Pse Kur’ani e ndalon bixhozin?
Në ajetin 219 të sures “Bekare” thuhet:
{يَسْأَلُونَكَ عَنِ الْخَمْرِ وَالْمَيْسِرِ قُلْ فِيهِمَا إِثْمٌ كَبِيرٌ وَمَنَافِعُ لِلنَّاسِ وَإِثْمُهُمَا أَكْبَرُ مِنْ نَفْعِهِمَا …}
“Të pyesin për verën dhe bixhozin. Thuaj: në to ka mëkat të madh dhe disa dobi për njerëzit, por mëkati i tyre është më i madh se dobia.”
Islami ka përcaktuar një rrugë për njeriun në jetesën e tij dhe ajo është rruga e punës dhe e fitimit të lejuar (hallall). Ai ka nxitur tregtinë dhe punën, deri në atë masë sa që është transmetuar se Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij)! ka puthur dorën e një punëtori, duke e konsideruar atë si një dorë që Allahu e do.
Një prej fenomeve shkatërruese dhe një nga mëkatet e mëdha në kohën e sotme, është bërë shumë i përhapur. Dhe ai është bixhozi, i cili gjendet në forma të ndryshme, si: baste sportive, lojëra fati, kazino, lloto etj.
Shumë njerëz e shohin bixhozin si argëtim të padëmshëm. Disa të tjerë e shohin si rrugë të shpejtë për pasuri dhe për t’u pasuruar.
Po Kur’ani çfarë thotë për bixhozin? Përse e ndalon Kur’ani bixhozin?
Kushdo që i lexon me përqëndrim ajetet që flasin për bixhozin do të shohë se Kur’ani e ndalon rreptësisht bixhozin. Për këtë Kur’ani flet qartë dhe pa mëdyshje në ajetin 90 të sures “Maide” në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّمَا الْخَمْرُ وَالْمَيْسِرُ وَالْأَنصَابُ وَالْأَزْلَامُ رِجْسٌ مِّنْ عَمَلِ الشَّيْطَانِ فَاجْتَنِبُوهُ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ﴾
“O ju që besuat! Alkooli, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fatit janë vepra të ndyta prej veprave të shejtanit, andaj largohuni prej tyre që të shpëtoni.”
Në këtë ajet, bixhozi është përmendur me fjalën “el mejsir”, e cila shpreh marrjen e pasurisë së tjerit me lehtësi dhe pa ndonjë përpjekje apo lodhje e mundim. Kur’ani thotë se bixhozi është vepër e ndytë e shejtanit.
Këtu lind pyetja: Pse Kur’ani e ndalon bixhozin?
Kur’ani i Shenjtë ka ardhur për edukimin e njeriut dhe për mbrojtjen e tij. Çdo gjë që e dëmton njeriun, Kur’ani e ka ndaluar përdorimin e saj.
Kur’ani nuk flet vetëm për ndalim, por flet edhe për arsyet e ndalimit. Në ajetin 91 të sures “Maide” thuhet:
{إِنَّمَا يُرِيدُ ٱلشَّيْطَٰنُ أَن يُوقِعَ بَيْنَكُمُ ٱلْعَدَٰوَةَ وَٱلْبَغْضَآءَ فِى ٱلْخَمْرِ وَٱلْمَيْسِرِ وَيَصُدَّكُمْ عَن ذِكْرِ ٱللَّهِ وَعَنِ ٱلصَّلَوٰةِ ۖ فَهَلْ أَنتُم مُّنتَهُونَ}
“Shejtani dëshiron që me alkool dhe bixhoz të fusë armiqësi dhe urrejtje mes jush dhe t’ju largojë nga përmendja e Allahut dhe nga namazi.”
Ky ajet flet qartë për arsyet e ndalimit të bixhozit, dhe është një nga ajetet më të rëndësishme në këtë çështje.
Nga ky ajet, shohim dy arsye kryesore pse bixhozi është i ndaluar:
E para: Fut armiqësi dhe urrejtje mes njerëzve, sepse në bixhoz, dikush humbet dhe dikush fiton në mënyrë të padrejtë, çka sjell zemërim, zili, konflikte dhe ndarje mes njerëzve.
E dyta: Largon nga përmendja e Allahut dhe nga Namazi. Bixhozi, si edhe alkooli, e largon njeriun nga devotshmëria dhe përkushtimi ndaj Allahut. Njeriu bëhet i preokupuar me lojërat e fatit dhe humb lidhjen shpirtërore.
Por ka edhe arsye të tjera që dijetarët i përmendin për ndalimin e bixhozit. Ato janë:
E para: Fitimi në bixhoz është i padrejtë (haram). Nuk bazohet në punë, mund apo shkëmbim real, por në rastësi dhe fat. Islami lejon fitimin vetëm me punë të ndershme dhe marrëveshje të qarta.
E dyta: Bixhozi nxit varësi dhe shkatërrim personal dhe familjar. Shumë njerëz, për shkak të bixhozit, zhyten në borxhe, humbin pasurinë dhe dëmtojnë jetën personale dhe familjare.
