Pse na sprovon Allahu?

            Në vazhdim të rubrikës: Ti pyet Kur’ani përgjigjet, sot dëshiroj të ndalemi tek një pyetje që lind te çdo njeriu. Ajo pyetje është: Pse na sprovon Allahu?

            Përse njeriu i mirë përballet me vuajtje? Përse besimtari që lutet, që falet dhe që përpiqet të jetojë me ndershmëri, ndonjëherë goditet nga sëmundja, varfëria, humbja apo fatkeqësia? Përse Allahu, i Cili është Mëshiruesi më i Madh, lejon që robi i Tij të kalojë nëpër vështirësi?

Përgjigjen nuk duhet ta kërkojmë vetëm në mendimet tona, por në fjalën e Allahut, në Kur’anin Shenjtë, për të cilin Allahu na thotë se është sqaruar për çdo gjë.

1- Kur’ani thotë se jeta në këtë botë është vend sprove, jo vend shpërblimi përfundimtar

Në ajetin 2 të sures “El-Mulk” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ الَّذِي خَلَقَ الْمَوْتَ وَالْحَيَاةَ لِيَبْلُوَكُمْ أَيُّكُمْ أَحْسَنُ عَمَلًا ۚ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْغَفُورُ﴾

“Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju sprovuar se cili prej jush është më i mirë në vepra. Ai është i Plotfuqishmi, Falësi.”

            Ky ajet fisnik na mëson një të vërtetë themelore se jeta e kësaj bote nuk është krijuar vetëm për kënaqësi dhe rehati, por edhe për provimin e njeriut. Në këtë ajet Allahu nuk thotë se na krijoi për të parë kush do të ketë më shumë pasuri, më shumë pushtet apo më shumë vite jetë. Ai thotë: “Cili prej jush është më i mirë në vepra.”

            Pra, vlera e njeriut nuk matet me atë që zotëron, por me atë që bën; nuk matet me lehtësinë e jetës së tij, por me drejtësinë, besimin dhe veprat e tij. Një njeri mund të jetë i pasur, por mund të jetë larg Allahut. Një njeri tjetër mund të jetë i varfër, por zemra e tij mund të jetë e mbushur me dritën e besimit.

            Prandaj sprova nuk është domosdoshmërisht shenjë e zemërimit të Allahut, ashtu sikurse begatia materiale nuk është domosdoshmërisht shenjë e kënaqësisë së Allahut.

2- Kur’ani thotë se sprova e nxjerr në pah sinqeritetin e besimit

Në suren “El-Ankebut”, ajetet 2–3, Allahu thotë:

أَحَسِبَ ٱلنَّاسُ أَن يُتۡرَكُوٓاْ أَن يَقُولُوٓاْ ءَامَنَّا وَهُمۡ لَا يُفۡتَنُونَ (2) وَلَقَدۡ فَتَنَّا ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِهِمۡۖ فَلَيَعۡلَمَنَّ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ صَدَقُواْ وَلَيَعۡلَمَنَّ ٱلۡكَٰذِبِينَ (3)

“A menduan njerëzit se do të lihen të thonë: ‘Ne besuam’, pa u sprovuar? Ne i sprovuam edhe ata që ishin para tyre. Allahu do t’i nxjerrë në pah ata që janë të sinqertë dhe ata që janë gënjeshtarë.”

            Është e lehtë të thuash: “Unë besoj”, kur gjithçka shkon mirë. Është e lehtë të falënderosh kur je i shëndetshëm, kur familja është mirë dhe kur tryeza është plot.

            Por çfarë ndodh me besimin tonë kur vjen sëmundja? Kur humbasim një njeri të dashur? Kur përballemi me padrejtësi ose kur dyert e jetesës na duken të mbyllura?

            Pikërisht në këto çaste besimi ynë përballet me provën e tij. Jo sepse Allahu nuk e di çfarë kemi në zemër. Allahu është i Gjithëdijshëm. Por përmes sprovës, ajo që është e fshehur brenda nesh shfaqet në qëndrimet dhe veprat tona. Sprova na bën të njohim më mirë edhe vetveten se a kemi durim? A kemi besim të vërtetë? A jemi të drejtë edhe kur na bëhet padrejtësi?

            Besimi nuk është vetëm një fjalë që shqiptohet me gjuhë, por një dritë që duhet të shfaqet në veprat e njeriut.

3- Kur’ani thotë se Allahu na sprovon edhe me të mirat, jo vetëm me fatkeqësitë

Në suren “El-Enbija”, ajeti 35, Allahu thotë:

﴿ … ۗ وَنَبْلُوكُم بِالشَّرِّ وَالْخَيْرِ فِتْنَةً ۖ وَإِلَيْنَا تُرْجَعُونَ﴾

“…Ne ju sprovojmë me të keqen dhe me të mirën, si provë, dhe te Ne do të ktheheni.”

            Sa i thellë është ky ajet! Ne zakonisht mendojmë se sprova është vetëm sëmundja, varfëria apo fatkeqësia. Por Kur’ani na mëson se edhe pasuria është sprovë. Edhe shëndeti është sprovë. Edhe pushteti, bukuria, rinia dhe dituria janë sprova.

            I varfri sprovohet me durimin, ndërsa i pasuri me bujarinë. I sëmuri sprovohet me qëndrueshmërinë, ndërsa i shëndetshmi me mirënjohjen. Ai që ka pushtet sprovohet me drejtësinë, ndërsa ai që ka dije sprovohet me përulësinë.

Prandaj nuk duhet të pyesim vetëm: “Përse më erdhi kjo fatkeqësi?” Duhet të pyesim edhe: “Si po i përdor të mirat që Allahu më ka dhënë?” Sepse njeriu mund ta kalojë sprovën e varfërisë me durim, por të dështojë në sprovën e pasurisë për shkak të mendjemadhësisë.

4- Kur’ani thotë se sprova është mundësi për durim dhe afrim tek Allahu

Në suren “El-Bekare”, ajetet 155–157 Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَنَبۡلُوَنَّكُم بِشَيۡءٖ مِّنَ ٱلۡخَوۡفِ وَٱلۡجُوعِ وَنَقۡصٖ مِّنَ ٱلۡأَمۡوَٰلِ وَٱلۡأَنفُسِ وَٱلثَّمَرَٰتِۗ وَبَشِّرِ ٱلصَّٰبِرِينَ (155) ٱلَّذِينَ إِذَآ أَصَٰبَتۡهُم مُّصِيبَةٞ قَالُوٓاْ إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّآ إِلَيۡهِ رَٰجِعُونَ (156) أُوْلَٰٓئِكَ عَلَيۡهِمۡ صَلَوَٰتٞ مِّن رَّبِّهِمۡ وَرَحۡمَةٞۖ وَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡمُهۡتَدُونَ

“Ne patjetër do t’ju sprovojmë me diçka nga frika, uria, humbja e pasurisë, e jetëve dhe e fryteve. Por përgëzoji durimtarët! Ata që, kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: ‘Vërtet, ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.’ Mbi të tillët janë bekimet dhe mëshira e Zotit të tyre, dhe ata janë të udhëzuarit.”

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Allahu nuk thotë se besimtarët nuk do të vuajnë. Përkundrazi, Ai na paralajmëron se sprovat janë pjesë e jetës. Por menjëherë pas përmendjes së sprovave, Allahu thotë: “Përgëzoji durimtarët!” Përse? Sepse durimi nuk është dobësi. Durimi është forcë shpirtërore. Durimi nuk do të thotë të mos qash kur humbet një të dashur. Nuk do të thotë të mos ndiesh dhimbje kur je i sëmurë. Durimi do të thotë që dhimbja të mos ta shkatërrojë besimin, që fatkeqësia të mos të të largojë nga drejtësia dhe që dëshpërimi të mos ta mbyllë derën e shpresës.

            Besimtari mund të qajë, por nuk e humbet shpresën tek Allahu. Mund të rrëzohet, por përpiqet të ngrihet. Mund të mos e kuptojë arsyen e vuajtjes së tij, por vazhdon t’i drejtohet Zotit me lutje. Në këtë mënyrë, sprova mund të bëhet shkak i afrimit shpirtëror me Allahun.

5- Kur’ani thotë se nuk duhet ta gjykojmë njeriun e sprovuar

            Kur shohim një njeri të vuajtur, të sëmurë ose të varfër, nuk duhet të nxitojmë e të themi se Allahu po e ndëshkon. Allahu na tërheq vëmendjen në suren El-Fexhr, ajetet 15–16, ku përshkruan njeriun që, kur begatohet, mendon se Zoti e ka nderuar, ndërsa kur i kufizohet furnizimi, mendon se Zoti e ka poshtëruar. Pastaj Kur’ani e kundërshton këtë mënyrë të gjykuari.

            Kështu mësojmë se pasuria dhe varfëria nuk janë matës të thjeshtë të vlerës së njeriut para Allahut. Ne nuk e dimë gjithmonë urtësinë që qëndron pas një fatkeqësie. Prandaj detyra jonë nuk është ta gjykojmë të sprovuarin, por ta ndihmojmë.

