NAMAZI
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “…faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar. (Sure “Nisa”, ajeti 103.)
Namazi është lidhja shpirtërore mes njeriut dhe Krijuesit të tij. Namazi është shërimi i zemrave të lodhura e të pikëlluara. Është qetësues i zemrave dhe pastrues i shpirtit të njeriut. Ai është shtytësi dhe lëvizësi i njeriut drejt mirësisë dhe largues për njeriun nga papastërtitë, të këqijat dhe ndytësitë. Ai është faktori bazë për kryerjen e veprave të mira sepse namazfalësi i vërtetë e i sinqertë kurrë nuk i afrohet të këqijave dhe kurrë nuk mund të mashtrohet nga dredhitë dhe mashtrimet e egos e të djallit të mallkuar. Namazi është programi më i mirë për të njohur vetveten dhe për ta edukuar atë ashtu siç urdhëron Krijuesi i Plotfuqishëm. Namazi është lidhja e përhershme me burimin e të gjitha të mirave, Allahun e Madhëruar.
Që në kohën kur njeriu mëson namazin, në mendjen e tij lindin pyetje të shumta.
Njëra prej atyre pyetjeve janë: Përse namazi është quajtur shtylla e fesë?!! Përse rekatet e namazit janë shtyllat e punëve tona? Përse thuhet se po u pranua namazi pranohen punët e tjera dhe po u refuzua namazi refuzohen edhe punët e tjera? Është detyrë e besimtarëve dhe e besimtareve që të dinë përgjigjet e këtyre pyetjeve me qëllim që të jenë më të kujdesshëm në kryerjen e namazeve të tyre. Të gjithë medhehebet islame, suni e shi’ia, janë të një mendimi se namazi është prej të domosdoshmeve të fesë islame dhe kush e mohon këtë domosdosmëri, ai nuk është mysliman. Të gjithë janë të mendimit se namazit falet për Allahun e Madhëruar, sepse vetëm Ai e meriton adhurimin.
QËLLIMET E NAMAZIT
Ka shumë ajete në Kur’anin e shenjtë që flasin për namazin. Prej të gjitha qëllimeve të namazit, dy janë më madhorë, të cilët Kur’ani i përmend për namazfalësit:
Qëllimi i parë:
Përmendja e Allahut (dhikri): Në Kur’an thuhet “…kryej faljen e namazit për të më kujtuar Mua!” (Sure “Ta Ha”, ajeti 14.) Në të shumtën e kohës njeriu është i pavëmendshëm. Por, që të rikthehet te vetëdija, te mendimi i drejtë dhe te përgjegjësitë e tij, ka nevojë për diçka që ta rizgjojë nga pavetëdija. Kur myezini thërret ezanin, namazfalësit e kuptojnë se ka ardhur koha e takimit me Allahun. Ata nxitojnë që ta përmendin Atë me leximin e Kur’anit, me tespihatet (lartësimet), me lutjet, etj, me qëllim që zemrat e tyre të mbushen me bindje dhe me qetësi. Këtë e bëjnë sepse në një ajet tjetër të Kur’anit ata lexojnë: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Sure “Rra’ad”, ajeti 28.) Kjo përmendje për besimtarët është pesë herë në ditë. Padyshim, kjo është kohë e mjaftueshme për të larguar pavëmendshmërinë. Mirëpo, – fatkeqësisht – shumica e njerëzve nuk duan të dalin prej errësirës së pavëmendshmërisë në dritën e kujtesës e të vetëdijes.
Qëllimi i dytë: Ndalimi nga të këqijat, të ndytat dhe të shëmtuarat. Në Kur’anin e shenjtë lexojmë:Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga paturpësia dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (Sure “Ankebut”, ajeti 45).
Është detyrë e çdo besimtari dhe besimtareje që të mendohet thellë rreth këtij qëllimi madhor të namazit. Këtu dikush mund të pyesë: Përderisa namazi ndalon nga të këqijat, të shëmtuarat dhe ndytësitë, qofshin me fjalë apo me vepra, përse ka namazfalës të cilët nuk e zbatojnë ashtu siç duhet këtë thënie të Allahut?
