Jeta e Imam Aliut ishte një rrugëtim i mbushur me beteja për drejtësi, dije dhe moral. Në fushat e betejës ai ishte simbol i trimërisë dhe i forcës, ndërsa në jetën shpirtërore ishte shembull i përulësisë dhe adhurimit të thellë ndaj Allahut. Ai ishte njëkohësisht luftëtari që mbrojti Islamin në momentet më të vështira dhe dijetari që ndriçoi zemrat me urtësinë e tij. Prandaj figura e tij nuk është vetëm një kapitull i historisë, por një dritë udhëzuese për çdo besimtar që kërkon të ecë në rrugën e drejtësisë dhe të besimit të pastër.
Martirizimi i tij në mihrabin e xhamisë, ndërsa ishte i përulur në sexhde para Zotit, e bëri edhe më madhështore figurën e tij në ndërgjegjen e muslimanëve. Ai ra dëshmor në rrugën e drejtësisë që e kishte mbrojtur gjatë gjithë jetës së tij, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme të besimit, sakrificës dhe qëndrueshmërisë në të vërtetën. Prandaj, përkujtesa e këtij momenti nuk është vetëm një kujtim historik, por një thirrje për të reflektuar mbi jetën dhe misionin e Ali ibn Ebi Talibit (Paqja qoftë mbi të!), kalorësit të pamposhtur të Islamit, i cili mbeti përjetësisht simbol i trimërisë, drejtësisë dhe besimit të palëkundur.
——————————————————————-
A keni dëgjuar për kalorësin më të fuqishëm dhe për heroin e drejtësisë dhe të së vërtetës? A keni dëgjuar për kalorësin e pranishëm në paqe e në luftë? A keni dëgjuar për kalorësin më asket, më të përkorë dhe më të devotshëm?
Ai është kalorësi, i cili shkatërroi politeizmin dhe paganizmin. Është heroi që u përball me padrejtësinë dhe errësirën. Ai është Ali ibn Ebi Talib (paqja qoftë mbi të!). Heroizmi i tij, që përmendet në jetëshkrimin e imam Aliut (paqja qoftë mbi të!), na e tregon fare qartë pozitën e tij të lartë.
Ai e pranoi Islamin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai është i pari mashkull, pas profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!), i cili dëshmoi se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij.
Ai e pranoi Islamin ndërkohë që ishte vetëm dhjetë vjeç. Ai është djali i xhaxhait të Profetit, njeriu më i afërt në zemrën dhe në shpirtin e Profetit dhe më i afërti në familjen e tij. Profeti e rriti, e edukoi, e mësoi dhe e martoi me vajzën e tij Fatime Zahranë (paqja qoftë mbi të!).
Në jetëshkrimin e imam Aliut gjen qetësi çdo i varfër e i mjerë. Në të gjen shërim e lehtësim çdo i plagosur, i privuar e i shtypur. Pas sakrificës në rrugën e Allahut e të të Dërguarit të Tij në Mekë, imam Aliu emigroi në Medine. Kur arriti, Profeti i dha çmimin më të madh. Por, çfarë ishte ai çmim? Vallë, a i dha post? A i dha kështjellë? Ai i dha pasuri? Jo. Asnjërën prej tyre. Profeti i lajmëroi të gjithë njerëzit në sy të të gjithëve, duke u thënë: “Vërtet, Aliu, djali i Ebu Talibit e do Allahun dhe të Dërguari i Tij dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan Aliun, djalin e Ebu Talibit.” (Kjo thënie tregon për hadithin e saktë që është i njohur në librat e historisë me emrin “hadijthu rrajeh” (hadithi i flamurit) dhe ndodhet në librin El Isabetu, i Ibn Haxher, vëll. 2, f. 502.)
Sa i madh është njeriu kur e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij! Sa madhështore është të jesh i dashur tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij! I tillë ishte imam Aliu (paqja qoftë mbi të!). Pa dyshim që kjo është prej dhuratave madhështore që fitoi imam Aliu në jetën e tij.
