ZEKATI, RËNDËSIA E TIJ KUSH ËSHTË I DETYRUAR? ÇFARË DUHET TË BËJË?
Zekati është një nga detyrimet e njohura të Islamit. Ai është përmendur 32 herë në Kur’anin Fisnik. Rëndësinë e tij dhe pozitën e veçantë që gëzon në Islam, e vërejmë në Kur’anin Fisnik, ku krahasohet me namazin. Kur’ani Fisnik nuk e bashkon zekatin dhe namazin vetëm në gjashtë ajete, por është bashkuar në 26 raste të tjera. Ndër këto ajete po përmendim: “Faleni namazin, jepni zekatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz).” (Sure “El Bekare”, ajeti 43.)
Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) e ka përforcuar edhe më tepër këtë lidhje, kur zbriti ajeti i zekatit: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira”2 (2 Sure “Et Teube”, ajeti 103.)
Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) urdhëroi që të mblidheshin dhe, pasi u mblodhën, u tha: “Allahu i Madhëruar ju ka detyruar dhënien e zekatit, ashtu si ju ka detyruar faljen e namazit.” (“Uesailu Shiia”, 19/9. Botoi “Al Elbejt”)
Në vitin pasardhës, i grumbulloi përsëri, duke u thënë edhe një herë: “O ju myslimanë, pastroni pasurinë tuaj që t’u pranohet namazi juaj!” (“Uesailu Shiia”, kitabu zekat/ ebuab ma texhibu fihi zekat/ babu vuxhubiha/ h 1.)
Në një hadith tjetër, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ka thënë: “Tetë personave nuk u pranohet namazi. Njëri prej tyre është ai që nuk jep zekatin.” (“Uesailu Shiia”, kitabu zekat/ babu tahrijm meni ez zekat/ h 22.)
Në rast se do të shohim me vëmendje detyrimet e Sheriatit, që konsiderohen edhe si shtyllat e fesë, do të vërejmë se namazi, agjërimi dhe Haxhi janë tri detyrimet që përbëjnë bazën e besimit të shoqërisë islame. Urdhërimi në vepra të mira dhe ndalimi nga të ndaluarat përbëjnë bazën e sistemit shoqëror, kulturor dhe politik në Islam.
Zekati, së bashku me një të pestën, simbolizojnë natyrën e sistemit ekonomik dhe veçoritë e tij në përgjithësi. Ai është një sistem që ndërtohet mbi drejtësinë. Drejtësia e tij fillon nga pastrimi i personit dhe i shoqërisë, pastrimi i shpirtit nga adhurimi i pasurisë, si dhe pastrimi nga të metat e padrejtësisë shoqërore.
Allahu i Madhëruar thotë: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira!” (Sure “Et Teube”, ajeti 103.)
Zekati ndahet në katër pjesë: zekati i bagëtive (el en’am), zekati i arit dhe i argjendit (en nakdejni), zekati i ushqimeve (el gulat) dhe zekati i fitrit (sadakatu el fitr) ndryshe edhe zekati i trupave. Ai thirret zekat, por me të kemi për qëllim sadakanë mustehab. Sadakanë e fitrit e trajtuam gjatë rregullave të agjërimit dhe nuk do ta përsërisim. Tri pjesët e tjera të zekatit thirren edhe zekati i pasurisë. Kjo është tema e këtij leksioni dhe e leksionit pasardhës.
Kur duhet dhënë zekati? Kujt duhet t’i jepet ai?
Zekati detyrohet për këdo që ka plotësuar kushtet dhe cilësitë e mëposhtme:
- Mosha madhore. Nuk jep zekat dikush që nuk ka hyrë në moshë madhore.
- Të jetë i mençur. Nuk është i detyruar i çmenduri. Këtë kusht dhe kushtin para tij, e ka kundërshtuar medh’hebi Maliki, Shafij dhe Hanbelij.
- Liria. Nuk detyrohet dikush që është rob.