Namazi i ngjan një libri që përmban rregulla për sjelljen. Lexuesit e këtij libri janë në dy lloje:
1- Lexues që i pohojnë këto rregulla por nuk i zbatojnë rregullisht.
2- Lexues që thellohen në njohjen e këtyre rregullave, në qëllimet e tyre dhe në ndikimet që sjellin në brendinë e njeriut. Ata nuk pohojnë vetëm të jashtmen e rregullave por edhe përmbajtjen dhe efektin e tyre. Kjo i bën ata që të jenë të lidhur dhe të kapur pas këtyre rregullave. Ky është edhe dallimi mes një namazi dhe në një namazi tjetër. Namazi që falet për të kujtuar Allahun dhe pët t’u larguar nga çdo e keqe, e shemtuar dhe e ndytë, është shtyllë. Ai është kujtues i Allahut, me qëllim që të mos dalim nga rruga e Tij e drejtë dhe e vërtetë, sepse dalja prej rrugës së Allahut do të thotë dalje prej dritës dhe zhytje në erësirë. S’ka dyshim se Allahu i Madhëruar gjithmonë na fton për në dritë e në shpëtim.
Në ajetin 45 të sures “Ankebut” përmendet fjala “fahshaun”.Çfarë kuptimi ka kjo fjalë (fahshai)?
“El Fahshau” ka kuptimin e të keqes së neveritshme. Ajo është vepër e djallit të mallkuar. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i shenjtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai (djalli) ju nxit vetëm në të këqija, në vepra të turpshme dhe të flisni për Allahun gjëra që nuk i dini.”
(Sure “Bekare”, ajeti 169.) Dhe: Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme…” (Sure “Bekare”, ajeti 268.)
Namazfalësi i devotshëm nuk i bindet djallit por i bindet Allahut të Madhëruar. Bindja ndaj Allahut nuk mund të bashkohet kurrë me bindjen ndaj djallit. Prandaj, duhet që namazi ynë të na bëjë prej zbatuesve të urdhrave të Allahut dhe prej kundërshtuesve të urdhrave të djallit. Lidhja mes djallit dhe fahshait është si lidhja mes dy shokëve të këqinj. Të këqijat, të ndytat dhe të shëmtuarat, qofshin me fjalë apo me vepra, janë të ndaluara në Islam sepse, ato janë në kundërshtim me Librin e Allahut, me Synetin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi failjen e tij!) me mendjen e shëndoshë dhe me natyrën e krijuar të njeriut (el fitratu).
Meqenëse namazi ndalon nga paturpësia dhe nga veprat e shëmtuara e të ndyta, atëherë ai kërkon prej njeriut namazfalës që të qëndrojë larg çdo gjëje që e ka ndaluar Allahu i Madhëruar. Në Kur’anin e shenjtë lexojmë se veprat e pahijshme janë të dukshme dhe të fshehta. Në një ajet thuhet: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta…” (Sure “A’raf”, ajeti 33.) Gjithashtu, në një ajet tjetër thuhet: “…që të mos i afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta…” (Sure “En’am”, ajeti 151.) Bazuar në këto dy ajetet të Kur’anit të shenjtë duhet që namazi të jetë digë penguese për hyrjen e paturpësisë dhe e veprave të shëmtuara e të ndyta në shtëpinë e zemrës, sepse ato e njollosin atë, e prishin dhe e shkatërojnë.
Dikush mund të pyesë: Si është namazi ndalues nga paturpësia dhe veprat e këqija e të ndyta? Përse nuk janë të gjithë namazfalësit ndalues ndaj paturpësisë dhe veprave të këqija e të ndyta?
