Si e shëron Kur’ani përgojimin?

Në ajetet 9-10 të sures “Esh-Shems” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿قَدۡ أَفۡلَحَ مَن زَكَّىٰهَا (9) وَقَدۡ خَابَ مَن دَسَّىٰهَا﴾

“Ka shpëtuar ai që e pastron (shpirtin e vet), dhe ka dështuar ai që e ndot dhe e fundos atë (në mëkate).”

Një nga sëmundjet më të rrezikshme të gjuhës dhe të zemrës është përgojimi. Shpesh njeriu e konsideron atë një mëkat të vogël, sepse nuk lë plagë në trup dhe nuk derdh gjak, por Kur’ani dhe mësimet islame e paraqesin si një mëkat shumë të rëndë që shkatërron vëllazërinë, nderin e njerëzve dhe pastërtinë e shpirtit.

Përgojimi nuk është thjesht të flasësh për dikë që mungon, por është të përmendësh tek ai diçka që ai nuk do të dëshironte të përmendej, edhe nëse ajo është e vërtetë.

Para se t’i përgjigjemi pyetjes se si e shëron Kur’ani përgojimin, le të shohim se çfarë na mëson Kur’ani për këtë mëkat dhe çfarë dëmesh sjell përgojimi.

Ajeti më i qartë që flet për përgojimin gjendet në suren “El-Huxhurat” dhe është pikërisht ajeti i 12-të i kësaj sureje, i cili thotë:

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اجْتَنِبُوا كَثِيرًا مِّنَ الظَّنِّ إِنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إِثْمٌ ۖ وَلَا تَجَسَّسُوا وَلَا يَغْتَب بَّعْضُكُم بَعْضًا ۚ أَيُحِبُّ أَحَدُكُمْ أَن يَأْكُلَ لَحْمَ أَخِيهِ مَيْتًا فَكَرِهْتُمُوهُ ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۚ إِنَّ اللَّهَ تَوَّابٌ رَّحِيمٌ﴾

“O ju që keni besuar! Shmanguni shumë prej hamendjeve, sepse disa hamendje janë mëkat. Mos spiunoni njëri-tjetrin dhe mos përgojoni njëri-tjetrin. A dëshiron ndonjëri prej jush të hajë mishin e vëllait të tij të vdekur? Ju do ta urrenit atë. Dhe kini frikë Allahun; vërtet Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.”

Kur’ani nuk thotë thjesht: “Mos përgojoni”, por përdor një krahasim tronditës dhe thtë se përgojimi është si të hash mishin e vëllait tënd të vdekur. Ai thotë: “…A dëshiron ndonjëri prej jush të hajë mishin e vëllait të tij të vdekur? Ju do ta urrenit atë…”

Ky është një nga krahasimet më të forta në të gjithë Kur’anin. Kjo do të thotë se nderi i besimtarit është i shenjtë.

Sepse i përgojuari nuk është i pranishëm për t’u mbrojtur.

Sepse përgojuesi “ushqehet” me të metat e tjetrit.

Sepse ashtu si ngrënia e mishit të njeriut është e neveritshme, edhe përgojimi duhet të jetë i neveritshëm për shpirtin.

Islami e ndalon rreptësisht këtë mëkat të rëndë sepse shkakton dëme të shumta. Sipas Kur’anit dëmet e përgojimit janë:

a) Përgojimi shkatërron vëllazërinë

Po në suren “El-Huxhurat”, pak ajete para ndalimit të përgojimit, pikërish në ajetin 10 të kësaj sureje Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ …﴾

“Besimtarët janë vetëm vëllezër.” (Sure “El-Huxhurat”, ajeti 10)

Kur dikush përgojon vëllain e tij, ai godet lidhjen e vëllazërisë. Një shoqëri ku përgojimi është i përhapur, ajo mbushet me dyshim, urrejtje, përçarje, armiqësi.

Familjet, miqësitë dhe komunitetet shpesh shkatërrohen jo nga armiqtë e jashtëm, por nga fjalët që thuhen pas shpine, pra nga përgojimi.

a) Përgojimi lind nga sëmundjet e zemrës

Po në ajetin 12 të sures “El-Huxhurat”, që flet për përgojimin Allahu përmend: Hamendjet e këqija, spiunimin dhe përgojimin.

Kjo tregon se përgojimi nuk fillon në gjuhë, por në zemër. Kur zemra mbushet me zili, mendjemadhësi, urrejtje dhe xhelozi, atëherë gjuha fillon të flasë për të metat e të tjerëve. Prandaj, problemi kryesor nuk është gjuha, por zemra.

c) Përgojimi shkatërron moralin e shoqërisë

Në ajetin 19 të sures “En-Nur” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ إِنَّ الَّذِينَ يُحِبُّونَ أَن تَشِيعَ الْفَاحِشَةُ فِي الَّذِينَ آمَنُوا لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ ۚ وَاللَّهُ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ﴾

“Vërtet ata që duan të përhapen të këqijat ndër besimtarët do të kenë dënim të dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën.”

Përgojimi është një mjet i përhapjes së të këqijave dhe skandaleve. Kur njerëzit flasin vazhdimisht për gabimet e të tjerëve humbet respekti, normalizohet mëkati, përhapet pesimizmi.