- Zotërimi i pasurisë. Jepet mbi pasurinë që zotëron. Çdo pasuri që nuk e zotëron, nuk ke detyrim zekati në të, si: huaja (kredia), transferta, e të tjera si këto, që nuk është realizuar marrja e pasurisë nga personi, nuk obligohet zekat mbi to. Në rast se arrihet pronësimi real i tyre dhe plotësohen kushtet e tjera, atëherë detyrohet zekati.
- Të kesh mundësi veprimi me të. Nuk jepet zekat në një pasuri që e zotëron realisht, por nuk ke mundësi veprimi me të, si: pasuria e humbur (ke gjetur pasurinë e dikujt që i ka humbur), pasuria e lenë peng, e vjedhura, pasuria që është dhënë borxh te të tjerët.
- Përmbushja e kuotës së caktuar. Nuk jepet zekat mbi një pasuri që nuk ka përmbushur kuotën e caktuar.
Mbi çfarë jepet zekati?
Zekati jepet mbi tri lloje kafshësh, katër lloje ushqimesh, si dhe mbi arin dhe argjendin. Gjithë grupi i atyre që jepet zekati, përbëhet nga nëntë lloje. Tri lloje nga kafshët, që thirret ndryshe edhe zekati i kafshëve, janë: devetë, lopët dhe delet. Katër lloje ushqimesh (drithëra dhe fruta): gruri, elbi, hurma dhe rrushi i thatë. Ndryshe thirret edhe zekati i ushqimeve. Dhe zekati en nakdejni, që është zekati i arit dhe i argjendit.
Zekati i kafshëve
Zekati i kafshëve jepet për çdo njeri që plotëson kushtet që paraqitëm më sipër, si dhe ka në zotërim deve, lopë dhe dele dhe plotëson katër kushte që janë: 1- Numri i caktuar (en nisabu) Me termin “nisab” kuptojmë që kafshët që ka në zotërim, duhet të plotësojnë një numër të caktuar. Nëse e plotësojnë atë numër, atëherë jepet zekat e, në rast se nuk e plotëson atë numër, nuk jepet zekat. Për çdonjërin nga llojet e kafshëve të mësipërme ka një numër të caktuar, që ndryshon nga njëra-tjetra. Ai është si më poshtë vijon:
a) Nisabi (numri i caktuar) i deveve është: Kur mbushet numri pesë deve, zekati i tyre është një dele; kur arrin numri dhjetë deve, zekati i tyre është dy dele; numri pesëmbëdhjetë deve, zekati është tri dele; njëzet deve, zekati është katër dele; njëzet e pesë deve, zekati i tyre është pesë dele; kur arrin njëzet e gjashtë deve, zekati është një këlysh deveje që ka hyrë në vitin e dytë dhe quhet bintu muhad; në rast se arrin numri tridhjetë e gjashtë, zekati i tyre është bintu lebun dhe ai është këlyshi i devesë që ka plotësuar vitin e dytë dhe ka hyrë në të tretin; kur numri arrin dyzet e gjashtë, zekati i saj është hikatu (deveja që ka plotësuar tri vite dhe ka hyrë në të katërtin; kur numri i deveve arrin gjashtëdhjetë e një, zekati i tyre është një xhudhatu (deveja që ka hyrë në vitin e pestë); kur arrijnë shtatëdhjetë e gjashtë, zekati i tyre është dy bintu lekun; kur arrijnë në nëntëdhjetë e një, zekati i tyre është dy hikatu; kur arrijnë njëqind e njëzet e një, zekati i tyre është në çdo pesëdhjetë një Hikatu dhe në çdo dyzet bintu lebun.
b) Nisabi te lopët.
Në çdo tridhjetë lopë, një viç ose mëshqerrë që ka hyrë në vitin e dytë; në çdo dyzet lopë, një lopë që ka hyrë në vitin e tretë.
c) Nisabi te delet.
