Në atmosferën e Ramazanit, besimtari përjeton një qetësi të veçantë shpirtërore. Agjërimi, lutjet dhe adhurimet bëhen një burim drite që ndriçon brendësinë e njeriut dhe e ndihmon atë të çlirohet nga pesha e gabimeve dhe dobësive. Është një kohë reflektimi, pendimi dhe kthimi tek Zoti, ku çdo vepër e mirë shumëfishohet dhe çdo lutje ngrihet drejt qiellit me shpresë dhe përulësi.
Prandaj Ramazani nuk është vetëm një periudhë sakrifice, por mbi të gjitha një periudhë ringjalljeje shpirtërore. Ai është një thirrje për ta pastruar zemrën, për të forcuar besimin dhe për të rikthyer ekuilibrin midis shpirtit dhe jetës së përditshme. Në këtë muaj, njeriu e ndien se mëshira e Allahut është më pranë se kurrë dhe se çdo hap drejt së mirës është një hap drejt dritës së Tij.
Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Zjarrit dhe lidhen djajtë; dhe një thirrës thotë: “Përgëzohuni, o robtë e Mi! Ua kam falur mëkatet e mëparshme!”
————————————————-
Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Besimi nuk është zbukurim i jashtëm as dëshirë e thjeshtë, por besimi është ajo që është e sinqertë në zemër dhe e vërtetojnë veprat.” “Mijzanul Hikmeti”, vwll. 1, f. 191.
Një nga gjërat që shpesh i neglizhojmë në jetën e përditshme është përdorimi I shprehjes “besimtarë” për shumë njerëz, të cilët, nëse do t’i matnim sipas kritereve të përcaktuara nga Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) për çështjen e besimit, do të vërenim një hendek të madh mes tyre dhe atyre që e meritojnë me të vërtetë këtë emërtim.
Është një rrugë e gjatë që duhet përshkuar për të arritur në shkallën ku njeriu e meriton realisht këtë emërtim. E vërteta që duhet thënë është se përdorimi i shfrenuar dhe i pavend i këtij emërtimi e dëmton kuptimin e besimit, ia humbet atij vlerën dhe e bën më pak tërheqës për njerëzit.
Madje, u jep mundësi disa personave me synime vetjake që ta përdorin këtë petk fetar për të arritur qëllimet e tyre.
Prandaj, është e domosdoshme që të ndalemi dhe ta kuptojmë besimin në të gjitha dimensionet e tij, në mënyrë që të mos e keqpërdorim një emërtim që është nga më fisnikët, duke dëmtuar pa vetëdije apo duke menduar gabimisht se po bëjmë mirë.
Në hadithin e transmetuar nga imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) thuhet: “Besimi është lidhje e zemrës, shprehje me gjuhë dhe vepër me gjymtyrë.” “Mijzanul Hikmeti”, vwll. 1, f. 191.
Nga ky hadith kuptojmë se ekzistojnë tri shtylla themelore që duhet të bashkohen që një njeri të quhet me të drejtë besimtar:
E para: Besimi me zemër (besimi i brendshëm)
E dyta: Dëshmia me fjalë (shprehja e besimit)
E treta: Veprimi me gjymtyrë sipas asaj që beson zemra dhe dëshmon gjuha
Këto tri shtylla nuk janë çështje të thjeshta. Secila ka karakteristika dhe kushte të posaçme, dhe dëmtimi i cilësdo prej tyre e dëmton kuptimin e plotë të besimit. Prandaj duhet të ndalemi me kujdes te secila prej tyre për ta sqaruar saktë.
E para: Besimi me zemër
Kjo është shkalla më e lartë e besimit. Është ajo në të cilën konceptet janë të qarta, të pastra nga çdo dyshim dhe të rrënjosura fort në shpirt. Njeriu është në gjendje të argumentojë me to, t’i mbrojë dhe t’i shpjegojë me bindje të plotë.
