Në ajetin 3 të sures Kadr Allahu i Madhëruar thotë:
﴿لَيۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ خَيۡر مِّنۡ أَلۡفِ شَهۡر﴾.
“Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.”
Nata e Kadrit” do të thotë “Nata e Caktimit”. Në këtë natë, Allahu i Madhëruar ka
filluar t’i shpallë Kuranin Profetit Muhamedit (a.s.). Ajo është një nga netët teke të 10-ditëshit të fundit të muajit Ramazan. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit!”
Fjala kadr do të thotë madhësi, sasi, masë, vëllim, numër, paracaktim, parashkruarje, caktim. Gjithashtu, fjala tekdir vjen me kuptimin: vlerësim, çmuarje, përcaktim mase
Nata e Kadrit dhe kalimi i saj duke bërë adhurim, është një nga mundësitë e mëdha që Allahu i Madhëruar i ka dhënë njeriut me qëllim që ai ta kthejë zemrën dhe mendjen tek Ai. Të kërkojë prej Tij në këtë Natë madhështore: ndihmë, mbrojtje, mëshirë, falje, dhe të vlerësojë atë që është e mirë për fenë e tij për këtë botë dhe për ditët në vijim. Nata e Kadrit konsiderohet si nata në të cilën janë çastet më të mira të jetës së njeriut.
Nata e Kadrit është një stacion shpirtëror dhe moral, nëpërmjet të cilit njeriu forcon akoma më shumë lidhjen me Krijuesin e tij, nëse e shfrytëzon mirë dhe e kalon atë Natë me adhurim e përgjërim.
Nata e Kadrit është natë e hapur për të gjithë robtë e Zotit, pa përjashtim, që të qëndrojnë para Tij dhe t’i luten Atij. Gjynahqari ka pjesë në të, për t’i kërkuar falje Allahut dhe për t’u penduar tek Ai për gjynahet, shkeljet dhe keqbërjet që ka bërë. Edhe besimtari ka pjesë në këtë Natë që t’i kërkojë Allahut t’ia shtojë bindjen dhe qëndrueshmërinë në besimin dhe fenë e tij.
Nata e Kadrit është zemra e muajit të Ramazanit. Në këtë Natë veprat e mira arrijnë kulmin e shpërblimit të tyre. Allahu i Madhëruar i urdhëron robtë e Tij që ta përkujtojnë këtë Natë me veprat më bujare të tyre dhe të arrijnë në këtë Natë në majën më të lartë të pastërtisë, qetësisë dhe nderimit.
Nata e Kadrit është dhuratë e Allahut të Madhëruar për këtë ymet. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Vërtet, Allahu i dhuroi ymetit tim Natën e Kadrit, e cila nuk i është dhuruar askujt prej popujve të mëparshëm.”
Profeti Muhamed i këshillonte besimtarët që gjatë këtyre netëve t’i shtonin më shumë adhurimet e tyre, me qëllim që të krijohej një ndryshim themelor në gjendjen mendore, shpirtërore si dhe në atë të zemrës. Ai gjithashtu këshillonte që të largoheshin sa më shumë nga mëkatet dhe të forconin besimin e tyre.
Gjatë këtyre netëve krijohen më shumë mundësi për udhëzim në rrugën e drejtë dhe për zgjimin shpirtëror të njeriut. Nata e Kadrit është nata e dritës dhe e shpresës, është nata që njeriu me sinqeritetin më të madh të ulet dhe të mendohet më shumë dhe me anë të adhurimit të sinqertë të Zotit të Madhëruar, të çlirohet nga prangat e mëkateve të cilat kanë mbyllur zemrën e njeriut dhe po pengojnë hyrjen e dritës së udhëzimit në të. Gjatë këtyre netëve hapet një dritare nga Xheneti drejt tokës dhe aroma e natës së Kadrit kaplon të gjithë atmosferën e shpirtit të njeriut. Në këto net shpirtërore, çdo njeri i drejtohet Zotit të botëve dhe kërkon të zhytet në oqeanin e mirësisë dhe të mëshirës së Tij duke u munduar të përjetojë disa çaste të afërsisë së tij me Zotit e Madhëruar.