Në dyzet dele, zekati i tyre është një dele; kur numri arrin njëqind e njëzet e një, zekati i tyre është dy dele; kur numri arrin dyqind e një, zekati i tyre është tri dele; kur numri i tyre arrin treqind e një, zekati i tyre është katër dele; kur numri i tyre arrin në katërqind, në çdo njëqind dele, zekati i tyre rritet me një dele; kur numri i tyre arrin në mijëra, nisabi për të tria llojet e kafshëve arrin në nëntëmbëdhjetë. Dymbëdhjetë nisabe janë për devetë, dy nisabe janë për lopët dhe pesë nisabe janë për delet.
2- El seum
Kafshët ndonjëherë janë të egra (saime) dhe ndonjëherë të buta (el ma’lufetu). Të egra janë ato që kullosin në natyrë dhe nuk kanë pronar dhe nuk paguan për ushqimin e tyre asnjë pagesë. Të buta janë kafshët, për të cilat pronari i tyre e ble ushqimin dhe ushqehen në pronat e mbjella nga pronari i tyre me pagesë, ose që ka harxhuar fuqi të veçantë dhe ka derdhur energji në mbjelljen e tyre. Të egrat ushqehen në natyrë dhe nuk kanë pronar dhe as kullota të mbjella, ndërsa të butat ushqehen në pronat e mbjella nga pronari.
Dhënia e zekatit është e obliguar për kafshët që janë të egra, kur arrijnë nisabin (numrin e caktuar) për të dhënë zekatin dhe jo për kafshët e buta. Ato duhet të jenë të tilla gjatë gjithë vitit. Në rast se dalin nga kjo gjendje për një periudhë të caktuar, atëherë nuk jepet zekat për to.
3- El haul (viti)
Një vit realizohet plotësisht me njëmbëdhjetë muaj hënorë. Kur hyn muaji i dymbëdhjetë hënor, duhet nxjerrë zekati. Është e ndaluar që pronari i kafshëve të veprojë me kafshët e tij në mënyrë që t’i shmanget nisabit dhe t’i mohojë, në këtë mënyrë, të drejtën atyre që e meritojnë zekatin.
4- Të mos jenë kafshë pune
Kafshët nuk duhet të përdoren si kafshë pune. Kjo duke u bazuar në zakonet e njerëzve. Në rast se janë kafshë pune, nuk duhet dhënë zekat për to. Në këtë kusht, kanë rënë dakord të gjitha medh’hebet islame, përveç medhehebit Maliki, të cilët e kanë kundërshtuar dhe kanë bërë detyrim zekatin për të gjitha kafshët, edhe nëse janë kafshë pune.
ZEKATI I ARIT DHE I ARGJENDIT (EN NAKDEJN) ZEKATI I USHQIMEVE KUJT I JEPET ZEKATI?
Zekati i arit dhe i argjendit (en nakdejn) Me fjalën “en nakdejni” kuptojmë arin dhe argjendin. Është quajtur “nakdejni” se ari dhe argjendi përdorej dhe qarkullonte midis njerëzve në veprimet e tyre tregtare. Zekati i arit dhe i argjendit është detyrë për çdo person që është në moshë madhore, i zgjuar, i lirë, zotërues i pasurisë dhe ka mundësi veprimi me të, zotëron sasinë e arit dhe të argjendit, si dhe plotëson tri kushtet e mëposhtme:
1- Sasia e caktuar (en nisab) Sasia e caktuar që duhet të jepet zekat është njëzet dinarë. Zekati që duhet të nxirret për këtë sasi, është dhjetë kararijt, që do të thotë gjysmë dinari. Me “dinar” kuptojmë peshën ku bazohet Sheriati (el mithkalu esh sher’ij), i cili në gjuhën e këmbyesve të monedhave është sa tre të katërtat e mithkalit (Një mithkal peshon 4.74 gram). Nuk jepet zekat pa u plotësuar kjo sasi prej njëzet monedhash floriri. Për çdo katër dinarë shtesë sipër kësaj shume (njëzet dinarë), zekati është në masën e dy karate. Nisabi i argjendit është dyqind dirhemë. Kur plotësohet kjo shumë, zekati i tij është në masën pesë dirhemë. Në çdo dyzet dirhemë shtesë sipër kësaj shume, zekati është një dirhem. Para se të plotësohet shuma dyqind dirhemë, nuk jepet zekat. Gjithashtu, nuk jepet zekat para se të plotësohet shuma dyzet dirhemë shtesë. Me dirhem kuptojmë peshën ku bazohet Sheriati. Çdo dhjetë dirhemë peshojnë shtatë gram.
