Kur’ani i Shenjtë na tregon se Dita e Gjykimit do të jetë një ditë e jashtëzakonshme, një ditë kur do të ndryshojë gjithçka që njohim: toka do të tronditet, qielli do të çahet, malet do të shpërbëhen, njerëzit do të ringjallen dhe çdo njeri do të përballet me veprat e veta.

            Sot jetojmë në një botë ku shumë gjëra mund të fshihen nga sytë e njerëzve. Mund të fshehim një fjalë, një veprim, një qëllim apo një mëkat. Pyetja që na drejton Kur’ani është: Çfarë do të ndodhë në Ditën kur asgjë nuk mund të fshihet?

1- Si do të fillojë ajo Ditë?

Në ajetet 1-3 të sures “Ez-Zelzeleh” Kur’ani thotë:

﴿إِذَا زُلْزِلَتِ الْأَرْضُ زِلْزَالَهَا ۝ وَأَخْرَجَتِ الْأَرْضُ أَثْقَالَهَا ۝ وَقَالَ الْإِنسَانُ مَا لَهَا﴾

“Kur Toka të dridhet me dridhjen e saj, kur Toka të nxjerrë barrët e saj dhe njeriu të thotë: ‘Çfarë ka ajo?’”

            Ajo nuk do të jetë një ditë e zakonshme. Toka mbi të cilën kemi ecur, ndërtuar, jetuar dhe mbi të cilën kemi bërë të mira e të këqija, do të dëshmojë atë që ka ndodhur mbi të.

Po në suren “Ez-Zelzeleh”, ajetet 4 dhe 5, Kur’ani vazhdon e thorë: 

﴿يَوْمَئِذٍ تُحَدِّثُ أَخْبَارَهَا ۝ بِأَنَّ رَبَّكَ أَوْحَىٰ لَهَا﴾

“Atë Ditë ajo do t’i tregojë lajmet e saj, sepse Zoti yt e ka urdhëruar atë.”

            Toka e cila sot duket e heshtur, në Ditën e Gjykimit do të flasë. Sa shumë gjëra i harron njeriu! Por toka nuk do t’i harrojë. Vendi ku je falur, ku ke bërë mirë, ku ke ndihmuar dikë, por edhe vendi ku ke bërë padrejtësi, të gjitha do të jenë pjesë e dëshmisë.

2- Çfarë do të ndodhë me malet?

            Ne i shohim malet si simbole të qëndrueshmërisë dhe forcës. Por, Kur’ani na tregon se edhe ato do të ndryshojnë. Në ajetin 47 të sures “El-Kehf” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿وَيَوْمَ نُسَيِّرُ الْجِبَالَ وَتَرَى الْأَرْضَ بَارِزَةً﴾

“Ditën kur Ne do t’i lëvizim malet dhe ti do ta shohësh Tokën të sheshtë.”

Kurse në ajetet 5 dhe 6 të sures “El-Uakia” thotë:

﴿وَبُسَّتِ الْجِبَالُ بَسًّا ۝ فَكَانَتْ هَبَاءً مُنْبَثًّا﴾

“Dhe malet do të copëtohen plotësisht dhe do të bëhen pluhur i shpërndarë.”

            Nëse malet, që ne i konsiderojmë të fuqishme e të palëkundshme, do të shpërbëhen, atëherë, çfarë vlere do të ketë pasuria, pozita, fama dhe fuqia jonë?

3- Si do të jetë gjendja e njerëzve?

Në ajetin 2 të sures “El-Haxh” Kur’ani e përshkruan gjendjen e njerëzve në Ditën e Gjykimit me një pamje tepër të fuqishme:

﴿يَوْمَ تَرَوْنَهَا تَذْهَلُ كُلُّ مُرْضِعَةٍ عَمَّا أَرْضَعَتْ وَتَضَعُ كُلُّ ذَاتِ حَمْلٍ حَمْلَهَا وَتَرَى النَّاسَ سُكَارَىٰ وَمَا هُم بِسُكَارَىٰ وَلَٰكِنَّ عَذَابَ اللَّهِ شَدِيدٌ﴾

“Atë Ditë kur ta shihni atë, çdo nënë gjidhënëse do ta harrojë atë që ka ushqyer me gji, çdo shtatzënë do ta hedhë barrën e saj dhe do t’i shohësh njerëzit si të dehur, ndonëse nuk janë të dehur; por dënimi i Allahut është i rëndë.”

