Pse Kur’ani është Libri i jetës?

Në ajetin 9 të sures “El-Isra” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿إِنَّ هَٰذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ﴾

“Vërtet, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe më e drejta.”

            Në vazhdim të rubrikës së përjavshme: Ti pyet Kur’ani përgjigjet, sot dëshiroj të ndalemi te një pyetje shumë e thjeshtë, por jashtëzakonisht e thellë: Pse Kur’ani është Libri i jetës?

            Kur flasim për Kur’anin, nuk flasim thjesht për një libër që lexohet, për një tekst që mësohet përmendësh apo për një shpallje që i përket vetëm një periudhe të caktuar historike. Kur flasim për Kur’anin ne flasim për Fjalën e Allahut, e cila i drejtohet njeriut në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo gjendje të jetës së tij. Kur’ani nuk erdhi vetëm për të na mësuar se si të adhurojmë Zotin, por edhe për të na mësuar se si të jetojmë si njerëz dhe me njerëz.

            Kur’ani na flet për jetën dhe vdekjen, për drejtësinë dhe padrejtësinë, për dashurinë dhe mëshirën, për dijen dhe paditurinë, për përgjegjësinë dhe lirinë, për marrëdhënien e njeriut me Krijuesin, me vetveten dhe me gjithçka që e rrethon.

            Kur’ani nuk kërkon prej njeriut vetëm ta shqiptojë Fjalën e Zotit me gjuhë, por ta kuptojë me mendje, ta përjetojë me zemër dhe ta dëshmojë me vepra. Në ajetin 57 të sures “Junus” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿يَا أَيُّهَا النَّاسُ قَدْ جَاءَتْكُم مَّوْعِظَةٌ مِّن رَّبِّكُمْ وَشِفَاءٌ لِّمَا فِي الصُّدُورِ وَهُدًى وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ﴾

“O njerëz! Ju ka ardhur një këshillë nga Zoti juaj, një shërim për atë që gjendet në kraharorë, një udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.”

            Në këtë ajet fisnik Allahu nuk e paraqet Kur’anin vetëm si një përmbledhje urdhëresash dhe ndalesash, por si këshillë, shërim, udhëzim dhe mëshirë. Kjo na fton të kuptojmë se Kur’ani nuk është një libër i shkëputur nga realiteti njerëzor.

 Kur’ani është libër për jetën, jo vetëm për ceremonitë

            Një nga problemet e mëdha të ymetit islam është se Kur’ani trajtohet në mesin e tij vetëm si libër i bereqetit, që lexohet në raste të veçanta, në varrime apo në ceremoni dhe nuk lejohet të udhëheqë vendimet tona të përditshme. Marrëdhënia e vërtetë me Kur’anin nuk është vetëm leximi i shkronjave të tij, por kuptimi, meditimi dhe zbatimi i mesazhit të tij.

Në ajetin 29 të sures “Sad” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿كِتَابٌ أَنزَلْنَاهُ إِلَيْكَ مُبَارَكٌ لِّيَدَّبَّرُوا آيَاتِهِ﴾

“Ky është një Libër i bekuar që ta kemi zbritur ty, që njerëzit të meditojnë mbi ajetet e tij.”             Sipas këtij ajeti fisnik, qëllimi i Kur’anit është që njeriu të mendojë dhe të ndryshojë jetën e tij.

Kur’ani ndërton njeriun e përsosur

            Është e vërtetë se ndryshimi i shoqërisë fillon nga ndryshimi i njeriut. Kur’ani së pari edukon zemrën. Kur’ani e mëson njeriun të jetë i sinqertë, ta kontrollojë egon dhe dëshirat, të largohet nga padrejtësia, të durojë dhe ketë besim tek Allahu.

Në ajetin 9 të sures “Esh-Shems” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿قَدْ أَفْلَحَ مَن زَكَّاهَا﴾

“Ka shpëtuar ai që e pastroi atë (shpirtin).”
           
Një shoqëri e drejtë nuk ndërtohet vetëm me ligje, por me njerëz të edukuar shpirtërisht. Kur’ani synon të krijojë një njeri që nuk bëhet rob i epsheve, pasurisë apo pushtetit, por të bëhet rob i Allahut.

Kur’ani është udhëzues për familjen dhe moralin

Një nga fushat ku Kur’ani udhëzon në atë që është më e mira është familja dhe morali. Sot shumë shoqëri përballen me dobësimin e familjes, humbjen e vlerave dhe krizën morale. Kur’ani sjell një model tjetër. Ai kërkon dashuri mes bashkëshortëve, respekt ndaj prindërve, edukim të drejtë të fëmijëve dhe përgjegjësi sociale.

Në ajetin 21 të sures “Err-Rrum” Allahu thotë:

﴿وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً﴾

“Dhe nga shenjat e Tij është se Ai krijoi për ju bashkëshorte nga vetja juaj, që të gjeni qetësi tek ato, dhe vendosi mes jush dashuri dhe mëshirë.”
Kur’ani nuk është larg jetës familjare, përkundrazi ai është udhëzuesi më i mirë i saj. sikur të zbatohej ky ajet në familjet tona nuk do të gjendej dhuna në familje.

