Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dhe la ndër ju atë që lanë edhe profetët në mesin e popujve të tyre; sepse ata nuk i lanë pa kujdes, pa një rrugë të qartë dhe pa një shenjë udhëzuese. (La) Librin e Zotit tuaj në mesin tuaj, i cili shpjegon të lejuarën dhe të ndaluarën e Tij.”1 [1] Sejjid Err Radhij, “Nehxhul Belaga, f. 44, Hutbeja 1.

Kur’ani i Shenjtë është drita hyjnore që Allahu ia dhuroi njerëzimit për ta nxjerrë atë nga errësira e humbjes drejt dritës së së vërtetës. Ai nuk është vetëm një libër që lexohet me gjuhë, por është një udhëzim i gjallë që flet me zemrën dhe zgjon ndërgjegjen e njeriut. Në çdo ajet të tij gjendet një thirrje për drejtësi, për mirësi dhe për një jetë të ndërtuar mbi të vërtetën. Prandaj, kur njeriu i afrohet Kur’anit me sinqeritet dhe reflektim, ai gjen në të udhëzimin që e çon drejt rrugës më të drejtë dhe më të pastër.

Një nga veçoritë më madhështore të Kur’anit është se ai nuk udhëzon vetëm drejt së mirës, por drejt asaj që është më e drejta, më e përsosura dhe më e dobishmja për jetën e njeriut. Ai e orienton mendjen, e pastron shpirtin dhe e drejton shoqërinë drejt ekuilibrit dhe drejtësisë. Në një botë ku shpesh e vërteta përzihet me të pavërtetën dhe ku njeriu mund të humbasë mes shumë rrugëve, Kur’ani mbetet busulla e sigurt që e orienton besimtarin drejt rrugës së drejtë dhe të qëndrueshme.

——————————————-

  • Vlera dhe madhështia e Kur’anit

Allahu i Madhëruar dërgoi profetët (paqja qoftë mbi ta) për ta udhëzuar njerëzimin në rrugën e drejtë, dhe disa prej tyre u zbriti libra, që të jenë dritë udhëzuese për njerëzit. Por, për fat të keq, njerëzit i shtrembëruan Librat e Allahut, siç ndodhi me Teuratin dhe Inxhilin, dhe kështu devijuan nga rruga e drejtë, duke rënë në humbje të qartë.

Derisa Allahu i Madhëruar dërgoi Profetin e Tij fisnik, Muhamedin (paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij), që t’i kthejë njerëzit në rrugën e Allahut, t’i largojë nga devijimi dhe t’ua ndriçojë udhën. Atëherë Ai zbriti në zemrën e tij Librin madhështor, Kur’anin Fisnik, dhe Vetë Allahu e ruajti atë nga shtrembërimi: “Ne e kemi zbritur Përkujtimin (Kur’anin) dhe Ne do ta ruajmë atë.” (Sure el-Hixhr, ajeti 9)

Kështu ai u bë udhëzues, sqarues, këshillë dhe dritë për rrugën e atyre që ecin drejt Allahut të Madhëruar. Ai është i vetmi libër hyjnor që nuk është prekur nga dora e shtrembërimit.

Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e drejta.” (Sure el-Isra, ajeti 9)

“Libër që ta kemi zbritur ty, që t’i nxjerrësh njerëzit nga errësirat në dritë, me lejen e Zotit të tyre, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Lavdëruarit.” (Sure Ibrahim, ajeti 1)

“Ky (Kur’an) është sqarim për njerëzit, udhëzim dhe këshillë për të devotshmit.” (Sure Ali Imran, ajeti 138)

Mjafton si madhështi për Kur’anin, mjafton si pozitë, nder dhe vlerë për të, fakti se ai është Fjala e Allahut të Madhëruar dhe mrekullia e Profetit të Tij fisnik. Ajetet e tij janë ato që marrin përsipër udhëzimin e njerëzimit në të gjitha çështjet dhe fazat e jetës së tyre, në të gjitha brezat dhe epokat e tyre; dhe ato janë garantuese për arritjen e qëllimit më të lartë dhe lumturisë më të madhe, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Ai është Fjala e Allahut, dhe “Vlera e Fjalës së Allahut ndaj çdo fjale tjetër është si vlera e Allahut ndaj krijesave të Tij”,1 siç është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij).

Ai është porosia e parë e të Dërguarit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe “pesha më e madhe” (eth-thekal el-ekber) që ai la pas, duke thënë:

“Unë po lë në mesin tuaj dy gjëra të rënda (me vlerë të madhe): Librin e Allahut dhe Farefisin tim, Ehli Bejtin tim. Nuk do të humbni kurrë për sa kohë që do të kapeni pas tyre. Dhe ato të dyja nuk do të ndahen nga njëra-tjetra derisa të vijnë tek unë në Havd (në Ditën e Gjykimit).”2

[1] El-Bakillanij, Muhamed ibn et-Tajjib, “Ixhaz el-Kur’an” (Mrekullia e Kur’anit), verifikuar nga Sejjid Ahmed Sakr, Dar el-Ma’arif – Egjipt, pa vit botimi, botimi i tretë, f. 246.

