Në suren “Junus”, ajetet 57-58 Allahu  Madhëruar thoë: {يَا أَيُّهَا النَّاسُ قَدْ جَاءَتْكُم مَّوْعِظَةٌ مِّن رَّبِّكُمْ وَشِفَاء لِّمَا فِي الصُّدُورِ وَهُدًى وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ* قُلْ بِفَضْلِ اللهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَلِكَ فَلْيَفْرَحُواْ هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ} 57. O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kur’ani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë përbesimtarët. 58. Thuaj: “Me mirësinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo qëgrumbullojnë.” Allahu i Plotfuqishëm dëshiron që robtë e Tij besimtarë të kultivojnë gëzimin kudo që ndodhen. Ta mbjellin gëzimin në fytyrat e të tjerëve, ta vendosin atë në zemrat e tyre. Të mos kalojë i shkujdesur pranë atyre që janë të rraskapitur nga jeta me lodhjen, mundimet, problemet, sprovat, dhimbjet dhe brengat e saj, por ai të jetë dora e dhembshur dhe mbështetëse për këtë njerëz. T’i ndihmojë, t’i forcojë atyre vendosmërinë, t’i mbështesin ata, t’ua lehtësojë atyre shqetësimet, t’ua largojë vështirësitë dhe të rrënjosë tek ata ndjenjën e shpresës dhe të sigurisë. Prej veprave të dashura tek Allahu është edhe futja e gëzimit në zemrat e besimtarëve. Kjo vepër ka mirësi të shumta në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Sot do të përcjell disa hadithe nga Profeti Muhamed (s) dhe Ehli Bejtit të tij që flasin për futjen e gëzimit në zemrat e besimtarëve. Në një hadith të trasnmetuar nga Profeti Muhamed (s) thuhet: “Prej veprave më të dashura tek Allahu është gëzimi i zemrës së besimtarit, largimi i pikëllimit prej tij, shlyerja e një borxhi të tij dhe të ushqyerit e tij nga uria.” Me këto vepra shmangen tmerret e Ditës së Kijametit. Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Kush fut gëzim në zemrën e një besimtari, duke e ushqyer atë nga uria, ose duke i shlyer atij borxhin, ose duke ia lehtësuar hallin e kësaj bote, Allahu do tia lehtësojë hallin, brengën dhe shqetësimin në Botës Tjetër…” Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kur ta ringjallë Allahu besimtarin nga varri i tij, me të do të dalë një shoqërues që do ta paraprijë besimtarin. Sa herë që besimtari të shohë një nga tmerret e tij në Ditën e Kijametit, shoqëruesi do t’i thotë: Mos u frikëso dhe mos u trishto. Besimtari do t’i thotë: Kush je ti? Ai do t’i thotë: “Unë jam gëzimi që e fute në zemërn e vëllait tënd besimtar”. Kjo vlen për fëmijët tuaj, për gruan tënde, për jetimët, për të varfrit, për nevojtarët, për ata që kanë borxhe, kur e zgjidh një problem, kur e lehtëson një çështje dhe një problem, kur e largon një pikëllim dhe kur e zgjidh një mosmarrëveshje apo mospajtim. Gëzimin e zemrës së besimtarëve, Allahu e ka bërë rrugë për të arritur në Xhennet dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Është transmetuar në një hadith nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Allahu i Madhëruar i shpalli Profetit Davud (Paqja qoftë mbi të) dhe i tha: “Robi do të vijë tek Unë më një vepër të mirë në ditën e Ringjalljes dhe Unë do të vendos që me të ai të hyjë në Xhenet. Davudi i tha: Cila është ajo e mirë?Ai (Allahu) i tha: Gëzimi i zemrës së robit Tim qoftë edhe me një hurmë. Daudi (paqja qoftë mbi të) tha: Është e drejta e atij që të njeh Ty që të mos e ndërpresë shpresën e tij prej Teje.” (El Kafij, vëll. 2, f. 189.) Në një hadith: “Vërtet, në Xhenet ka një shtëpi që quhet Shtëpia e Gëzimit dhe në të nuk do të hyjë askush përveç atyre që i gëzojnë jetimët.” Kjo përsa i përket dobisë të gëzimit të tjetrin në Jetën Tjetër. Për sa i përket ndikimit të gëzimit të zemrës së besimtarit në këtë dynja, në një hadith thuhet: “Pasha atë që dëgjimi i Tij është më i gjerë se tingujt, se ai njeri që e gëzon një zemër me gëzim, Allahu