2- Ari dhe argjendi (en nakd) Zekati i arit dhe i argjendit jepet në rast se konsiderohen para në qarkullim në vendet islame, ose në vendet joislame, edhe nëse nuk konsiderohen të tilla. Nuk detyrohet dhënia e zekatit e atij që zotëron ar dhe argjend në para, edhe kur ajo është më tepër se sasia e caktuar për dhënien e zekatit. Ajo nuk duhet të jetë në para letër dhe jo letër, para të cilat janë në qarkullim në ditët tona. Ky është mendimi i medh’hebit të Ehli Bejtit, ndërsa katër medh’hebet e tjera e detyrojnë nxjerrjen e zekatit të arit dhe të argjendit, në rast se plotësohet sasia e caktuar, edhe kur ajo është në paranë që është në qarkullim në kohën tonë.
Vetëm medh’hebi Hanbeli nuk e detyron dhënien e zekatit për paranë letër, sepse ajo nuk konsiderohet realisht ar dhe argjend.
3- Viti (el haul)
Zekati i arit dhe i argjendit jepet, pasi të ketë kaluar një vit i plotë dhe ai është në sasinë e caktuar nga nisabi. Në rast se pakësohet gjatë vitit, nga masa e caktuar, atëherë nuk jepet zekat. Me termin “vit” kuptojmë që të kenë kaluar njëmbëdhjetë muaj hënorë dhe të ketë hyrë muaji i dymbëdhjetë hënor.
Zekati i ushqimeve (el gilatu)
Më herët sqaruam se fjala “el gilatu” përmbledh: grurin, elbin, hurmat arabe dhe rrushin e thatë. Nuk jepet zekati përveç këtyre katër llojeve. Janë disa çështje që do t’i sqarojmë në pikat e mëposhtme:
1- Zekati i ushqimeve jepet, kur njëra prej tyre plotëson masën e caktuar nga Sheriati, si dhe kur personi është zotërues i tyre.
2- Masa e caktuar është 300 saje, që korrespondon me 847,307 kilogram.
3- Zekati i katër llojeve të përmendura realizohet pas korrjes së grurit ose elbit dhe mbledhjes së hurmave dhe rrushit të thatë. Edhe mund të vonohet pak nga kjo kohë, por edhe mund të jepet para kësaj kohe. Është mirë të mos vonohet, sepse atëherë u vonohet edhe atyre që e meritojnë atë.
4- Masa e nxjerrjes së zekatit ndryshon me ndryshimin e mënyrës së ujitjes.
Nëse ujitet me makineri, zekati është pesë për qind e totalit, ndërsa kur ujitet në mënyrë natyrore, si nga shiu, nga lumi, etj, është dhjetë për qind e totalit.
5- Kur plotësohet masa e caktuar, duhet të jepet zekati. Ai është pesë ose dhjetë për qind e totalit, por kjo, pasi janë paguar taksat dhe shpenzimet që i ka pronari gjatë kohës së mbjelljes. Zekati nuk jepet nga totali i përgjithshëm, por jepet nga ajo që ka mbetur, pasi janë paguar taksat dhe janë hequr shpenzimet. Kujt i jepet zekati?
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhënia e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për ata që u duhet fituar zemra (në Islam), për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i gjithëdijshëm dhe i urtë.”(Sure “Et Teube”, ajeti 60.)