Në lidhje me këtë pyetje themi: Ndalimi që përmendet në ajet ka kuptimin se çdo namazfalës duhet të largohet nga çdo e keqe, qoftë me fjalë apo vepra, përndryshe namazi i tij është thjesht fjalë që i shqipton gjuha dhe lëvizje të jashtme, të cilat nuk ndikojnë në brendi të namazfalësit. Fatkeqësisht, ky fenomen është shumë i përhapur në mesin e myslimanëve. Këtë e shohim dhe e dëgjojmë çdo ditë ku ata akuzojnë, shajnë dhe ofendojnë njëri-tjetrin. Ky fenomen është shumë i përhapur sidomos në rrjetet soociale.
Me pak fjalë, pak a shumë u sqarua se çfarë kuptimi ka fjala “fahshaun” që përmendet në ajetin e Kur’anit. Allahu na mundsoftë që të jemi sa më larg të këqijave, të ndytave dhe të shëmtuarrave, me fjalë apo me vepra!
Në ajet lexojmë se fjala “fahshaun” (e keqe e neveritshme), është e shoqëruar me fjalën “el munker”. Vallë, çfarë kuptimi ka kjo fjalë?
Në gjuhësi fjala “el munker” ka kuptimin e asaj që gjykojnë mendjet e shëndosha se është e shëmtuar, gjithashtu, edhe sheriati e quan të shëmtuar. Ky është edhe shkaku i të qënit të tyre gjithmonë bashkë. Në kohën që namazi ndalon nga “fahshai” dhe “munkeri”, ai urdhëron për zbukurimin e shpirtit dhe të sjelljes me morale të mira.
Në namaz ne furnizohemi me fuqi dhe energji shpirtërore që na forcojnë për të bërë vepra të mira dhe për t’u larguar nga veprat e këqija. Në një ajet të Kur’anit, të cilët hoxhallarët dhe hatibët e namazit të xhumasë e përsërisin vazhdimishut në përfundim të hytbes, thuhet: Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin. (Sure “Nahl”, ajeti 90). Sa e zbatojmë ne këtë ajet në jetën tonë? Nëse duam të dimë se a është i rregullt namazi që ne falim, duhet të shohim se san a largon nga e keqja, nga e shëmtuara dhe nga e ndyta, namazi që ne falim. Allahu Fuqiplotë nuk ka nevojë për namazet tona. Jemi ne ata që kemi nevojë për namazin.
Shoqërimi i namazit me besimin dhe punët e mira
Cilido që studion ajetet e Kur’anit të shenjtë do të shohë se namazi ka lidhje me:
1- Besimin: Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju robërve të Mi, të cilët besojnë: Le të falin namazin…” (Sure “Ibrahim” ajeti 31.) Nga ky ajet kuptohet se një prej shenjave të besimit është falja e namazit.
2- Zekatin: Allahu i Madhëruar thotë: “Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë.” (Sure “Merjem” ajeti 31.) Meqenëse namazi shpreh anën shpirtërore të besimit, atëherë zekati, që është dhënie për ata që e meritojnë, shpreh anën praktike të besimit. Sigurisht, Islami nuk i do adhurimet formale por ai kërkon që ndikimet e adhurimeve të duken në jetën e përditshme.
3- Durimi: Allahu i Madhëruar thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz!…) (Sure “Bekare”, ajeti 45.). Dikush mund të pyesë: Ku është sekreti i lidhjes së namazit me durimin? Me pak përqëndrim dhe meditim do të kuptojmë se edhe durimi ka nevojë për ushqim. Që ne të durojmë në kryerjen e detyrave ashtu siç duhet; që të durojmë ndaj mëkateve për t’i kundërshtuar ato; që të durojmë ndaj fatkeqësive dhe problemeve dhe t’i presim me zemërgjërësi, kjo ka nevojë për karikim të fortë shpirtëror. Këtë karikim shpirtëror e bën namazi.