Karakteristikat e Natës së Kadrit
Nëse do të donim të shpjegonim karakteristikat e kësaj Nate të bekuar, do të mjaftonte ajo që përmend Kur’ani i Shenjtë i cili na e shpjegon qartasi Natën e Kadrit. Për këtë në Kur’an thuhet:
1- Nata e Kadrit është Nata e zbritjes së Kur’anit. Në ajetin e parë të sures Kadr Allahu thotë:
﴿إِنَّآ أَنزَلۡنَٰهُ فِي لَيۡلَةِ ٱلۡقَدۡرِ﴾.
“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.”
2- Nata e Kadrit është natë e bekuar. Për këtë në ajetin 3 të sures Dukhan Allahu thotë:
﴿إِنَّآ أَنزَلۡنَٰهُ فِي لَيۡلَة مُّبَٰرَكَةٍۚ﴾.
“Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar…”
3- Nata e Kadri është Nata në të cilën caktohet rrizku dhe mosha përgjatë vitit. Në ajetin 4 të sures Dukhan Allahu thotë:
﴿فِيهَا يُفۡرَقُ كُلُّ أَمۡرٍ حَكِيمٍ﴾
“Në atë, vendoset çdo punë e urtë.”
4- Nata e Kadrit është më e përsosura se netët e tjera. Në ajetin 3 të sures Kadr Allahu i Madhëruar thotë:
﴿لَيۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ خَيۡر مِّنۡ أَلۡفِ شَهۡر﴾.
“Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.”
5- Nata e Kadrit është Nata në të cilën zbresin melekët në Tokë me bereqete, mirësi e mëshirë. Në ajetin 4 të sures Kadr Allahu thotë:
﴿تَنَزَّلُ ٱلۡمَلَٰٓئِكَةُ وَٱلرُّوحُ فِيهَا بِإِذۡنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمۡر﴾.
” Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.”
6- Nata e Kadrit është e zbrazët nga e keqeja dhe lëndimi. Ajo është Nata e adhurimit dhe e veprave të mira. Është Nata e shpëtimit nga dënimi. Është Nata e paqes. Në ajetin 5 të sures Kadr Allahu thotë:
﴿سَلَٰمٌ هِيَ حَتَّىٰ مَطۡلَعِ ٱلۡفَجۡرِ﴾.
“Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.”
Gjatë këtyre netëve të ndritura, janë të mbyllura dyert e Xhehenemit, ndërsa shejtani i mallkuar është i lidhur me zinxhirë. Për udhëtarët e rrugës së vërtetë, Nata e Kadrit është rasti më i mirë për të vazhduar rrugën e tyre me adhurim dhe lutje duke pastruar zemrën e tyre edhe më shumë. E kanë pyetur Imam Sadikun (Paqja qoftë mbi të!) se në çfarë mënyre Nata e Kadrit është më e vlefshme sesa një mijë netë të tjera? Ai është përgjigjur: “Adhurimi gjatë Natës së Kadrit është më i vlefshëm sesa adhurimi në një mijë muaj ku nuk ka Natë Kadri”.
Me të vërtetë, Nata e Kadrit është një rast shumë i mirë dhe i vlefshëm që njeriu të pastrojë veten me dritën e Kur’anit; që njeriu të pastrojë ndryshkun e zemrës në burimin e shpalljes së Allahut. Çastet në Natën e Kadrit konsiderohen të jenë çastet më të mira të jetës së njeriut. Një prej veprave më të mira gjatë Natës së Kadrit për njeriun, konsiderohet të jetë njohja e vetes si dhe gjetja e karakteristikave pozitive dhe negative të njeriut. Njohja e vetes është një përgatitje e rëndësishme e njeriut në rrugën drejt njohjes së Zotit të Madhëruar. Të menduarit në veten e njeriut duke kërkuar përgjigjen e pyetjeve të tilla, si nga ka ardhur, për çfarë ka ardhur, ku do të shkojë, çfarë detyre ka për të kryer – janë çështje të cilat përgatisin rrugën për ta njohur Zotin e Madhëruar.Profeti i nderuar i Islamit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kushdo që nuk i shfrytëzon begatitë e Natës së Kadrit, është sikur të mos i shfrytëzojë të gjitha mirësitë tjera”. https://youtu.be/xrOfmxh3n-g
