mbrojtjes fizike. (Burim: Psychological Science, 2018.)

Kjo tregon se edhe shkenca moderne e nuk mohon dallimin, por kërkon ta respektojë në mënyrë të drejtë e të barabartë.

8- Dallimet në rol dhe funksion shoqëror

Shkenca e zhvillimit njerëzor (developmental psychology) e pranon se fëmijët që rriten me kujdesin emocional të nënës dhe strukturën mbrojtëse të babait, zhvillojnë ekuilibër më të shëndetshëm psikik. (Burim: Journal of Child Psychology and Psychiatry, 2019.)

Eruditi Tabatabai, Autori i tefsijrit “El Mijzan” shpjegon se shprehja “وَلَيْسَ الذَّكَرُ كَالْأُنثَى” “E mashkulli nuk është si femra.” është fjala e nënës së Merjemes, por Kurani e përforcon atë me ton hyjnor, sepse është e vërtetë sipas krijimit.Ai thotë:Mashkulli dhe femra janë të ndryshëm në ndërtim, në aftësi fizike, në natyrë shpirtërore dhe në ndikim shoqëror, por Allahu i ka bërë ata plotësues të njëri-tjetrit.”

Më tej, Tabatabai thotë: Allahu ia mësoi nënës së Merjemes se edhe pse mashkulli nuk është si femra në natyrë, në planin e dritës hyjnore mund të ketë gra që arrijnë shkallë më të lartë se burrat.  Ky ajet është shembull i përputhjes mes dallimit natyror dhe barazisë shpirtërore në Islam.” (Burim: El-Mizan, vëll. 3, fq. 236-238)

Të dashur vëllezër dhe motra!

Ajeti “E mashkulli nuk është si femra” na mëson: të pranojmë me urtësi dallimet e krijimit; të kuptojmë se vlerësimi i Allahut nuk lidhet me gjininë, por me devotshmërinë dhe sinqeritetin; të besojmë se Allahu e nderon atë që është i pastër në qëllim, ashtu siç e nderoi Merjemen përtej çdo mashkulli në kohën e saj. Pra, “nuk është mashkulli si femra” nënkupton ndryshueshmëri në krijim dhe rol, jo pabarazi në vlerë e dinjitet.

Në ajetin 24 të sures “Muhamed” Allahu i Madhëruar thotë:

}أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَى قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا{

“Vallë, a nuk e përsiatin Kur’anin apo i kanë zemrat të kyçura?!”