do të krijojë për të nga ajo lumturi mirësi. Nëse i ndodh atij një fatkeqësi, ajo mirësi rrjedh si uji kur zbrit nga lart dhe ia largon atij atë fatkeqësi…”. Është transmetuar nga Ebi Abdulahi imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Çdo besimtar që ia lehtëson një besimtar shqetësimin, Allahu do t’ia lehtësojë atij shtatëdhjetë shqetësime të kësaj bote dhe të Ditës së Kiametit. Atij që ia lehtëson gjërat besimtarit kur është në vështirësi, Allahu ia lehtëson atij nevojat e kësaj bote dhe Botës Tjetër. Allahu do ta ndihmojë besimtarin kur ai e ndihmon vëllain e tij besimtar. Prandaj përfitoni nga këshilla dhe dëshirojeni të mirën .” Nga gëzimi që fusim në zemrat e të tjerëve përfitojmë edhe ne. Nëpërmjet tij largojmë fatkeqësitë nga vetja jonë dhe nga ata për të cilët kujdesemi. Për shkak të rëndësisë së kësaj sjelljeje, shohim se i Dërguari i Allahut e ka lidhur gëzimin besimtarit me gëzimin e tij dhe me gëzimin e Allahut të Madhëruar. Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Kush e gëzon një besimtar, më gëzon mua, kush më gëzon mua, ka gëzuar Allahun.” Burimi: El Kafij, vëll. 2, f. 150 /1. Misdakatul Ikhuani: 62/9 FORMAT E FUTJES SË GËZIMIT NË ZEMRËN E BESIMTARIT Futja e gëzimit në zemrën e besimtarit ka shumë forma. Prej atyre janë: buzëqeshja në fytyrë kur të takohet, të vizituarit e tij, dhurimi i një dhurate,  ndihma e tij kur ka nevojë, përgëzimi dhe urimi i tij në gëzime, qëndrimi pranë dhe ngushëllimi i tij në çaste pikëllimi e hidhërimi, lehtësimi i vështirësive, problemeve dhe brengave të tij, vizita e tij kur është i sëmurë si dhe pyetja dhe interesimi për gjendjen e tij. Është transmetuar nga imam Bakiri alejhi selam, ka thënë: “Buzëqeshja e njeriut në fytyrën e vëllait të tij është një vepër e mirë dhe largimi i të keqes prej tij është një vepër e mirë. Allahu nuk adhurohet me asgjë më të dashur te Ai se sa futja e gëzimit në zemrën e besimtarit.” (El Kafij, vëll. 2, f. 188.) Çështja e futjes së gëzimit nuk duhet të jetë vetëm me të gjallët, por të zbatohet edhe për të vdekurit. Kjo për faktin se ne i gëzojmë të vdekurit tanë kur kryejmë vepra të mira në emër të tyre. Përgjatë muajit të bekuar të Ramazanit çdo ditë në një prej lutjeve pas namazeve farz themi: “O Zot, gëzoji banorët e varreve…”اللَّهمَّ أدخل على أهل القبور السرور…”. Kur një njeri e gëzon zemrën e një tjetri ai ndjen një lumturi të madhe në veten e tij. Po ashtu kur merr pjesë në gëzimin e tjetrit. Këtë lumturi nuk mund ta ndiejnë vetëm ata që i gëzojnë zemrat e të tjerëve për hir të Allahut të Madhëruar dhe që kanë zemra të buta, transparente, të ndritshme që rrezatojnë dashuri, siguri, qetësi dhe paqë për ata që i rrethojnë. Të dashur vëllezër dhe motra: Le të jemi prej atyre që Allahu ua ka besuar këto zemra. Sigurisht, kjo është një mirësi e madhe nga Krijuesi i zemrave. Ato janë zemra që përfaqësojnë zemrat e pejgamberëve, të sinqertëve dhe dëshmorëve, të cilët ia kushtuan jetën dhe u lodhën e u munduan për t’i gëzuar zemrat e njerëzve, duke i bërë ata të ndjekin udhëzimin e Zotit, që është rruga e rehatisë së tyre në këtë botë dhe e lumturisë së tyre në Jetën e Përtejme. Udhëzimi i Zotit u sjell shpresë në zemrat e tyre dhe mirësi në jetën e tyre. I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Vepra më e dashur tek Allahu i Madhëruar është futja e gëzimit në zemrën besimtarëve.” (El Kafij, vëll. 2, f. 188.). Pa dyshim që zemrat tona janë të gëzuara dhe të lumtura kur të shohim zemrat e vëllezërve dhe motrave tona në Palestinë e në Liban të gëzuara. Allahu i uajtë, i ndihmoftë dhe u dhëntë fitoren!  https://youtu.be/B4wgO5d_DtY

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Fill out this field
Fill out this field
Please enter a valid email address.
You need to agree with the terms to proceed