Në ajetin 183 të sures “Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:

{یا أَیُّهَا الَّذینَ آمَنُوا کُتِبَ عَلَیْکُمُ الصِّیامُ کَما کُتِبَ عَلَی الَّذینَ مِنْ قَبْلِکُمْ لَعَلَّکُمْ تَتَّقُونَ}

“O ju që keni besuar! Agjërimi ju është bërë obligim, ashtu siç ishte bërë edhe për ata para jush, që të bëheni të devotshëm.”

Vëllezër dhe motra!

Pas dy ditëve do të na vijë një mik i veçantë. Një mik që nuk vjen me duar bosh, por vjen me mëshirë, falje, begati dhe shpëtim. Ai është muaji i Ramazanit, miku i zemrave tona, miku i besimtarëve, miku i atyre që kërkojnë afërsinë me Allahun.

Qëllimi i muajit Ramazanit nuk është vetëm të qëndruarit pa ngrënë e pa pirë. Qëllimi është devotshmëria, siç thotë edhe ajeti 183 në suren “Bekare”: “që të bëheni të devotshëm.”. Po ashtu, qëllimi i muajit të Ramazanit është edhe vetëdija e vazhdueshme për Allahun.

Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhennetit dhe mbyllen dyert e Xhehennemit.”

Kjo do të thotë se Ramazani është një mundësi e bekuar, është një derë e hapur për pendim dhe kthim tek Allahu.

Muaji iRamazanit është muaji në të cilin zbriti Kur’ani. Në ajetin 185 të sures “Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:

{شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ}

“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur’ani, udhërrëfyes për njerëzit…”

Ky mik i dashur na fton të kthehemi tek Libri i Allahut: ta lexojmë, ta kuptojmë dhe ta zbatojmë. Imamët e Ehli Bejtit e shtonin shumë leximin e Kur’anit në këtë muaj. Ata e shihnin Ramazanin si pranverën e shpirtit dhe të Kur’anit.

Pyetja për ne është: Sa afër do të jemi me Kur’anin në këtë Ramazan?

Muaji i Ramazanit është shkollë e edukimit, disiplinës dhe moralit. Agjërimi nuk është vetëm ndalim nga ushqimi, por edhe ndalim nga gjuha e keqe, nga përgojimi, nga zemërimi, nga padrejtësia.

Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij!) ka thënë: “Kush nuk heq dorë nga fjala e rreme dhe veprimi me të, Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë ushqimin dhe pijen.”

Muaji i Ramazanit është shkollë edukative dhe morale. Ai na meson durimin, faljen, bujarinë, ndjeshmërinë ndaj të varfërve. Kur ndjejmë uri, kujtojmë ata që janë të uritur gjatë gjithë vitit.

Muaji i Ramazanit vjen si një mysafir i dashur, por qëndron vetëm 30 ditë. Profeti Muhamed dhe imamët e Ehli Bejtit hidhëroheshin dhe qanin në fund të muajit të Ramazanit.

Meqenëse ky muaj është me ditë të numëruara, siç thotë edhe ajeti 184 në suren “Bekare”: أَيَّامًا مَّعْدُودَاتٍ ۚ “Ditë të numëruar”, atëherë le të mendojmë: Sa Ramazane kemi kaluar? Sa prej tyre na kanë ndryshuar? A do të jetë ky Ramazani ynë më i mirë?

Ne nuk e dimë nëse do ta arrijmë Ramazanin tjetër. Prandaj ky Ramazan le të jetë për ne: pendimi i sinqertë, fillimi i një jete të re dhe kthim te Allahu.

Si ta presim mikun tonë?

Nëse do të na vinte një mik i nderuar në shtëpi, do të përgatiteshim sa më mirë. Duke gatuar ushqimet më të mira, duke rregulluar dhe sistemuar shtëpinë, duke zgjedhur qerasjet më të mira, etj. Po për Ramazanin si të përgatitemi?

Për të pritur muajin e Ramazanit duhet të kemi qëllim të sinqertë, zemër të pastër nga urrejtja, nga smira, nga zilia; Vendime konkrete për ndryshim; Plan për leximin e Kur’anit; Shtim të namazit dhe lutjes. Le ta presim muajin e Ramazanit me gëzim, jo me përtaci.

Miku i dashur po na vjen. Ai po troket në zemrat tona. Le t’ia hapim derën e zemrës sonë me: besim, përulësi, dashuri për Allahun.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në hytben e tij, në pritje të ardhjes së muajit të Ramazanit, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na njeh me mirësitë e mëdha të këtij muaji të begatë, si dhe na prezanton një program tëmrekullueshëm për këtë muaj të begatë. Në atë hytbe profeti ynë i dashur, ka thënë:

“Kush e zbukuron moralin e tij në këtë muaj, do të ketë leje kalimi të sigurt mbi Urën e Siratit.

Kush e përmban të keqen e tij në të, Allahu do ta përmbajë zemërimin e Vet ndaj tij.

Kush e nderon një jetim në të, Allahu do ta nderojë atë.

Kush e mban lidhjen farefisnore në të, Allahu do ta lidhë me mëshirën e Tij.

Kush e ndërpret lidhjen farefisnore në të, Allahu do ta ndërpresë prej tij mëshirën e Vet.

Kush fal në të një namaz vullnetar, Allahu do t’i shkruajë atij shpëtim nga Zjarri.

Kush kryen në të një obligim (farz), do të ketë shpërblimin e atij që ka kryer shtatëdhjetë obligime.

Kush e shton në të salavatin për mua, Allahu do t’ia rëndojë peshoren e veprave të mira.

Kush lexon në të një ajet nga Kur’ani, do të ketë shpërblimin e atij që e ka përfunduar (hatme) tërë Kur’anin.”

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na mëson se Ramazani nuk është vetëm agjërim, por është: Muaji i Ramazanit është kontroll i vetes dhe edukim i karakterit. Muaji i Ramazanit forcon solidaritetin, familjen dhe dhembshurinë. Çdo vepër në Ramazan ka peshë shumëfish më të madhe. Muaji i Ramazani është një mundësi e bekuar ku në të morali ngrihet, mëshira zgjerohet, lidhjet forcohen, veprat shumëfishohen, dhe rruga drejt shpëtimit lehtësohet. Prandaj, mos e humb këtë mundësi! Çdo vepër e vogël në Ramazan mund të bëhet e madhe tek Allahu.

Ky muaj është ofertë e hapur për falje, ngritje shpirtërore dhe shpëtim.

Lusim Allahun që të na mundësojë ta presim Mikun tonë të dashur, muajin e Ramazanit, dhe të na japë forcë për ta agjëruar me sinqeritet dhe të na bëjë nga ata që dalin prej tij të falur dhe të pastruar nga gjynahet!

Allahu na bëftë prej miqve të vërtetë të Ramazanit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Fill out this field
Fill out this field
Please enter a valid email address.
You need to agree with the terms to proceed