Kur këtij kalorësi vigjilent e të pamposhtur, i cili për pasuri kishte dashurinë për Allahun dhe për Profetin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), Profeti i propozoi martesën me Fatime Zahranë, duke i thënë: “O Ali! A dëshiron që Fatimeja të jetë bashkëshortja jote?“, imami i tha: “Po.”. Profeti e pyeti: “A ke prikë?” Imami ia ktheu: “Unë nuk kam asgjë, o i Dërguari i Allahut.” Profeti e pyeti sërish: “Ku është mburoja jote?” Imami i tha: “Ajo mburojë nuk kushton as dy derhem.” (Këtë e transmeton Ebu Daudi dhe të tjerë transmetues).
Edhe Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e dinte shumë mirë se Aliu nuk zotëronte asnjë dinar apo derhem, as flori e as argjend dhe as toka, por ai zotëronte besimin si mali i palëkundur. Profeti ka thënë për imam Aliun: “Unë do t’ia jap flamurin atij njeriu, të cilin, e do Allahu dhe i Dërguari i Tij.” Pra, imam Aliu ishte burrë që zotëronte, devotshmërinë, drejtësinë, fuqinë, guximin, humanizmin, heroizmin etj.
Megjithatë, ai e zbatoi fjalën e Profetit dhe ia solli atij mburojën. Atëherë, Profeti e kurorëzoi Aliun me Fatimenë. Ajo i lindi atij Hasanin dhe Hysejnin, zotëritë e të rinjve të banorëve të Xhenetit.
Imam Aliu u martua me hazreti Fatimenë. Kush është Fatimeja? Bija e kujt është? Nëna e kujt është? Ajo është Zonja e grave të botëve. Babai i saj është më i nderuari dhe më fisniku i profetëve. Bashkëshorti i saj është kalorësi i drejtësisë dhe i së vërtetës dhe heroi i humanizmit.
Në betejën e Bedrit, para se të niste beteja, i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ftoi më të fortët e myslimanëve për t’u ballafaquar me më të fortët e jobesimtarëve. Profeti pyeti: “Ku është Aliu?” Aliu i tha profetit Muhamed: “Jam këtu, o i Dërguari i Allahut.” Imam Aliu u përball me Velid ibn Utbeh, të cilin e vrau. Kur nisi lufta mes dy ushtrive, imam Aliu luftoi si luani i patrembur dhe vrau shumë prej jobesimtarëve. (Këtë e transmeton Ebu Daudi. Shih Es Siretu En Nebeuijetu fi daui el Masadir el Aslijeh, faqe 350.)
Në betejën e Ahzabëve (Khandakut), kalorësi më i fuqishëm i jobesimtarëve, Amru ibn Ud, i ftoi myslimanët në duel. Profeti u tha: “Kush nga ju do të dalë në duel, o myslimanë?” Ata heshtën dhe askush nuk doli, sepse e njihni kundërshtarin e tyre, i cili ishte i njohur për trimëri dhe aftësi luftarake. Mirëpo, Aliu nuk e pranonte poshtërimin e as mposhtjen. Ai i tha Profetit: “Unë do të dal në duel, o i Dërguari i Allahut.” Profeti i tha: “Ai është Amru ibn Ud!” Aliu i tha: “Po pastaj se është Amru?!” Atëherë doli Aliu dhe të dy luftëtarët filluan duelin. Profeti lutej që imam Aliu të triumfonte. Ashtu u bë. Profeti lexoi tekbirin dhe pas tij e lexuan edhe myslimanët: “Allahu ekber! Allahu ekber! Allahu ekber!”.
E të tjera ndodhi. Në çdo ndodhi dhurata e imam Aliut ishte fitorja. Ai kurrë nuk u mposht në asnjë betejë.
Erdhi koha që ai të merrte në dorë khilafetin (udhëheqësinë) për afërsisht pesë vjet. Ai ka qenë i varfër. Asnjë ditë nuk ka qenë i ngopur. Një ditë, kur shkoi në shtëpi, tha: “A keni ushqim?! Ata i thanë: “Nuk ka.” Ai u tha: “Asgjë nuk keni?!” Ata i thanë: “Jo.” Ai mori shpatën e tij, e cila quhet “Dhulfikar” dhe doli para banorëve të Irakut duke thënë: “Unë dhe familja ime po vdesim nga uria dhe kjo është shpata e të Dërguarit të Allahut, me të cilën kam larguar të këqijat nga Profeti. Kush e blen këtë me ushqimin e një nate?”