            Kjo na tregon se përballë madhështisë së asaj Dite, lidhjet dhe shqetësimet e kësaj bote do të duken krejt ndryshe.

4-A do të mund të ikë dikush?

            Sot, kur njeriu përballet me një problem, kërkon një vend ku të strehohet. Kërkon dikë që ta ndihmojë, një derë ku të trokasë. Por në atë Ditë në ajetin 37 të sures “Abese” Kur’ani thotë:

﴿لِكُلِّ امْرِئٍ مِّنْهُمْ يَوْمَئِذٍ شَأْنٌ يُغْنِيهِ﴾

“Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë një çështje që do ta preokupojë plotësisht.”

Dhe thotë:

﴿يَوْمَ يَفِرُّ الْمَرْءُ مِنْ أَخِيهِ ۝ وَأُمِّهِ وَأَبِيهِ ۝ وَصَاحِبَتِهِ وَبَنِيهِ﴾

“Atë Ditë njeriu do të ikë nga vëllai i tij, nga nëna dhe babai i tij, nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.” (Sure “Abese”, ajetet 34-36)

            E pse kjo? Sepse secili do të jetë i shqetësuar për fatin e vet. Atëherë nuk do të na shqetësojë më: Sa pasuri kam? Apo: Çfarë pozite kam? Por pyetja do të jetë: Çfarë kam përgatitur për këtë ditë?

5- A do të fshihen veprat tona?

Jo. Ky është një prej mesazheve më të fuqishme të Kur’anit. Në ajetet 7 dhe 8 të sures “Ez-Zelzeleh” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿فَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ ۝ وَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَهُ﴾

“Kush bën një të mirë sa grimca, do ta shohë atë; dhe kush bën një të keqe sa grimca, do ta shohë atë.”

            Vëreni madhështinë e këtij premtimi! Nuk thuhet vetëm se njeriu do të shohë veprat e mëdha, por edhe e mira sa një grimcë, do të shihet.

            Një fjalë e mirë. Një buzëqeshje. Një ndihmë e vogël. Një sadaka që askush nuk e dinte. Një lot nga frika e Allahut. Por edhe një padrejtësi e vogël, një fjalë që lëndoi, një e keqe që njerëzit nuk e panë, nuk do të humbasë.

6- Çfarë do të ndodhë me librin e veprave?

            Kur’ani na tregon se njeriut do t’i jepet libri i veprave të tij. Për disa njerëz do të jetë gëzim i madh. Në ajetin 19 të sures “El-Hakkah” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿فَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ بِيَمِينِهِ ۝ فَيَقُولُ هَاؤُمُ اقْرَؤُوا كِتَابِيَهْ﴾

“Sa i përket atij që do t’i jepet libri i tij në dorën e djathtë, ai do të thotë: ‘Ja, lexojeni librin tim!’”

            Ai do të jetë i lumtur, sepse do ta kuptojë se ajo që bëri për Allahun nuk humbi. Por Kur’ani përshkruan edhe gjendjen tjetër. Në ajetin 25 të sures “El-Hakkah” thuhet:

﴿وَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ بِشِمَالِهِ فَيَقُولُ يَا لَيْتَنِي لَمْ أُوتَ كِتَابِيَهْ﴾

“Ndërsa atij që do t’i jepet libri i tij në dorën e majtë, ai do të thotë: ‘Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im!’”

            Prandaj pyetja nuk është vetëm: A do të kemi një libër? Pyetja është: Çfarë do të shkruhet në atë libër?

7- A do të ketë drejtësi absolute?

            Po. Në këtë botë, ndonjëherë njeriu i shpëton drejtësisë njerëzore. Dikush mund të bëjë padrejtësi dhe të mos dënohet. Dikush mund të humbasë të drejtën e tij dhe askush të mos ia kthejë. Por drejtësia e Allahut është e përsosur.

Në ajetin 47 të sures “Enbija” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿وَنَضَعُ الْمَوَازِينَ الْقِسْطَ لِيَوْمِ الْقِيَامَةِ فَلَا تُظْلَمُ نَفْسٌ شَيْئًا﴾

“Ne do të vendosim peshoret e drejtësisë për Ditën e Kiametit dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi as edhe në një gjë.”