Kur’ani udhëzon në ndërtimin e shoqërisë së drejtë

Kur’ani i Shenjtë ka edhe dimension shoqëror. Ai kërkon drejtësi, luftë kundër padrejtësisë, mbrojtjen e të shtypurve dhe përgjegjësi ndaj të tjerëve. Në ajetin 90 të sures “En-Nahl”Allahu thotë:

﴿إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالإِحْسَانِ﴾

“Allahu urdhëron drejtësinë dhe mirëbërje.”

            Një shoqëri kur’anore nuk është ajo ku njerëzit vetëm lexojnë Kur’anin, por është ajo ku parimet e Kur’anit shihen në sjellje, në drejtësi, në tregti, në marrëdhënie dhe në respektin për të drejtat e njerëzve.

Të rinjtë dhe lidhja e tyre me Kur’anin

            Duhet që të rinjtë të jenë të lidhur me Kur’anin. Rinia është periudha kur ndërtohet identiteti. Nëse zemra e të riut mbushet me dritën e Kur’anit, ai bëhet forcë për të mirën.

Allahu thotë për të rinjtë e shpellës:

﴿إِنَّهُمْ فِتْيَةٌ آمَنُوا بِرَبِّهِمْ وَزِدْنَاهُمْ هُدًى﴾

“Ata ishin disa të rinj që besuan në Zotin e tyre dhe Ne ua shtuam udhëzimin.” (Sure “El-Kehf”, 13)

Kur’ani krijon të rinj me besim, vetëdije dhe përgjegjësi.

Si të jetojmë me Kur’anin?

Nëse Kur’ani është libri i jetës, atëherë duhet të kemi një marrëdhënie të gjallë me të.

Së pari: Ta lexojmë çdo ditë, qoftë edhe një ajet.

Së dyti: Të mendojmë mbi kuptimin e ajeteve.

Së treti: Ta zbatojmë në sjelljen tonë.

Së katërti: T’ua mësojmë edhe të tjerëve, sidomos fëmijëve tanë.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi tëdhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që mëson Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve.”

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Kur’ani është më shumë se një libër që vendoset në raft. Ai është mesazhi i Allahut për njeriun. Ai është drita në errësirë, udhëzimi në konfuzion dhe shërimi i zemrave. Ringjallja e ymetit fillon me ringjalljen e marrëdhënies me Kur’anin.

            Nëse duam familje më të fortë, shoqëri më të drejtë, zemra më të pastra dhe një jetë të begatë dhe më afër Allahut, duhet të kthehemi tek Kur’ani jo vetëm me gjuhë, por me zemër dhe me vepra.

            Kur Allahu i Madhëruar ia zbriti Kur’anin Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), nuk ia zbriti vetëm që njerëzit ta lexojnë me zë të bukur apo ta vendosnin në shtëpitë e tyre si një simbol të shenjtë. Kur’ani zbriti që të jetë udhërrëfyes i jetës, dritë për zemrat, program për njeriun dhe themel për ndërtimin e një shoqërie të drejtë.

            Prandaj, kur themi se Kur’ani është Libri i Jetës, duhet t’i shtrojmë vetes një pyetje themelore: A e lexojmë Kur’anin vetëm për të përmbushur një detyrim fetar, apo e lexojmë për të kuptuar jetën, për të njohur vetveten dhe për t’iu afruar Allahut?

            Pikërisht mbi këtë pyetje të ndërtojmë reflektimin tonë të sotëm. Të mendojmë se si ta kalojmë Kur’anin nga faqet e librit në zemrën tonë dhe nga zemra në veprat e jetës së përditshme. Sepse Kur’ani nuk është vetëm një Libër që duhet lexuar gjatë jetës, ai është një Libër, me udhëzimin e të cilit duhet jetuar.

            Kur’ani është “Libri i jetës”, sepse ai nuk trajton vetëm adhurimin e individit, por ndërton njeriun, familjen, shoqërinë, kulturën dhe qytetërimin.

            Kur’ani është Libri i Jetës, sepse ai nuk i drejtohet vetëm besimit të njeriut, por edhe mendjes, zemrës, ndërgjegjes dhe veprave të tij.

            Kur’ani nuk na mëson vetëm si t’i lutemi Zotit, por edhe si ta duam njeriun, si të mbrojmë drejtësinë, si të kultivojmë mëshirën dhe si t’i japim kuptim ekzistencës sonë.

            Vlera e Kur’anit në jetën tonë nuk qëndron vetëm në atë se sa e lexojmë, por qëndron edhe në atë se sa e kuptojmë dhe sa e zbatojmë mesazhin e tij. Kështu që, le të mos mbetet Kur’ani vetëm në faqet e një libri, por le të bëhet dritë në mendjen tonë, pastërti në zemrat tona dhe drejtësi në veprimet tona.

            Kur’ani është Libri i jetës sepse na mëson jo vetëm si të besojmë, por mbi të gjitha, si të jetojmë me dinjitet, përgjegjësi dhe vetëdije.

            Le t’i lutemi Allahut që të bëjë prej atyre që e lexojnë Kur’anin, e kuptojnë atë dhe jetojnë sipas Kur’anit! Allahu na bëftë Kur’anin dritë për zemrat tona dhe udhëzim për jetën tonë!

Allahu na bëftë prej atyre që jo vetëm e lexojnë Fjalën e Tij, por e kuptojnë, e përjetojnë dhe e dëshmojnë atë me jetën e tyre!