I Lartësur është Allahu. Të dashur vëllezër besimtarë dhe motra besimtare. Nuk kishte të ushqehej ai që kishte në dorë të gjithë pasurinë e myslimanëve, që ishte e mbushur me ushqim, para dhe armë. Të gjitha këto ai i shpërndau për një ditë, e pastaj fali dy rekate namaz dhe tha: “O Zot im! Dëshmo që unë nuk kam mbajtur për veten time asnjë derhem, asnjë dinar, asnjë kokërr hurmë e as një kokërr rrush të thatë.” (Këtë e transmeton Ebu Daudi me të tjerë në Es Sijretu Nebeuijetu, faqe 350.)
Martirizimi i imam Aliut (paqja qoftë mbi të!)
Profeti Muhamed i ka thënë imam Aliut: “Ti do të goditesh këtu dhe këtu, – duke i treguar vendin te koka e tij, – dhe gjaku do të rrjedhë prej saj, derisa të lyejë gjithë mjekrën tënde. Goditësi do të jetë më i ligu, ashtu siç ishte vrasësi i devesë.”
Ishte data 19 Ramazan i vitit 40 të hixhrit. Imam Aliu doli nga shtëpia për të falur namazin e sabahut në xhami. Atje pa të pafenë, të poshtrin, të mallkuarin Abdurrahman ibn Mulxhem. Ai ishte i paguar nga paria e asaj kohe për ta vrarë imam Aliun, sepse imam Aliu ishte pengesë e qejfeve të asaj parie. Ai ishte shtrirë përmbys dhe shpatën e helmuar e kishte nën vete. Imam Aliu e goditi te këmba dhe i tha: “Mos fli përmbys, sepse ashtu flenë banorët e Zjarrit.”
Imam Aliu filloi të falej dhe i poshtri e goditi në kokë. Imam Aliu tha: “Allahu është më i Madhi. Allahut i takojnë të gjitha çështjet e shkuara dhe ato që do të vijnë.” Pastaj ra përmbys dhe mjekra iu la me gjak. Atë e mbajtën dhe e çuan në shtëpi. Për atë qanë të gjithë myslimanët, të mëdhenj e të vegjël, burra, gra dhe fëmijë. Ai jetoi si hero, e përqafoi Islamin si hero, sakrifikoi me heroizëm të paparë dhe ra dëshmor si hero. Kjo ndodhi është në librin Sijretu ibn Hisham, xhuzi i dytë, f. 150. Po ashtu, edhe në Es Sijretu En Nebeuijetu, faqe 452. E ka transmetuar edhe Ahmed ibn Hanbel.
Më 21 Ramazan të vitit 40 hixhri, u martirizua një burrë, nga madhëria dhe përkryerja e të cilit, mbetën të mahnitur miqtë dhe armiqtë. E gjithë bota e lavdëroi, e lavdëron dhe do ta lavdërojnë, sepse ai ishte zëri i vërtetë i drejtësisë njerëzore.
Xhubran Khalil Xhubran, autor i njohur libanez, ka thënë: “Ali bin Ebu Talib u flijua dhe u martirizua për madhërinë dhe dinjitetin e tij. Ai ndërroi jetë në kohën kur ishte duke kënduar namaz dhe zemrën e kishte plot dashuri të Zotit.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!), edhe në çastet e fundit të jetës së tij 63-vjeçare, bëri të gjitha përpjekjet për të shpjeguar dhe për të përhapur të vërtetat e fesë islame.
Namazi dhe lutjet ishin forma më e bukur e devotshmërisë së iamam Aliut (paqja qoftë mbi të!). Ai, në hytben 234 të Nahxhul Belaga, në lidhje me ndikimin e ibadetit, ka thënë: “Njerëzimi kanoset nga imoraliteti dhe sëmundjet psikike. Zoti, nëpërmjet namazit dhe agjërimit, i mbron robtë e Vet nga këto rreziqe. Këto ibadete i ndalojnë duart dhe këmbët nga gjynahi, i mbronjnë sytë nga shikimi, duke i bërë të përulur, qetësojnë frymëmarrjen dhe i zbusin zemrat. Përkujtimi i Zotit kultivon ndërgjegjen fetare të njeriut, shton vullnetin për punë të mira dhe redukton dëshirën për punë të këqija dhe gjynahe.”
Njerëzit e mëdhenj dhe të lartë i kanë të gjitha vlerat morale dhe njerëzore. Sjelljet dhe fjalët e imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) janë të bazuara në drejtësi dhe mirësi dhe janë larg çdo të mete.