            Kjo është një prej përgjigjeve më të mëdha të Kur’anit ku thotë: Në Ditën e Gjykimit, askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi. Asnjë e ire nuk do të humbasë. Asnjë padrejtësi nuk do të harrohet.

8- A do të jetë Dita e Gjykimit vetëm frikë?

            Jo. Kur’ani nuk na flet për Ditën e Gjykimit vetëm për të na frikësuar. Ai na paralajmëron që të përgatitemi dhe na hap edhe derën e shpresës.

Në ajetin 63 të sures “Junus” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿إِنَّ أَوْلِيَاءَ اللَّهِ لَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ ۝ الَّذِينَ آمَنُوا وَكَانُوا يَتَّقُونَ﴾

“Me të vërtetë, të dashurit e Allahut nuk do të kenë frikë dhe nuk do të pikëllohen; ata që besuan dhe ishin të devotshëm.”

            Kur’ani nuk dëshiron që njeriu të jetojë në dëshpërim. Ai dëshiron që frika nga ajo ditë të na zgjojë, jo të na shkatërrojë. Ai dëshiron të na bëjë të pendohemi; të na bëjë të falim; të na bëjë të kthehemi tek Allahu dhe të na bëjë të mos e shtyjmë të mirën për nesër.

9- Cili është përfundimi i asaj Dite?

Kur’ani na tregon se njerëzit do të ndahen sipas asaj që kanë bërë. Në ajetet 13-15 të sures “El-Infitar” thuhet

﴿إِنَّ الْأَبْرَارَ لَفِي نَعِيمٍ ۝ وَإِنَّ الْفُجَّارَ لَفِي جَحِيمٍ ۝ يَصْلَوْنَهَا يَوْمَ الدِّينِ﴾

“Me të vërtetë, të mirët do të jenë në begati, ndërsa të këqijtë do të jenë në Zjarr; ata do të hyjnë në të Ditën e Shpërblimit.”

            Pra, Dita e Gjykimit nuk është fundi i ekzistencës. Është dita kur e vërteta bëhet plotësisht e dukshme dhe secili merr atë që ka përgatitur.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Kur’ani na thotë se Dita e Gjykimit do të jetë dita kur Toka do të flasë. Do të jetë dita kur malet do të shpërbëhen. Do të jetë dita kur njeriu do të merret me veten e vet. Do të jetë dita kur veprat e fshehta do të shfaqen. Do të jetë dita kur libri i veprave do të hapet. Do të jetë dita kur peshorja e drejtësisë do të vendoset. Dhe do të jetë dita kur askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.

            Prandaj, pyetja më e rëndësishme për secilin prej nesh nuk është vetëm: Si do të jetë Dita e Gjykimit? Por: Si do të jem unë në Ditën e Gjykimit? Si do të jem në atë Ditë, që sipas Kur’anit, është dita ku nuk bëjnë dobi as pasuria e as fëmija, siç thuhet në ajetet 88-89 të sures “Esh-Shuara”: 

﴿يَوْمَ لَا يَنفَعُ مَالٌ وَلَا بَنُونَ ۝ إِلَّا مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ﴾

“Ditën kur nuk do të bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të pastër.”

Prandaj le të përgatitemi që sot:

Para se të vijë dita kur nuk mund të kthehemi më pas, le të kthehemi sot tek Allahu.

Para se të hapet libri i veprave, le ta kontrollojmë sot atë që po shkruajmë në të.

Para se të vendoset peshorja, le t’i peshojmë sot veprat tona.

Dhe para se të qëndrojmë para Allahut, le të përpiqemi të vijmë tek Ai me iman, pendim, vepra të mira dhe zemër të pastër.

Në ajetin 18 të sures “El-Hashr” Allahu i Madhëruar thot:

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَلْتَنظُرْ نَفْسٌ مَّا قَدَّمَتْ لِغَدٍ ۖ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۚ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ﴾

“O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!”

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i ka thënë imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!): “O Ali! Kur vdes robi, njerëzit thonë: ‘Çfarë ka lënë pas?’. Ndërsa engjëjt thonë: ‘Çfarë ka dërguar përpara?’” (Burimi: “Mekarimul-Akhlak”, i Shejkh Et-Tabarsij, f. 433.)

            O Allah, na bëj prej atyre që Ditën e Gjykimit do ta marrin librin e veprave në dorën e djathtë, do të jenë të sigurt nga frika dhe do të hyjnë në mëshirën Tënde!