Si mund të hyjmë në Xhennet, sipas Kur’anit?

Një nga pyetjet më të mëdha që çdo besimtar duhet t’i bëjë vetes është: Si mund të hyjmë në Xhennet?

Allahu nuk e ka lënë këtë pa përgjigje. Përkundrazi, në Kur’an, në fjalët e Profetit dhe të Ehli Bejtit, rruga drejt Xhenetit është shumë e qartë.

Kushdo që e lexon Kur’anin me vëmendje, veçanërisht ajetet që flasin për Xhennetin dhe banorët e tij, do të shohë se për të hyrë në Xhennet Kur’ani përmend disa faktorë, të cilët janë:

 Faktori i parë:  Besimi dhe vepra e mirë

Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, për ta janë kopshtet e Xhennetit si vendpritje.” (Sure “El Kehf”, ajeti 107)

Pra, hapi i parë është besimi i sinqertë: Besimi në Allahun, besimi në Profetin dhe besimi në Ditën e Gjykimit

            Transmetohet nga Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Askush nuk hyn në Xhenet vetëm me vepra, por me mëshirën e Allahut dhe me besim të drejtë.”

Hapi i dytë është vepra e mirë

Allahu thotë: “Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, dhe është besimtar, ata do të hyjnë në Xhennet.”

Veprat kryesore që të çojnë në Xhenet janë: Namazi, Agjërimi, Zekati, Bamirësia dhe Sjellja e mirë ndaj njerëzve

Është transmetuar nga Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Xheneti fitohet me vepra, jo me dëshira.”

Besimi duhet të shoqërohet me veprime.

Faktori i dytë:  Devotshmëria

“Vërtet, të devotshmit do të jenë në kopshte dhe burime.” (Sure edh-Dharijat, 15)

Çfarë është devotshmëria? Ajo është: Të largohesh nga gjynahu dhe të jesh i vetëdijshëm për Allahun në çdo moment.

Imam Xhafer Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Devotshmëria është çelësi i çdo të mire dhe rruga drejt Xhennetit.”

Faktori i tretë: Dashuria për Allahun, për Profetin, për Ehli Bejtit dhe pasimi i udhëzimit të tyre

Allahu thotë: “Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 31.)

Dashuria nuk është vetëm fjalë, por pasim i moralit të tyre dhe ndjekje e rrugës së tyre

Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit tim është si anija e Nuhut: kush hipën në të shpëton.”

Faktori i katërt: Durimi

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ata do të shpërblehen me Xhennet për shkak të durimit të tyre.” (Sure “El Insan”, ajeti 12)

Durimi në sprova dhe bindje ndaj Allahut është çelës i madh.

Faktori i pestë: Pendimi

Askush nuk është pa gabime. Allahu thotë: “Allahu i do ata që pendohen.” (Sure “Bekare”, ajeti 222).

Pendimi i sinqertë është të ndjesh keqardhje; Të lësh gjynahun dhe të vendosësh të mos kthehesh te mëkati. Sigurisht, atë që e do Allahu e shpërblen me Xhennet.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Pendimi i sinqertë është pastrim i zemrës.”

Faktori i gjashtë: Morali i mirë

Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Gjëja që i çon më shumë njerëzit në Xhenet është devotshmëria dhe morali i mirë.”

Morali përfshin: Durimin; faljen; butësinë dhe mosdëmtimin dhe moslëndimin  e të tjerëve.

Faktori i shtatë: Ndihma ndaj të tjerëve

Në Islam, nuk hyn në Xhenet vetëm për veten. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i miri prej njerëzve është ai që u bën dobi të tjerëve.”.  Ndihma mund të jetë: Fjala e mirë; sadekaja dhe mbështetja për të dobëtit.

Të dashur vëllezër dhe mootra!

Në ajetin 35 të sures “El Ahzab” Allahu i Madhëruar thotë Kur’ani përmend dhejtë llojet e njerëzve që do të jenë prej banorëve të Xhennetit. Në ajet thuhet:

{إِنَّ ٱلۡمُسۡلِمِينَ وَٱلۡمُسۡلِمَٰتِ وَٱلۡمُؤۡمِنِينَ وَٱلۡمُؤۡمِنَٰتِ وَٱلۡقَٰنِتِينَ وَٱلۡقَٰنِتَٰتِ وَٱلصَّٰدِقِينَ وَٱلصَّٰدِقَٰتِ وَٱلصَّٰبِرِينَ وَٱلصَّٰبِرَٰتِ وَٱلۡخَٰشِعِينَ وَٱلۡخَٰشِعَٰتِ وَٱلۡمُتَصَدِّقِينَ وَٱلۡمُتَصَدِّقَٰتِ وَٱلصَّٰٓئِمِينَ وَٱلصَّٰٓئِمَٰتِ وَٱلۡحَٰفِظِينَ فُرُوجَهُمۡ وَٱلۡحَٰفِظَٰتِ وَٱلذَّٰكِرِينَ ٱللَّهَ كَثِيرٗا وَٱلذَّٰكِرَٰتِ أَعَدَّ ٱللَّهُ لَهُم مَّغۡفِرَةٗ وَأَجۡرًا عَظِيمٗا}

 “Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të vërtetët (të sinqertët) dhe të vërtetat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.”

Ky ajet konsiderohet, gjithashtu, një nga ajetet më gjithëpërfshirëse për përshkrimin e cilësive të besimtarëve të vërtetë. Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar përmend një sërë cilësish shpirtërore dhe morale, duke i renditur në mënyrë të barabartë për meshkuj dhe femra, për të treguar se rruga drejt Xhennetit dhe shpërblimit të Allahut është e hapur për të gjithë, pa dallim.

Allahu premton për këta njerëz: falje të mëkateve dhe shpërblim të madh, që është Xhenneti dhe kënaqësitë e Allahut.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Banorët e Xhennetit sipas Kur’anit janë ata që: Besojnë sinqerisht; bëjnë vepra të mira, pendohen për gabimet, janë të durueshëm, apin dhe ndihmojnë të tjerët, falin namazin dhe përmendin Allahun dhe jetojnë me drejtësi dhe devotshmëri

Le ta pyesim veten çdo ditë: A jemi të tillë? A po bëjmë diçka që na afron me Xhenetin, apo diçka që na largon prej tij?

Rruga drejt Xhennetit nuk është e fshehtë, mrëpo është e rrethuar me vështirësi. Ajo përbëhet nga: besimi i sinqertë; veprat e mira; devotshmëria; dashuria për Allahun, për Profetin dhe Ehli Bejtin; pendimi; morali i mirë; ndihma ndaj të tjerëve.

O Allah, na bëj prej banorëve të Xhenetit, dhe mos na ndaj nga rruga e drejtë!