Bazuar në ajetin e mësipërm, zekati duhet t’u jepet tetë grupeve. Ata janë:
1- Fukarenjtë: Ata nuk e zotërojnë ushqimin e tyre vjetor. Edhe medh’hebi Maliki është dakord në këtë mendim të Ehli Bejtit.
2- Të varfrit: Ata janë në gradën më të ulët të fukarenjve
3- Ata që punojnë për zekatin: Janë nëpunësit që i cakton shteti për të mbledhur zekatin.
4- Kanë zemrat e mbledhura: Janë jobesimtarët, të cilët mund të tërhiqen drejt Islamit, ose mund të ulet armiqësia e tyre kundrejt Islamit, duke u ofruar disa shërbime.
5- Robërit: Kjo fjalë kupton blerjen e robërve dhe ofrimin e lirisë nëpërmjet zekatit.
6- Borxhlinjtë: Ata kanë marrë borxhe dhe kanë detyrime jo për gjynahe dhe shpenzime të kota, por nuk kanë mundësi t’i shlyejnë ato.
7- Në rrugën e Allahut: Janë nevojat dhe interesat e përgjithshme të Islamit dhe të myslimanëve, si: ndërtimi i xhamive, i shkollave, i spitaleve, i mjeteve të informacionit, botimi i librave, i gazetave islame, etj.
8- Udhëtari: Ai që ndodhet në kurbet dhe larg vendeve të tij, i cili ka humbur pasurinë e tij dhe nuk ka mundësi të kthehet në vendlindjen e vet. Ky ndihmohet duke i dhënë zekat, që të kthehet në vendlindje.
Shpërndarja e pasurisë që grumbullohet nga zekati për këto tetë kategori, është detyrë e fakihut që plotëson kushtet. Në rast se ai gjykon për t’u shpërndarë, atëherë nëpunësit janë të detyruar ta shpërndajnë, sipas mënyrës që e sheh ai të përshtatshme dhe duke u bazuar mbi nevojat e tetë kategorive. Në rast se nuk e kërkon fakihu, atëherë nëpunësit ua shpërndajnë atyre që e meritojnë nga të tetë kategoritë.
Zekati nuk i jepet atij që pi alkool, apo ai që është i njohur për gjynahe, nuk u jepet prindërve dhe fëmijëve, sepse për ta është detyrë kujdesi, si dhe nuk i jepet hashimijve, për shkak se janë pjesë e familjes së Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!).
Rregulla të veçanta
a) Nuk duhet të lajmërohet i varfri se do t’i paguhet zekati.
b) Në rast se i jepet zekati dikujt, duke menduar se është i varfër dhe më vonë vërtetohet se ai është i pasur, zekati që i është dhënë, duhet të kthehet. Ai e kthen me dorën e tij, duke siguruar se ka dijeni se zekati është paguar për të.
c) Zekati është adhurim dhe duhet të bëjmë nijet për nxjerrjen e tij. Duhet të shtojë në nijetin e tij se zekati i dhënë është për t’u afruar tek Allahu i Madhëruar dhe ta përcaktojë se ai që po paguan, është zekati i pasurisë apo zekat el fitr.
d) Kush është duke vdekur dhe ka për të dhënë zekatin, duhet ta lërë porosi te trashëgimtarët e tij, që të japin zekatin nga pasuria që ka lënë.
e) Është mustehab që zekati t’u jepet të afërmve para të huajve, si dhe njerëzve vepërmirë, fukahave dhe dijetarëve. Atij që nuk kërkon sadaka para atij që e kërkon atë.
f) Të ketë parasysh që të mos vonohet zekati nga koha që është i obliguar për të nxjerrë. Kush është i detyruar, duhet ta japë zekatin në kohën e tij, si dhe të kujdeset që ta marrë ai që emeriton sa më shpejt të jetë e mundur. Në rast se zekati vonohet, pa shkak, ai duhet të garantojë dhënien e tij tek ai që e meriton.