4- Të kuptuarit dhe vigjilenca: Allahu i Madhëruar thotë: “Mos iu afroni namazit kur jeni të dehur, prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni…” (Sure “Nisa”, ajeti 43.) Namazfalësi duhet të dijë se çfarë thotë dhe çfarë po bën. Pavëmendshmëria që e godet namazfalësin, e bën atë vetëm që të shqiptojë fjalët, të kryejë lëvizjet dhe të përfundojë namazin. Gjendja e këtij namazfalësi është e njëjtë me gjendjen e të dehurit, i cili nuk di se çfarë flet. Apo është e njëjtë me gjendjen e atij personi që lexon shkrime por nuk kupton asgjë sepse, ai vetëm se lëviz sytë dhe nuk është i vetëdijshëm se çfarë po lexon.
5-Ekuilibrin: Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm: kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort, por, kur i bie e mira, ai bëhet koprrac. Përjashtim bëjnë ata që falen.” (Sure “Mearixh”, ajetet 19-22.). Namazi është mësuesi, i cili na mëson që të jemi bujarë, të duruar, të përqëndruar dhe të qetë. Namazi është sjellës i të mirave dhe jo pengues i tyre. Namazfalësi është gjithmonë i ekuilibruar, qoftë në lehtësi apo në vështirësi, në situatë të mirë apo në situatë të keqe.
6- Lidhja e namazit me fjalën e mirë: “…thoni fjalë të mira njerëzve dhe faleni namazin…” (Sure “Bekare”, ajeti 83.) Namzi, i cili ndalon nga paturpësia, e dnyta dhe e keqja, qoftë me fjalë apo me vepra, fton në mirësi, qoftë me fjalë apo me vepra. Nëse namazfalësi heq dorë nga të këqijat dhe të shëmtuarat dhe thotë fjalë të mira, të sjellshme dhe të ëmbla, atëherë njerëzit shohin ndikimet e namazit të tij dhe thonë, vërtet ky është besimtar i vërtetë dhe namazfalës i përpiktë. Ai që fal namaz kurrë nuk duhet të shajë e të ofendojë.
7- Lidhja mes namazit dhe largimit prej padrejtësisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Largojini duart tuaja, falni namazin…” (Sure “Nisa”, ajeti 77.) Duke u përqëndruar në ajetet e Kur’anit qartësohet më së miri se marrëdhëniet e namazit me thëniet dhe sjelljen janë shumë të forta. Ka mundësi që njeriu për një periudhë kohe të heqë dorë nga padrejtësia. Namazi është mbrojtësi i përhershëm, i cili e largon njeriun nga padrejtësia ndaj vetes apo ndaj të tjerëve. Ata namazfalës që bëjnë padrejtësi mund t’i pyesim: Vallë, namazi yt të urdhëron për padrejtësi e për urrejtje dhe armiqësi?! Vërtet e habitshme!!! Meqenëse namazi ndalon nga të shëmtuarat, të ndytat dhe të këqijat, padyshim që padrejtësia dhe urrejtja janë prej veprave më të shëmtuara. Për këtë është detyrë largimi prej tyre.
8 – Lidhja e namazit me veprën e mirë. Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe i frymëzuam që të bënin vepra të mira, të kryenin faljet…” (Sure “Enbija”, ajeti 73.) Namazfalësi që mbaron namazin tij është si ai njeri që mbaron stërvitjes fizike dhe ndien se fuqitë i janë shtuar dhe se ai është i gatshëm të marrë pjesë në garë dhe të fitojë. Pra, namazi është besim, përmendje, durim, perceptim, ekuilibrim, qetësim, thënie e asaj është më e mira. Ai ka lidhje me drejtësinë dhe me veprat e mira. Përderisa këto çështje janë si motra me namazin, atëherë është e drejtë të thuhet se namazi është shtylla e fesë dhe çelësi i Xhennetit.
Allahu na bëftë prej namazfalësve të devotshëm! Qofshin namazet tona ndaluese nga e keqja, e ndyta dhe e shëmtuara! Qofshin namazet tona dritë në këtë jetë dhe në Jetën Tjerër!