Një besim i tillë është themeli i fortë dhe nisja e vetëdijshme e çdo sjelljeje të drejtë. Një njeri i tillë nuk është imitues i të tjerëve, nuk ndjek verbërisht rrugët e njerëzve, por ka mendimin, dritën dhe udhëzimin e tij që i ndriçon rrugën.
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sikur robtë e Allahut ta përshkruanin të vërtetën dhe të vepronin sipas saj, por zemrat e tyre të mos ishin të lidhura me të, nuk do të përfitonin prej saj.”[1]
E dyta: Dëshmia me fjalë
Këtu nënkuptohet që gjuha të jetë përkthyesi i zemrës. Të jetë një pasqyrë që reflekton atë që banon brenda saj. Nuk mjafton të thuash me fjalë atë që zemra nuk e beson, sepse shumë njerëz flasin me gjuhë, por në zemrat e tyre qëndron e kundërta. Prandaj, sipas Kur’anit, besimi është i dy llojeve:
I pari: I qëndrueshëm (i përhershëm)
I dyti: I përkohshëm (i huazuar)
Allahu i Lartësuar thotë:
“Ai është që ju krijoi prej një shpirti të vetëm; ka prej jush që qëndron (në vendin e vet) dhe prej jush që është i përkohshëm. Ne ua kemi sqaruar shenjat atyre që kuptojnë.”(Sure “En‘am, ajeti 98)
Ndërsa imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nga besimi ka lloje që janë të qëndrueshme në zemra dhe lloje që janë të huazuara mes zemrave dhe kraharorëve për një kohë të caktuar. Prandaj, kur të mos jeni të sigurt për dikë, pritni derisa t’i vijë vdekja, atëherë do të qartësohet kufiri i besimit apo i mohimit.”[2]
Dhe në një tjetër fjalë të tij, imam Aliu ka thënë: “Atij qw veprat i përputhen me fjalët, forcoje pwr tw dëshminë e shpëtimit. Por, kush flet ndryshe nga veprat e tij, besimi i tij është vetëm i përkohshëm.”[3]
E treta: Veprimi me gjymtyrë sipas asaj që beson zemra dhe thotë gjuha
Ky është besimi i manifestuar me vepra, është besimi që bëhet i dukshëm dhe praktik. Besimtari i vërtetë nuk është ai që flet, por ai që e tregon me sjellje besimin e tij.
Në disa hadithe, është tërhequr vëmendja ndaj rrezikut të quajtjes “besimtar” për ata që nuk e shoqërojnë fjalën me vepër. Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “I mallkuar, i mallkuar është ai që thotë: ‘Besimi është vetëm fjalë pa vepra.’”[4]
Kjo është e qartë, sepse besimi, nëse nuk shoqërohet me vepra të mira, siç thonë ajetet e Kur’anit: “besojnë dhe bëjnë vepra të mira”, mbetet i fshehur në brendësi të njeriut dhe nuk e di askush përveç Allahut. Por Allahu dëshiron që me këtë besim të ndërtohet jeta, që zëri i tij të ngrihet mbi çdo zë tjetër dhe që ndërtesa e tij të jetë më e larta.
Vepra është pasqyra e vërtetë e besimit, si dhe faktori që e forcon dhe e pastron atë. Kur sjelljet e njeriut janë në përputhje me besimin e tij, kjo e bën besimin më të fortë dhe më të qëndrueshëm.
Njeriu që e mëson veten të jetë i sinqertë në praktikë dhe që e ruan namazin në kohën e parë, do të qëndrojë i patundur ndaj çdo sprove dhe nuk do ta mashtrojë bota me joshjet e saj.
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Besimi nuk forcohet te njeriu veçse me vepra, dhe vepra është pjesë e tij (besimit).”[5]
[1] “El Biharu”, vwll. 68, f. 18, kreu 30.
[2] “Biharul Anuar”, vwll. 66, f. 227.
[3] “Sherh Usulul Kafij”, vwll. 10, f. 140.
[4] “Uesailu Esh Shiah”, vwll. 16, f. 280.
[5] “El Kafij”, vwll. 2, f. 38.