[2] Shih: Et-Taberij el-Amulij, Muhamed ibn Xherir, “El-Musterëshid fi Imamet Ali ibn Ebi Talib (paqja qoftë mbi të)”, Koushanpour, Iran – Kum, 1415 h., botimi i parë, f. 559.

 

  • Si të përfitojmë nga Kur’ani Fisnik?

Një nga çështjet e rëndësishme është të dimë se si të përfitojmë nga Kur’ani Madhështor sepse nuk mjafton vetëm të njohim madhështinë dhe vlerën e këtij Libri Fisnik. Kjo arrihet duke kuptuar se ky Libër është libër mësimi dhe udhëzimi drejt Allahut dhe drejt rrugës së lumturisë së vërtetë.

Kur’ani Fisnik nuk është zbritur për të mësuar vetëm aspektet letrare, gramatikën dhe morfologjinë, as që të marrim prej tij vetëm elokuencën, retorikën dhe bukuritë stilistike e letrare. Ai nuk është as thjesht për të mësuar rrëfime dhe tregime nga këndvështrimi historik apo për t’u njohur me popujt e mëparshëm.

Gjithashtu, ai nuk është një libër që ta lexojmë vetëm për shpërblim dhe sevap, duke u kujdesur zakonisht vetëm për rregullat e leximit (texhvidin), që ta lexojmë saktë për të marrë shpërblimin, dhe të kënaqemi vetëm me kaq. Për këtë arsye, ne nuk përfitojmë plotësisht nga Kur’ani. Ajo që kërkohet, pra, është të mësojmë nga Kur’ani mënyrën e ecjes dhe të sjelljes drejt Allahut, si dhe mënyrën e zbukurimit me moral të lartë, që të arrijmë përsosmërinë dhe lumturinë.

Ekzistojnë disa çështje që na ndihmojnë të përfitojmë nga Kur’ani Fisnik, e ato janë:

Së pari: Largimi i pengesave dhe perdeve

Ndër edukatat e rëndësishme për të përfituar nga Kur’ani Fisnik është largimi i pengesave që e ndalojnë përfitimin, si dhe i perdeve që qëndrojnë mes përfituesit dhe Kur’anit. Këto perde janë të shumta; po përmendim disa prej tyre:

  1. Perdeja e vetëkënaqësisë (shikimi i vetes):

Që njeriu që mëson ta shohë veten si të panevojshme për përfitim nga ky Libër i madh, ose të mendojë se përfiton prej tij, por vetëm në drejtime që nuk ndihmojnë në udhëzim dhe në ecjen drejt Allahut të Madhëruar. Si p.sh. ai që e kufizon vështrimin e tij vetëm në aspektet juridike (fikh), filozofike, retorike, rregullat e leximit (texhvid) apo çështje të tjera që nuk prekin qëllimin themelor të Kur’anit  e ai është udhëzimi drejt Allahut. Ai kënaqet me atë që ka arritur dhe e redukton Kur’anin vetëm në fushën ku vetë është i angazhuar.

Ndërkohë, Kur’ani na ka udhëzuar të mos kënaqemi me gjendjen ku jemi. Referenca për këtë kuptim janë të shumta në tregimet kuranore. Musa, i cili ishte “Kalimullah” (Ai që foli me Allahun), me gjithë pozitën e tij të lartë, nuk u kënaq me atë që kishte. Sapo takoi një rob të përkryer si Hidri (paqja qoftë mbi të), i tha me përulësi dhe nënshtrim:

“A të të ndjek që të më mësosh nga ajo që je mësuar për udhëzim të drejtë?” (Sure el-Kehf, ajeti 66)

Kjo na mëson se përfitimi nga Kur’ani fillon me përulësi dhe me ndjenjën e nevojës së vazhdueshme për udhëzim.

  1. Prej perdeve (pengesave) është perdeja e mendimeve të prishura dhe doktrinave të kota.

Shumica e tyre vijnë nga ndjekja e verbër dhe imitimi pa mendim. Për shembull, nëse në zemrat tona rrënjoset një bindje vetëm sepse e kemi dëgjuar nga babai, nëna apo nga njerëz të paditur, ne e ndërtojmë qëndrimin tonë mbi atë bindje dhe nuk e ndryshojmë, edhe nëse na vjen argument i qartë.

  1. Një tjetër perde që pengon përfitimin nga Kur’ani është bindja se askush nuk ka të drejtë të përfitojë nga Kur’ani Fisnik, përveç asaj që kanë shkruar komentuesit (mufessirët) dhe asaj që ata kanë kuptuar.
  2. Nga perdet penguese janë edhe mëkatet dhe njollat shpirtërore që krijohen prej tyre.

 

  1. Dashuria për dynjanë, e cila e largon zemrën, duke e përqendruar tërë përpjekjen e saj në këtë botë, në dashurinë për pozitë dhe famë.

