Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në hytben e mbajtur në pritje të muait të Ramayanit ndër të tjera ka thënë:

ومن تلا فيه آية من القرآن كان له مثل أجر من ختم القرآن في غيره من الشهور.

“Cilido që në këtë muaj lexon një ajet të Kur’ànit, ai ka shpërblimin e leximit të të gjithë Kur’ànit në muajt e tjerë.” Pra ai që lexon një ajet në muajin e Ramazanit ka shpërblimin e leximit të 6348 ajeteve në muajt e tjerë.

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Për çdo gjë ka pranverë dhe pranvera e Kur’anit është muaji i Ramazanit.” Sa përshkrim I bukur! Ashtu si pranvera e cila na kënaq me bukurinë dhe hijeshinë e saj nëpërmjet gjelbërimt dhe lulëzimit, po ashtu edhe Kur’ani e kënaq zemrën dhe e shpirtin dhe u jep energji sa herë që lexohet.

Të dashur vëllezër e motra: Allahu e ka nderuar këtë muaj të madh dhe të bekuar duke zbritur në të Librin e Tij më të madh dhe vulën e të gjithë librave qiellorë, Kur’ani i Shenjtë, siç thotë ajeti 185 i sures Bekare:

(شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ)

Kur’ani fisnik është Fjala e mrekullueshme e All-llahut Fuqiplotë. Ai është baza dhe themeli i fesë, mendimit dhe civilizimit islam. Siç njofton vetë Kur’ani, ai zbriti në muajin e Ramazanit, si udhëzim dhe orientim për njerëzit. Zoti e zbriti atë që njerëzimi ta lexojë, ta studiojë dhe me të ta zbulojë botën dhe sekretet e saj.

Një prej mundësive të përkyera në muajin e Ramazanit për të qetësuar shpirtin është leximi i Kur’anit të Shenjtë dhe ky lexim të jetë i shoqëruar me kuptim, arsyetim dhe zbatim, sepse Libri i Allahut, të cilit nuk i vjen e kota nga asnjë anë, siç thotë ajeti 41-42 i sures Fusilet:

وَإِنَّهُ لَكِتَابٌ عَزِيزٌ*لَّا يَأْتِيهِ الْبَاطِلُ مِن بَيْنِ يَدَيْهِ وَلَا مِنْ خَلْفِهِ تَنزِيلٌ مِّنْ حَكِيمٍ حَمِيدٍ)

“…Ai është vërtet një Libër i madhërueshëm. Atij nuk mund t’i afrohet e kot gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej të Urtit që meriton të gjitha lavdet.”

Është i pandryshuar dhe udhëzon në atë që është më e mira më e përkryera dhe më e dobishmja, siç thotë ajeti 9 i sures “Isra”: “Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” 

Allahu i lavdëron ata që e lexojnë Kur’anin, siç thotë në ajetin 29 të sures Fatir:

 (إِنَّ الَّذِينَ يَتْلُونَ كِتَابَ اللَّهِ وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ وَأَنْفَقُوا مِمَّا رَزَقْنَاهُمْ سِرًّا وَعَلَانِيَةً يَرْجُونَ تِجَارَةً لَنْ تَبُورَ)

Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, ata shpresojnë një fitim që nuk do të humbasë.”

Kur’ani i Shenjtë është ai që i mëson njeriut balancimin dhe ekuilibrin mes materiales dhe shpirtërores në çdo sferë të jetës. Prandaj, le të jetë Kur’ani shoqëruesi ynë më i mirë në muajin e Ramazanit dhe në të gjithë jetën tonë!

Nëpërmjet mësimeve të tij të qarta e të larta, Kur’ani na tregon rrugën më të mirë për të arritur lumturinë në këtë Jetë dhe në Jetën Tjetër. Në suren “Haxh”, ajeti 40, thuhet: “Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.”

Kur’ani është dritë. Ai ndriçon zemrën dhe shpirtin. Nëse shoqëroheni me Kur’anin, do të shihni se si do t’ju ndriçohet zemra dhe shpirti. Me bekimin e Kur’anit, shumë errësira dhe perde largohen nga zemra dhe shpirti i njeriut. Me mirësitë e Kur’anit, njeriu del nga errësirat e iluzioneve, gabimeve, rrëshqitjeve dhe dyshimeve, duke ecur në dritën e udhëzimit.