Kur’ani dëshiron një shoqëri që mbulon të metat dhe nxit virtytet.

d) Përgojimi largon devotshmërinë

Në fund të ajetit Allahu thotë: “Jini të devotshëm ndaj Allahut.” Kjo tregon se përgojimi bie ndesh me devotshmërinë. Njeriu që është i vetëdijshëm se Allahu dëgjon çdo fjalë, do ta kontrollojë gjuhën e tij.

3. Si e shëron Kur’ani përgojimin?

Kur’ani nuk mjaftohet vetëm me ndalimin e sëmundjes, por na jep edhe ilaçin e saj.

a) Të largojmë hamendjet e këqija

Allahu thotë: “Shmanguni shumë prej hamendjeve.” (Sure “El-Huxhurat”, ajeti 12)

Shumë përgojime fillojnë nga një dyshim. Njeriu sheh një veprim dhe menjëherë mendon keq për tjetrin. Kur’ani na mëson të kërkojmë arsyetimin më të mirë, të mos nxitojmë në gjykim, të mendojmë mirë për besimtarët.

b) Të merremi me të metat tona

Në ajetin 32 të sures “En-Nexhm” Allahu i Madhëruar thotë:  “Prandaj, mos u lavdëroni me pafajësinë tuaj! Ai i njeh më së miri ata që ruhen nga gjynahet.”

Ky ajen na mëson e na thotë që mos u vetëlavdëro për devotshmërinë tënde; Allahu e di më mirë se kush është vërtet i devotshëm dhe i ruajtur nga gjynahet. Ky ajet na edukon me përulësi, jo vetëmburrje, sinqeritet, jo kërkim lavdërimi nga njerëzit dhe vetëllogari, jo gjykim të të tjerëve.

Kur njeriu merret me gabimet e veta, nuk ka kohë të merret me gabimet e të tjerëve. Njohja e mangësive personale është një nga ilaçet më të forta kundër përgojimit.

c) Të kujtojmë se Allahu dëgjon çdo fjalë

Në ajetin 28 të sures “Kaf” Allahu i Madhëruar thotë: “Ai nuk shqipton asnjë fjalë, veçse pranë tij është një mbikëqyrës i gatshëm.”

Çdo fjalë regjistrohet. Nëse para se të flasim do të kujtonim se kjo fjalë do të paraqitet para Allahut në Ditën e Gjykimit, do të heshtnim shumë herë.

d) Të kultivojmë faljen dhe mëshirën

Në ajetin 22 të sures “En-Nur” Allahu thotë:

}وَلۡيَعۡفُواْ وَلۡيَصۡفَحُوٓاْۗ أَلَا تُحِبُّونَ أَن يَغۡفِرَ ٱللَّهُ لَكُمۡۚ وَٱللَّهُ غَفُورٞ رَّحِيمٌ{

“Le të falin dhe le të tolerojnë. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë juve? Allahu është Falës dhe Mëshirplot”

Shpesh përgojimi buron nga zemërimi dhe dëshira për hakmarrje. Kur zemra mbushet me falje dhe mëshirë, gjuha pastrohet nga përgojimi.

e) Pendimi

Ajeti i përgojimit përfundon me shpresë: “Vërtet Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.”

Kush ka rënë në këtë mëkat le të pendohet sinqerisht, të kërkojë falje nga Allahu, të lutet për personin që ka përgojuar, të përpiqet të riparojë dëmin që ka shkaktuar.

Dyert e mëshirës së Allahut janë gjithmonë të hapura.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Kur’ani e konsideron përgojimin një mëkat aq të shëmtuar sa e krahason me ngrënien e mishit të vëllait të vdekur.

Përgojimi shkatërron vëllazërinë, helmon zemrën, përhap përçarje dhe largon devotshmërinë.

Ndërsa ilaçi i përgojimit sipas Kur’anit është: mendimi i mirë për të tjerët, largimi nga hamendjet, kujdesi për të metat tona, vetëdija se Allahu dëgjon çdo fjalë, falja, dhe pendimi i sinqertë.

Lusim Allahun e Madhëruar të na pastrojë gjuhët nga përgojimi, zemrat nga zilia dhe urrejtja, dhe të na bëjë prej atyre që ruajnë nderin e besimtarëve!

Në ajetin 10 të sures“El-Hashr” Allahu i Madhëruar thotë:

{رَبَّنَا ٱغۡفِرۡ لَنَا وَلِإِخۡوَٰنِنَا ٱلَّذِينَ سَبَقُونَا بِٱلۡإِيمَٰنِ وَلَا تَجۡعَلۡ فِي قُلُوبِنَا غِلّٗا لِّلَّذِينَ ءَامَنُواْ رَبَّنَآ إِنَّكَ رَءُوفٞ رَّحِيمٌ}

“Zoti ynë, na fal ne dhe vëllezërit tanë që na kanë paraprirë në besim, dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë urrejtje apo ligësi ndaj atyre që kanë besuar. Zoti ynë, me të vërtetë Ti je i Butë (i Mëshirshëm), Mëshirëplotë.”

Kjo është një nga lutjet më të bukura të Kur’anit, sepse na mëson të kërkojmë falje për veten tonë; të lutemi për besimtarët që kanë jetuar para nesh; të pastrojmë zemrat nga urrejtja, smira dhe mllefi ndaj besimtarëve; të pranojmë se Allahu është shumë i Butë e plot Dhembshuri dhe ështëMëshirëplotë.