E treta: Dëmton shoqërinë. Shpesh bixhozi çon në krime, gënjeshtra, manipulime. Kështu që ai është shkak i përhapjes së krimeve, kaosit dhe të pasigurisë në shoqëri.
E katërta: Bixhozi zbeh përgjegjësinë morale. Kjo do të thotë se bixhozi e mëson njeriun të mbështetet te fati, rastësia dhe jo te përpjekja dhe përkushtimi.
Kur’ani e paraqet bixhozin si një mashtrim, ku përfitimi i vogël fsheh dëmin e madh. Në ajetin 219 të sures “Bekare” thuhet:
{يَسْأَلُونَكَ عَنِ الْخَمْرِ وَالْمَيْسِرِ قُلْ فِيهِمَا إِثْمٌ كَبِيرٌ وَمَنَافِعُ لِلنَّاسِ وَإِثْمُهُمَا أَكْبَرُ مِنْ نَفْعِهِمَا …}
“Të pyesin për verën dhe bixhozin. Thuaj: në to ka mëkat të madh dhe disa dobi për njerëzit, por mëkati i tyre është më i madh se dobia.”
Ky ajet përmban një mesazh shumë të rëndësishëm dhe edukues në lidhje me alkoolin dhe bixhozin.
Edhe nëse alkooli dhe bixhozi kanë ndonjë dobi të kufizuar, dëmet dhe mëkatet që sjellin janë shumë më të mëdha, prandaj duhen shmangur, sepse alkooli turbullon mendjen, sjell mëkate, prish moralin dhe shëndetin. Kurse bixhozi sjell urrejtje, shkatërrim ekonomik, humbje kohe, varësi, padrejtësi dhe shkatërrim të familjes.
Ky ajet jep një mesazh të qartë dhe të matur se edhe nëse një gjë duket e dobishme, nëse ajo sjell më shumë dëme dhe mëkate, nuk është e pranueshme. Ky është një mësim i rëndësishëm në fe dhe në jetë: të mos mashtrohemi nga përfitime të vogla kur rreziku është shumë më i madh.
Për pasojat e dëmeve të bixhozit flet edhe shëndëtësia, e cila i ka ndarë dëmet e bixhozit në dy pjesë:
Dëme individuale: Shkenca e mjekësisë thotë se bixhozi sjell çrregullime mendore dhe psikiatrike, si ankth, depresion; sjell rritje të rrezikut për vetëvrasje dhe sjell probleme në lidhje me gjumin dhe sjell stres kronik.
Dëme shoqërore/familjare: Bixhozi sjell tensione dhe konflikte në marrëdhëniet familjare dhe shoqërore; sjell humbje financiare që çon në varfëri ose në mosmbulimin e shpenzimeve esenciale të jetës në familje; sjell ndikim negative tek fëmijët dhe të afërmit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e trajton bixhozin si një çështje serioze shëndetësore publike, jo thjesht si zakoni i lirë i lojërave.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Besimtari nuk kërkon pasuri me rrugë të shkurtra dhe të ndaluara. Ai e di se rizku është nga Allahu, jo nga fati apo basti. Besimtari punon, duron dhe mbështetet te Allahu.
Bazuar në dëmet e shumta shkatërruese që sjell bixhozi, siç i përmendëm më lart, mësojmë se Kur’ani e ndalon bixhozin sepse shkatërron individin, prish familjen, dëmton shoqërinë dhe e largon njeriun nga Allahu. Prandaj, mesazhi kur’anor është i qartë: Shpëtimi nuk është në fat, por në bindje ndaj Allahut. Pasuria e vërtetë është ajo që fitohet hallall dhe me bereqet.
Sa bukur na porosit Allahu i Madhëruar në ajetin 31 të sures “Nisa” ku thotë:
}إِن تَجْتَنِبُواْ كَبَآئِرَ مَا تُنْهَوْنَ عَنْهُ نُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّـَٔاتِكُمْ وَنُدْخِلْكُم مُّدْخَلًا كَرِيمًا{
“Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.”
Mesazhi i këtij ajeti është shumë i qartë dhe shpresëdhënës. Allahu e lidh faljen e gabimeve të vogla me përpjekjen serioze të njeriut për t’u larguar nga gjynahet e mëdha.
Gjynahet e mëdha, ndër të cilët është edhe bixhozi, janë vijat e kuqe që shkatërrojnë besimin, moralin dhe shoqërinë. Kur njeriu i shmanget me vetëdije dhe vendosmëri këtyre gjynaheve Allahu, me mëshirën e Tij, ia fal gabimet e vogla që janë pjesë e dobësisë njerëzore dhe i premton nderim dhe shpëtim në Jetën Tjetër. Kush i shmanget gjynaheve të mëdha, Allahu ia mbulon dobësitë e vogla dhe e nderon me falje dhe shpëtim.
Islami kërkon: Përgjegjësi morale, përpjekje për të mos rënë në mëkatet shkatërruese, dhe besim në mëshirën e Allahut. Islami dëshiron lumturinë e njeriut në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Ai e ndalon rreptësish çdo gjë që e shkatërron njeriun, familjen dhe shoqërinë.
Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar
