Pse thotë Kur’ani se namazi është obligim?
Një nga obligimet më të rëndësishme që Allahu i Madhëruar ia ka caktuar njeriut është namazi.
Në vazhdim të rubrikës: “Ti pyet Kur’ani përgjigjet”, sot dëshirojmë të ndalemi te një pyetje që meriton të mendohet thellë: Pse thotë Kur’ani se namazi është obligim?
Allahu nuk e ka obliguar namazin sepse ka nevojë për adhurimin tonë, por sepse ne kemi nevojë për lidhjen me Të. Namazi është rruga e përkujtimit të Allahut, pastrimit të shpirtit, edukimit moral dhe shpëtimit në këtë botë dhe në Ahiret.
Pse duhet të falemi pesë herë në ditë? Pse duhet ta ndërpresim punën, tregtinë, pushimin dhe angazhimet tona për t’u drejtuar nga Allahu? A ka nevojë Allahu për namazin tonë? A përfiton diçka Allahu nga sexhdet tona? Sigurisht që jo! Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për asgjë nga krijesat e Tij. Në ajetin 15 të sures “Fatir” Kur’ani thotë:
﴿يَا أَيُّهَا النَّاسُ أَنتُمُ الْفُقَرَاءُ إِلَى اللَّهِ ۖ وَاللَّهُ هُوَ الْغَنِيُّ الْحَمِيدُ﴾
“O njerëz! Ju jeni nevojtarë për Allahun, ndërsa Allahu është i Vetëmjaftueshmi, i Denji për çdo lavdërim.”
Pra, Allahu nuk ka nevojë për namazin tonë. Jemi ne ata që kemi nevojë për namazin. Ashtu siç trupi ka nevojë për ushqim, ujë dhe ajër, edhe shpirti ka nevojë për ushqimin e tij. Dhe një nga ushqimet më të rëndësishme të shpirtit është namazi.
Le të shohim se si Kur’ani na i shpjegon qëllimet e obligimit të namazit.
1- Sipas Kur’anit, namazi është obliguar për ta përkujtuar Allahun
Në ajetin 14 të sures “Ta Ha” Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit Musa (Paqja qoftë mbi të!) duke i thënë:
﴿إِنَّنِي أَنَا اللَّهُ لَا إِلَٰهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدْنِي وَأَقِمِ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي﴾
“Vërtet, Unë jam Allahu! Nuk ka zot tjetër përveç Meje. Prandaj, më adhuro Mua dhe fale namazin për të më përkujtuar Mua!”
Ky ajet na zbulon një nga qëllimet themelore të namazit. Allahu thotë: “Fale namazin për të më përkujtuar Mua!”
Njeriu gjatë ditës merret me shumë gjëra. Ai mendon për punën, familjen, pasurinë, problemet, të ardhmen dhe shqetësimet e jetës. Në këtë angazhim të vazhdueshëm ekziston rreziku që njeriu ta harrojë Krijuesin e tij. Prandaj Allahu e ka obliguar namazin në kohë të caktuara.
Namazi vjen si një thirrje e shenjtë që i thotë njeriut: Ndalo për një çast! Mos harro se kush të krijoi. Mos harro se kush të furnizon. Mos harro se te Cili do të kthehesh.
Kur besimtari thotë “Allahu Ekber”, ai dëshmon se Allahu është më i madh se çdo shqetësim, interes dhe angazhim i kësaj bote. Prandaj namazi nuk është thjesht një lëvizje e trupit, por një kthim i zemrës drejt Allahut.
2- Sipas Kur’anit namazi është obliguar për ta larguar njeriun nga mëkatet
Në ajetin 45 të sures “El-Ankebut” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿اتْلُ مَا أُوحِيَ إِلَيْكَ مِنَ الْكِتَابِ وَأَقِمِ الصَّلَاةَ ۖ إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ ۗ وَلَذِكْرُ اللَّهِ أَكْبَرُ ۗ وَاللَّهُ يَعْلَمُ مَا تَصْنَعُونَ﴾
“Lexo atë që të është shpallur prej Librit dhe fale namazin! Vërtet, namazi të largon nga veprat e turpshme dhe nga të këqijat. Përkujtimi i Allahut është më i madhi. Allahu e di atë që veproni.”
Ky ajet na mëson se namazi ka një rol edukues dhe moral. Namazi nuk është vetëm një marrëdhënie ndërmjet njeriut dhe Allahut, por duhet të ndikojë edhe në marrëdhëniet e njeriut me njerëzit.
Ai që falet duhet të përpiqet të jetë më i ndershëm, më i drejtë, më i durueshëm dhe më i mëshirshëm. E përse duhet të jetë i tillë? Sepse njeriu që qëndron para Allahut pesë herë në ditë duhet të kujtojë se Allahu e sheh edhe jashtë namazit.
Nuk është e drejtë që njeriu të qëndrojë në sexhde para Allahut dhe më pas t’u bëjë padrejtësi njerëzve.
Nuk është e drejtë që gjuha të lexojë Kur’an në namaz dhe pastaj të përdoret për gënjeshtra, përgojime dhe fyerje.
Këtu lind një pyetje: Përse disa njerëz falen, por vazhdojnë të bëjnë mëkate?
Kjo ndodh sepse namazi mund të kryhet me trup, ndërkohë që zemra nuk është e pranishme në kur falet namazi.
Ndikimi moral i namazit kërkon përkushtim, vetëdije dhe përpjekje për t’i zbatuar mësimet e tij.
Në ajetet 4-5 të sures “El-Maun” Kur’ani na tërheq vëmendjen e na thotë:
﴿فَوَيْلٌ لِّلْمُصَلِّينَ الَّذِينَ هُمْ عَن صَلَاتِهِمْ سَاهُونَ﴾
“Mjerë për ata që falen, por që janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre!”
Kjo na mëson se nuk mjafton vetëm forma e jashtme e namazit. Duhet të kujdesemi edhe për përmbajtjen dhe ndikimin e tij në jetën tonë.
3- Sipas Kur’anit namazi është obliguar për pastrimin shpirtëror të njeriut
Në ajetet 14-15 të sures “El-A’la” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿قَدْ أَفْلَحَ مَن تَزَكَّىٰ وَذَكَرَ اسْمَ رَبِّهِ فَصَلَّىٰ﴾
“Ka shpëtuar ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të tij dhe falet.”
Në këto ajete përmenden tri çështje të rëndësishme: Pastrimi i vetvetes. Përkujtimi i Allahut. Falja e namazit.
Njeriu nuk ndotet vetëm nga papastërtitë fizike. Zemra e tij mund të ndotet nga mendjemadhësia, zilia, urrejtja, lakmia dhe egoizmi. Namazi është një nga mjetet më të rëndësishme për edukimin dhe pastrimin e zemrës.
Mendoni për sexhden! Kur njeriu e vendos ballin në tokë, ai shpreh përulësinë më të madhe para Allahut. Në atë çast ai pranon se, pavarësisht pasurisë, pozitës, diturisë apo fuqisë që zotëron, mbetet një rob i Allahut.
Në sexhde nuk ka dallim ndërmjet të pasurit dhe të varfrit. Nuk ka dallim ndërmjet sundimtarit dhe njeriut të zakonshëm. Të gjithë janë robër të të njëjtit Zot. Prandaj sexhdja e sinqertë e edukon njeriun me përulësi dhe e ndihmon të luftojë mendjemadhësinë. Kështu që, namazi është një shkollë e pastrimit shpirtëror, ku njeriu mëson përulësinë, sinqeritetin dhe nënshtrimin ndaj Allahut.
4- Namazi është obliguar që njeriu të kërkojë ndihmë nga Allahu
Në ajetin 153 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اسْتَعِينُوا بِالصَّبْرِ وَالصَّلَاةِ ۚ إِنَّ اللَّهَ مَعَ الصَّابِرِينَ﴾
“O ju që keni besuar! Kërkoni ndihmë përmes durimit dhe namazit. Vërtet, Allahu është me durimtarët.”
Jeta e njeriut nuk është gjithmonë e lehtë. Ka momente kur njeriu përballet me sëmundje, varfëri, padrejtësi, humbje dhe shqetësime familjare. Në këto momente ai ka nevojë për një mbështetje të fortë shpirtërore. Kur’ani na mëson se një nga rrugët për të kërkuar ndihmën e Allahut është namazi.
Kur njeriu qëndron para Allahut, ai kujton se nuk është i vetëm në këtë botë. Ai ka një Zot që e dëgjon, e njeh gjendjen e tij dhe është i fuqishëm mbi çdo gjë. Prandaj, kur jeta të bëhet e vështirë, mos u largo nga namazi. Përkundrazi, afrohu edhe më shumë me Allahun. Namazi është një burim mbështetjeje shpirtërore dhe një rrugë për të kërkuar ndihmën e Allahut në vështirësitë e jetës.
5- Sipas Kur’anit namazi është obliguar për ta edukuar njeriun me disiplinë dhe përgjegjësi
Në ajetin 103 të sures “En-Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ الصَّلَاةَ كَانَتْ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ كِتَابًا مَّوْقُوتًا﴾
“Vërtet, namazi është obligim për besimtarët në kohë të caktuara.”
Lind pyetja: Përse namazi ka kohë të caktuara? Sepse besimi nuk duhet të mbetet vetëm një ndjenjë në zemër, por duhet të shfaqet edhe në organizimin e jetës.
Namazi e mëson njeriun të respektojë kohën. Ai e mëson të jetë i përgjegjshëm ndaj detyrimeve të tij. Ai e mëson që të mos i nënshtrohet plotësisht ritmit të kësaj bote. Një njeri që e organizon jetën e tij rreth namazit, mëson se koha është një amanet nga Allahu.
