Në ajetin 36 të sures “Teube”Allahu i Madhëruar thotë:
“إِنَّ عِدَّةَ الشُّهُورِ عِنْدَ اللَّهِ اثْنَا عَشَرَ شَهْرًا”
“Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë…”
Prej muajve hënor është edhe muaji i begatë i Ramazanit.
Sipas kalendarit islam, muaji i Ramazanit është muaji i nëntë prej muajve hënor.
Muaji i begatë i Ramazanit gëzon një pozitë të lartë dhe madhështore në fenë e drejtë islame dhe në sheriatin e pastër islam.
Allahu i Madhëruar e përmend muajin e Ramazanit në Librin e Tij epokbërës, Kur’ani i Shenjtë, pikërisht në ajetin 185 të sures Bekare, dhe nuk ka përmend asnjë muaj tjetër përveç muajit të Ramazanit. Kjo na sqaron pozitë e lartë që ka muaji i Ramazanit te Allahu i Madhëruar.
Shumë njerëz pyesin: Çfarë është muaji i Ramazanit?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e sqaron vula e profetëve dhe i të dërguarve, i dashuri i zemrave tona, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili në thënie të ndryshme na e sqaron se çfarë është muaji i Ramazanit. Thëniet e Profetit janë burimi I dytë pas Kur’anit të Shenjtë dhe Allahu na urdhëon që t’i zbatojmë ato që na thotë Profeti, siç thotë në suren Hashr, ajeti 7:
وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانْتَهُوا
“…Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj…”
Në një prej haditheve të tij Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na e përshkruan muajin e begatë të Ramazanit dhe thotë: “Muaji i Ramazanit, në të cilin ka zbritur Kur’ani;
është muaji i Allahut të Madhëruar e të Lartësuar;
është muaj në të cilin Allahu i shumëfishon të mirat dhe i fshin të këqijat;
është muaji i bereqetit;
është muaji i faljes;
është muaji i mëshirës;
është muaji i pendimit;
është muaji i kthimit te Allahu;
është muaji i leximit të Kur’anit;
është muaji i kërkimit të faljes;
është muaji i agjërimit;
është muaji i lutjes;
është muaji i adhurimit;
është muaji i bindjes dhe i përuljes;
është muaji i shpëtimit nga Xhehenemi dhe i fitimit të Xhenetit;
më pas Profeti Muhamed (s) na urdhëron e na thotë: Në të (në muajin e Ramazanit), largohuni nga çdo gjë e ndaluar;
lexoni sa më shumë Kur’an;
kërkojini Atij në këtë muaj nevojat tuaja dhe merruni në këtë muaj me përmendjen e Zotit tuaj!
Muajin e Ramazanit mos jetë tek ju si muajt e tjerë sepse ai ka shenjtëri dhe përparësi te Allahu ndaj të gjithë muajve të tjerë.
Dita e agjërimit tuaj në muajin e Ramazanit mos të jetë si dita kur nuk jeni të agjërueshëm.”
Burimi: Biharul Anuar, vëll 96, f. 340. Fadailu Esh’huri thelatheti
E mbyll këtë temë me thënien e Profetit Muhamed (s) i cili thotë për mirësitë e muajt të Ramazanit: Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Sikur robi ta dijë se çfarë përmban muaji i Ramazanit, do të uronte që i gjithë viti të ishte Ramazan.” (Biharul Anuar: vëll. 93, f. 346.) https://youtu.be/XDRwXrXUvss