            Kur shohim një të sëmurë, duhet ta vizitojmë dhe ta ngushëllojmë. Kur shohim një të varfër, duhet ta ndihmojmë. Kur shohim një familje në fatkeqësi, duhet të jemi pranë saj. Sepse edhe ne sprovohemi nëpërmjet vuajtjes së tjetrit. Dhe sprova këtu është se:  A do të tregojmë mëshirë apo indiferencë?

6- Allahu nuk na fton në dëshpërim, por në shpresë

Në suren “Esh-Sherh”, ajetet 5–6, Allahu i Madhëruar thotë:

فَإِنَّ مَعَ ٱلۡعُسۡرِ يُسۡرًا (5) إِنَّ مَعَ ٱلۡعُسۡرِ يُسۡرٗا (6)

“Vërtet, me vështirësinë vjen lehtësimi. Vërtet, me vështirësinë vjen lehtësimi.”

            Në këtë sure herë përsëritet dy ky mesazh i Allahut, i cili është burim shprese për çdo zemër të rënduar.

            Njeriu mund të mendojë se nata e vuajtjes nuk do të përfundojë kurrë. Por Kur’ani na kujton se vështirësia nuk është e vetmja e vërtetë e jetës. Krahas saj ekziston edhe mundësia e lehtësimit.

            Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo problem do të zgjidhet menjëherë ose saktësisht ashtu siç dëshirojmë ne. Ndonjëherë lehtësimi vjen me ndryshimin e rrethanave. Ndonjëherë vjen me ndihmën e njerëzve. Ndonjëherë vjen me forcën dhe qetësinë që Allahu vendos në zemrën tonë.

            Prandaj besimtari nuk duhet të dorëzohet. Ai lutet, punon, kërkon zgjidhje, kërkon ndihmë dhe mbështetet tek Allahu. Besimi dhe përpjekja nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin; ato duhet të ecin së bashku.

7- Kur’ani thotë se shpërblimi i durimit në sprovë  është i madh

Në suren “Ez-Zumer”, ajeti 10 Allahu thotë:

﴿ … إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُم بِغَيْرِ حِسَابٍ﴾

“…Vërtet, durimtarëve do t’u jepet shpërblimi i tyre pa masë.”

            Çfarë premtimi madhështor! Njeriu mund të mos e shohë sot frytin e durimit të tij. Mund të ketë kaluar vite duke u përballur me vështirësi që të tjerët as nuk i njohin.

            Por asnjë vepër e mirë, asnjë përpjekje e sinqertë dhe asnjë durim për hir të Allahut nuk është i pavlerë përpara Tij.

            Kjo është arsyeja përse besimtari nuk e mat jetën vetëm me atë që fiton në këtë botë. Ai e di se ekziston edhe jeta e amshuar, ku drejtësia hyjnore do të shfaqet plotësisht.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Duhet të jemi të vetëdijshëm se Allahu nuk na ka premtuar një jetë pa sprova, por na ka mësuar si të jetojmë me besim, durim dhe shpresë përmes tyre.

            Kur të na vijë një sprovë, të mos nxitojmë të mendojmë se Allahu na ka braktisur. Por, të pyesim veten: Çfarë mund të mësoj prej kësaj gjendjeje? Si mund ta ruaj besimin? Si mund të veproj me drejtësi? Si mund të afrohem më shumë tek Allahu?

            Dhe, kur të na vijë begatia, të mos harrojmë se edhe ajo është sprovë dhe përgjegjësi.

            Prandaj, le të jemi falënderues në mirësi, durimtarë në vështirësi dhe të mëshirshëm ndaj atyre që vuajnë. Sepse vlera e besimtarit nuk qëndron në faktin se ai nuk sprovohet, por në mënyrën se si përpiqet t’u përgjigjet sprovave.

            Të jemi të lidhur gjithmonë me Allahun dhe t’i lutemi Atij e të themi:  O Allah, o Mëshiruesi i mëshiruesve! Na dhuro durim kur zemrat tona rëndohen nga sprovat! Na dhuro mirënjohje kur na begaton me të mirat e Tua! Mos lejo që vuajtja të na largojë nga mëshira Jote dhe as pasuria të na bëjë mendjemëdhenj! O Allah, shëroji të sëmurët, ngushëlloji të pikëlluarit, ndihmoi të varfrit dhe lehtësoja barrën e atyre që po kalojnë ditë të vështira! O Allah! Na bëj prej atyre që në çdo gjendje të kujtojnë, të falënderojnë dhe kërkojnë kënaqësinë Tënde!

Me bereqetin e Profetit Muhammed Mustafasë dhe të Ehli Bejtit të tij të pastër, na i forco zemrat në rrugën e besimit! O Zot i botëve!