Namazi i sabahut na mëson ta fillojmë ditën me përkujtimin e Allahut. Namazet gjatë ditës na kujtojnë të mos humbasim në angazhimet e kësaj bote. Ndërsa namazet e mbrëmjes na ftojnë ta përfundojmë ditën duke u kthyer te Krijuesi ynë. Namazi është obliguar edhe për ta edukuar besimtarin me disiplinë, përgjegjësi dhe respekt ndaj kohës.
Sipas Kur’anit namazi është një nga rrugët e shpëtimit në Botën Tjetër
Në fillim të sures El-Mu’minun, Allahu i Madhëruar thotë:
﴿قَدْ أَفْلَحَ الْمُؤْمِنُونَ الَّذِينَ هُمْ فِي صَلَاتِهِمْ خَاشِعُونَ﴾
“Me të vërtetë, kanë shpëtuar besimtarët, ata që janë të përulur në namazin e tyre.”
Në këto ajete Allahu nuk thotë vetëm se kanë shpëtuar ata që falen, por thotë: “Ata që janë të përulur në namazin e tyre.” Kjo do të thotë se namazi duhet të shoqërohet me përulësi, vetëdije dhe respekt ndaj Allahut.
Në fund të përshkrimit të cilësive të besimtarëve, nga ajeti 9 deri te ajeti 11 Allahu thotë:
﴿وَالَّذِينَ هُمْ عَلَىٰ صَلَوَاتِهِمْ يُحَافِظُونَ أُولَٰئِكَ هُمُ الْوَارِثُونَ الَّذِينَ يَرِثُونَ الْفِرْدَوْسَ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ﴾
“Dhe ata që i ruajnë namazet e tyre. Pikërisht ata janë trashëgimtarët, të cilët do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.”
Këto ajete na tregojnë se namazi nuk është vetëm një obligim i përditshëm, por një pjesë thelbësore e rrugës së besimtarit drejt shpëtimit të përjetshëm.
Çfarë na mëson Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) për rëndësinë e namazit?
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), në porositë e tij të fundit, ka thënë: “Për hir të Allahut, për hir të Allahut, kujdesuni për namazin! Sepse ai është shtylla e fesë suaj.” (“Nehxhul Belaga”, letra nr. 47.
Kjo porosi e imam Aliut na mëson se namazi nuk është një çështje dytësore në jetën fetare. Ai është një nga shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet marrëdhënia e besimtarit me Allahun.
Një shtëpi nuk mund të qëndrojë e fortë nëse i dobësohen shtyllat. Po kështu, edhe jeta shpirtërore e besimtarit dobësohet kur ai e neglizhon namazin. Prandaj duhet të kujdesemi jo vetëm që ta falim namazin, por edhe që ta falim me përkushtim dhe vetëdije.
Çfarë kërkon Allahu prej nesh përmes namazit?
Të dashur vëllezër dhe motra!
Nga ajetet që përmendëm kuptuam se Allahu e ka obliguar namazin për qëllime të mëdha. Namazi na mëson ta përkujtojmë Allahun, të largohemi nga mëkatet, të pastrojmë zemrat tona, të kërkojmë ndihmën e Tij, të respektojmë kohën dhe të përgatitemi për jetën e përtejme. Namazi është obliguar që njeriu të mos e humbasë lidhjen me Krijuesin e tij.
Prandaj, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është vetëm: A e falim namazin? Por edhe të pyesim: A po na ndryshon namazi? A po bëhemi më të mirë pas çdo namazi? A po largohemi nga mëkatet? A po bëhemi më të drejtë me njerëzit? A po forcohet lidhja jonë me Allahun? Sepse qëllimi i namazit nuk është vetëm që njeriu të qëndrojë para Allahut për disa minuta, por që përkujtimi i Allahut ta shoqërojë edhe pas përfundimit të namazit.
Namazi nuk është një barrë që Allahu ia ka vendosur njeriut, por një mëshirë dhe një udhëzim për shpirtin e tij.
Allahu nuk ka nevojë për namazin tone. Ne kemi nevojë për të. Namazi na kujton prej nga kemi ardhur, përse jetojmë dhe ku do të kthehemi. Namazi i vërtetë nuk përfundon me selamin. Ndikimi i tij duhet të vazhdojë në sjelljen, fjalët dhe veprat tona.
Le ta përfundojmë këtë temë me lutjen e Profetit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!), e cila përmendet në ajetin 40 të sures “Ibrahim”:
﴿رَبِّ اجْعَلْنِي مُقِيمَ الصَّلَاةِ وَمِن ذُرِّيَّتِي ۚ رَبَّنَا وَتَقَبَّلْ دُعَاءِ﴾
“O Zoti im! Më bëj mua prej atyre që e falin rregullisht namazin, si edhe pasardhësit e mi! O Zoti ynë, pranoje lutjen time!”
Gjithashtu të lutemi e të themi: O Allah! Na bëj prej atyre që e ruajnë namazin, që e falin me përulësi dhe që përmes tij i afrohen më shumë mëshirës Tënde. Na i pastro zemrat nga pakujdesia, na i fal mëkatet dhe na bëj prej atyre që namazi i largon nga e keqja dhe i udhëzon drejt së mirës. Amin, o Zot i botëve!
