Jemi akoma në bankat e shkollës më të mirë dhe më të përkryer. Është shkolla e cila na edukon, na skalit dhe na ndërgjegjëson më shumë me qëllimin e ardhjes tonë në këtë jetë. Është shkolla që na mëson se petku më i mirë është devotshmëria. Ajo është shkolla e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Edhe kjo shkollë, si çdo shkollë tjetër, përmban lëndët e saj mësimore dhe e edukative. Por kjo shkollë ndryshon nga shkollat e tjera sepse programuesi i kësaj shkolle është Allahu i Madhëruar, Krijuesi i gjithësisë dhe i mbarë njerëzisë.

Edhe pak ditë kanë mbetur nga mbyllja e kësaj shkolle për këtë vit. Të gjithë duhet të përfitojmë nga kjo shkollë. Me dëshirën e Allahut, diploma jonë të jetë me rezultatet më të shkëlqyera në ditën e Bajramit!

———————————————————————-

Ajo që i jep vlerë edhe më shumë kësaj shkolle të Allahut është prania e Natës së Kadrit në të. Nata e Kadrit është prej çasteve më të mira dhe më të këndshme për njeriun. Në këtë Natë të madhe zbresin mirësia, mëshira, falja dhe begatia e Allahut për njerëzit. Kjo është nata më e volitshe për pastrimin e zemrave e të shpirtave tanë. Kjo është nata e dritës dhe e shpresës. Është nata në të cilën njeriu me çiltërsinë më të madhe duhet të ulet dhe të mendojë më shumë për qëllimin e ardhjes së tij në këtë jetë.

Në këtë natë njeriu duhet të përpiqet që me anë të adhurimit të Allahut të Madhëruar të çlirohet nga prangat e mëkateve e të gjynaheve që ia kanë mbyllur atij zemrën duke penguar hyrjen e dritës së udhëzimit në të. Në këtë natë është hapur një dritare nga Parajsa drejt tokës dhe aroma që del nga ajo dritare mbulon të gjithë gjithësinë.

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Cilido që nuk i shfrytëzon begatitë e natës së Kadrit, është njësoj si ai njeri që nuk i shfrytëzoon të gjitha mirësitë tjera.”

Për besimtarët e vërtetë e të sinqertë Nata e Kadrit është rasti më i mirë për të vazhduar rrugën e tyre të besimit, adhurimit, lutjes dhe veprave të mira për të pastruar sa më shumë zemrat e tyre.

Gjatë dhjetë ditëve të fundit të muajit të Ramzanit Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet  e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e paloste dyshekun e tij dhe qëndronte zgjuar duke adhuruar në xhami. Për këtë, edhe besimtarët myslimanë, duke ndjekur udhëheqësit e tyre shpirtërorë, në krye të të cilëve është profeti Muhamed dhe familja e tij e pastër dhe e dlirë, qëndrojnë zgjuar gjatë këtyre netëve duke bërë adhurim dhe lutje për t’u afruar sa më afër Allahut të Madhëruar.

Nata e Kadrit është një rast shumë i vlefshëm që njeriu të pendohet dhe të kthehet te Krijuesi i tij, Allahu Fuqiplotë. Me të vërtetë nata e Kadrit është momenti më i mirë dhe më i vlefshëm që njeriu të pastrojë veten e tij me dritën e Kur’anit të shejntë dhe të largojë ndryshkun e zemrës në burimin me ujin e pendimit.

Në Kur’anin e shenjtë gjendet një sure e plotë me emrin “Kadr”, në të cilën thuhet: Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit. (Sure “Kadr”, ajetet 1-5)

Kjo sure e bekuar tregon disa të vërteta që kanë lidhje me Natën e Kadrit, me karakteristikat e saj, cilësitë e saj, zbritja e Kur’anit në këtë Natë, zbritja e engjëjve dhe e shpirtit për të zbatuar çdo çështje prej çështjeve të njeriut. Ajo tregon se kjo natë është natë e paqes.

Sigurisht, që nata e Kadrit është e veçantë dhe dallohet nga netët e tjera të vitit. Në Kur’an përmendet pozita dhe vlera e lartë e kësaj nate të Madhe. Allahu i Madhëruar thotë: Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.” Një mijë muaj është e barabartë me më shumë se 80 vjet jetë.

Cila është ajo natë vlera e së cilës është e barabartë me një moshë të begatë e të gjatë prej më shumë se tetëdhjetë vjet? Adhurimet në të janë më të mira se adhurimet e njëmijë muajve. Veprat dhe punët në këtë natë janë më të mira se sa punët dhe veprat e mira në një mijë muaj.

Është detyrë që të njihemi me vlerën e madhe të Natës së Kadrit. Duhet që të gjitha netët e jetës tonë të jenë Natë Kadri. Të jenë netë të mbushura me besim, me adhurim, me falje e me respekt.

Ajo është nata në të cilën mëshira hyjnore zbret mbi zemrat e besimtarëve dhe dyert e faljes hapen më gjerë se kurrë. Në këtë natë të bekuar, njeriu ka mundësinë të afrohet më shumë me Krijuesin e tij, të kërkojë falje për gabimet e së kaluarës dhe të vendosë hapa të rinj drejt rrugës së drejtë.

Çdo lutje, çdo istigfar dhe çdo vepër e mirë e bërë me sinqeritet në këtë natë ka një peshë të jashtëzakonshme para Allahut, sepse ajo është natë e mëshirës, e faljes dhe e përtëritjes së shpirtit.

Prandaj besimtari i vetëdijshëm nuk e lë këtë natë të kalojë në pakujdesi apo në shpërqendrim. Ai e pret atë me zemër të përulur, me gjuhë që përmend Allahun dhe me shpirt që kërkon afërsinë e Tij. Në qetësinë e kësaj nate, njeriu kupton se jeta e vërtetë nuk matet me vite, por me çaste të mbushura me besim dhe përkushtim.

Nata e Kadrit është një thirrje hyjnore që zemra të zgjohet dhe që shpirti të rigjejë dritën e tij në adhurimin dhe dashurinë për Allahun.

Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën e Tij në këtë jetë. Të jemi prej zbatuesve të porosive të Tij, sepse porositë e Allahut janë shëruese për zemrat dhe shpirtrat. Porositë e Allahut janë ndriçuese për mendjet. Me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat. Qetësia më e madhe fitohet në Natën e Kadrit.

Allahu na rregjistroftë prej punëmirëve dhe na bëftë prej shpëtuesve nga zjarri i Xhehenemit.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në një lutje në muajin e begatë të Ramaznit thuhet: “…O Zoti im, unë të lutem vetëm Ty për ato punë të vulosura që Ti vendos e cakton në çdo Natë Kadri, për vendimin e caktimin Tënd që as nuk sprapset e as nuk tjetërsohet, të lutem të më shkruash mua prej atyre (që kthehen) me Haxh të pranuar e të falenderuar në “Shtëpinë Tënde të Shenjtë”, dhe (më bëj) nga ata që Sa’ji tyre është për ta falje mëkatesh dhe shlyerje e veprave të këqija! Bëj për mua o Allah pjesë ndër ato çka do të vendosësh e të caktosh, të më shtosh jetën, të bësh bollëk në furnizimin tim me ushqim, të kryesh për mua emanetin tim e të shlyesh borxhin tim; m’i prano këto lutje, o Zot i botëve!”

(Lartësimi i shpirtit, faqe 454, botim i shoqatës FLLADI.)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Fill out this field
Fill out this field
Please enter a valid email address.
You need to agree with the terms to proceed