Së dyti: Të medituarit në ajetet dhe kuptimet e tij

Ndër edukatat e rëndësishme të leximit të Kur’anit është meditimi (tefekkuri). Thirrja për të medituar mbi Kur’anin Fisnik është përmendur shpesh.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ta zbritëm ty Përkujtimin (Kur’anin), që t’u sqarosh njerëzve atë që u është zbritur atyre, dhe që ata të mendojnë.” (Sure En-Nahl, ajeti 44)

Dhe thotë: “Tregoju atyre rrëfimet, që ndoshta ata mendojnë.” (Sure El-A’raf, ajeti 176)

Edhe në transmetime (hadithe) theksohet shumë meditimi. Është përcjellë nga i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) se kur zbriti ajeti fisnik:

“Vërtet, në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndërrimin e natës dhe të ditës ka shenja…” (Sure Ali Imran, ajeti 190)

ai tha: “Mjerë për atë që e lexon këtë dhe nuk mediton mbi të.”2

[2] Ibn Hibban, “Sahih Ibn Hibban”, verifikuar nga Shu’ayb el-Arna’ut, Mu’assasat er-Risala, pa vit botimi, 1414 h. – 1993 m., botimi i dytë, vëllimi 2, f. 387.

Së treti: Zbatimi i ajeteve të tij

Ndër edukatat e rëndësishme të leximit të Kur’anit, që i sjellin njeriut shumë fryte dhe përfitime të panumërta, është zbatimi (aplikimi).

Kush dëshiron të marrë pjesën e plotë nga Kur’ani Fisnik, duhet patjetër që çdo ajet ta zbatojë në gjendjen e vet, në mënyrë që të përfitojë plotësisht prej tij.

Për shembull, Allahu i Madhëruar thotë: “Besimtarë janë vetëm ata që, kur përmendet Allahu, zemrat e tyre dridhen (nga frika dhe nderimi); kur u lexohen ajetet e Tij, ua shtojnë atyre besimin dhe te Zoti i tyre mbështeten.” (Sure El-Enfal, ajeti 2)

Ai që ecën në rrugën e Allahut duhet t’i shohë këto tri cilësi tek vetja:

  • A i dridhet zemra kur përmendet Allahu?
  • Kur i lexohen ajetet e Tij, a i shtohet besimi në zemër?
  • A është mbështetja dhe besimi i tij i plotë tek Allahu i Madhëruar?

Apo është i privuar nga këto cilësi?

Nëse është i privuar, atëherë duhet të përpiqet t’i fitojë këto cilësi. Kështu, çdo ajet që lexon, ta zbatojë në praktikë. Sepse Kur’ani është libër zbatimi, jo vetëm libër recitimi. Ashtu siç morali i të Dërguarit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) ishte Kur’ani, edhe ti duhet ta bësh moralin tënd Kur’anin.

  • Braktisja e Kur’anit Fisnik

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe i tha i Dërguari: “O Zoti im! Vërtet populli im e ka bërë këtë Kur’an të braktisur.”” (Sure El-Furkan, ajeti 30)

Braktisja e Kur’anit ka nivele të ndryshme, dhe ndoshta ne jemi të prekur nga niveli kryesor i saj. A mendon se nëse e mbështjellim Kur’anin e Madhështor me mbështjellje të pastër dhe të çmuar, ose nëse e lexojmë, ose e konsultojmë, e përkëdhelim dhe e vendosim mbi sy, nuk e kemi braktisur? Apo nëse kalojmë pjesën më të madhe të jetës sonë duke u kujdesur për recitimin e tij dhe për aspektet gjuhësore, retorike dhe letrare, a nuk e kemi braktisur? Apo nëse mësojmë leximet e ndryshme, a nuk e kemi braktisur?

Shkaku kryesor i braktisjes së Kur’anit është moszbatimi i tij në jetën tonë private dhe publike. Për fat të keq, ne shpesh mund të jemi të prekur nga ky nivel i braktisjes, duke mos marrë parasysh mësimet e Kur’anit.

Dhe kjo mjafton për të kuptuar madhështinë e Kur’anit dhe rrezikun nga braktisja e tij. Ai është një prej tre gjërave që do të ankohen tek Allahu në Ditën e Kiametit, siç thotë Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të):

“Tre gjëra ankohen tek Allahu i Madhëruar: një xhami e shkatërruar ku banorët nuk falin; një dijetar midis të paditurve; dhe një Mushaf i varur që ka mbuluar pluhur dhe nuk lexohet.” (Kelini, El-Kafi, vëllimi 2, f. 613)

Të dashur vëllezër dhe motra!

Këshilla e Kur’anit është një thirrje e vazhdueshme për ta ndërtuar jetën mbi udhëzimin hyjnor. Ai i fton njerëzit të reflektojnë, të përmirësojnë veprat e tyre dhe të ndjekin rrugën që çon drejt lumturisë së kësaj bote dhe të botës tjetër.

Kush e merr Kur’anin si udhërrëfyes të jetës, ai gjen në të një dritë që nuk shuhet kurrë dhe një udhëzim që e çon drejt asaj që është më e drejta dhe më e mira për njeriun.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Fill out this field
Fill out this field
Please enter a valid email address.
You need to agree with the terms to proceed