Rruga e shpëtimit për të gjithë popujt islamë është afrimi me Islamin dhe me Kur’anin. Nëse një komb është në gjendje të jetojë me atmosferën kur’anore dhe të fitojë prej dijes kur’anore, do të jetë në gjendje të kapërcejë problemet që i dalin. Problemi më i madh nga i cili vuajnë myslimanët, është largimi nga Kur’ani. Ilaçi i problemit është kthimi te Kur’ani.

Kur’ani është det i thellë, i paanë. Sado larg të udhëtosh, qoftë në sipërfaqe apo në thellësi të tij, prapëseprapë ekziston mundësia e lëvizjes, e përparimit. Sa më shumë të ecni përpara me Kur’anin, aq më shumë etje dhe dëshirë do të keni për të dhe zemrat tuaja do të jenë më të ndritshme.

Kur’ani dëshiron që myslimanët të jenë vigjilentë. Përballë vullnetit hyjnor dhe kur’anor qëndron vullneti i të dehurve nga pushteti dhe i robërve të epshit. Ajeti 26 i sures “En Nisa” shpjegon vullnetin e Zotit: “Allahu dëshiron që t’ju sqarojë, t’ju udhëzojë në rrugën e të Dërguarve të mëparshëm dhe t’jua pranojë pendimet tuaja. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”. Kjo do të thotë se Allahu dëshiron t’ju udhëzojë dhe t’ju tregojë Rrugën e Drejtë, t’ju ndriçojë dhe t’ju bëjë të vetëdijshëm.

Ne duhet të kapemi me Kur’anin dhe t’i përmbahemi atij. Sot ne kemi nevojë për Kur’anin, qoftë në jetën tonë personale apo shoqërore, qoftë në sjelljen tonë politike apo qeveritare. Kur’ani na jep frymë dhe njohuri. Afrimi te Kur’ani duhet të jetë me pastërti, që drita e Kur’anit dhe përkujtimi kur’anor të ndikojë në zemrat tona dhe të kemi dobi prej tij, në dashtë Allahu.

Kushdo që dëshiron të përshkojë rrugën praktike kur’anore, duhet të përgatisë zemrën e tij për t’u përballur me të vërtetën e pastër kur’anore, pra ta ketë të pastër zemrën. Nëse zemra nuk është e pastër dhe nuk është e gatshme të pranojë të vërtetën nga gjuha e Kur’anit, nëse është e lidhur me themelet joislame dhe jo hyjnore, atëherë, kur ajo zemër t’i drejtohet Kur’anit, asgjë nuk do të fitojë prej tij.

KUR’ANI NË HADITHE

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:  “Nëse dikush prej jush dëshiron të flasë me Zotin e tij, le të lexojë a të këndojë Kur’anin!”

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Thënia më e vërtetë, këshilla më e lartë dhe tregimi më i përsosur është Libri i All-llahut.”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na këshillon dhe na thotë: “Ju duhet të jeni ndër përhapësit e Kur’anit dhe prej pasuesve të tij. Bëjeni atë udhëzuesin tuaj drejt Zotit tuaj. Kërkoni prej tij këshilla për veten tuaj.”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Shtëpia në të cilën lexohet Kur’ani dhe përmendet Allahu i Madhëruar, asaj i shtohet bereqeti, në atë shtëpi janë të pranishëm engjëjt dhe shejtanët largohen prej saj. Ajo shtëpi ndriçon për banorët e qiellit ashtu si yjet ndriçojnë për banorët e tokës. Dhe, vërtet, në atë shtëpi në të cilën nuk lexohet Kur’ani dhe nuk përmendet Allahu i Madhëruar, asaj i pakësohet bereqeti, do ta braktisin engjëjt dhe në të do të jenë të pranishëm shejtanët.”

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nëse dëshironi jetesën e të lumturve, vdekjen e dëshmorëve, shpëtimin në Ditën e vështirësisë, hijëzimin në ditën e nxehtë dhe udhëzimin në ditën e humbjes, studiojeni Kur’anin sepse ai është Fjala e Rahmanit (Gjithëmëshirmit), mbrojtje prej djallit dhe anues për nga veprat e mira në peshore.”Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zot! E kam privuar nga ushqimi dhe pija, prandaj më lejo që të ndërmjetësojë për të! Ndërsa Kur’ani do të thotë: E kam privuar nga gjumi i natës, prandaj më lejo që të ndërmjetësojë për të! Kështu që ata të dy do të ndërmjetësojnë.” https://youtu.be/JkisEoowraU

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Fill out this field
Fill out this field
Please enter a valid email address.
You need to agree with the terms to proceed