Përdorimi i gjuhës është një nga dhuntitë më të mëdha që Allahu i Madhëruar i ka falur njeriut. Me të ai shpreh besimin, ndërton marrëdhënie, përhap dituri dhe forcon zemrat; por me të njëjtën gjuhë mund të lëndojë, të përçajë dhe të shkatërrojë.

Kur’ani i Shenjtë e vendos fjalën në një pozitë të lartë morale, duke na kujtuar se çdo shprehje është nën vëzhgimin hyjnor: “Nuk nxjerr ai asnjë fjalë, veçse pranë tij është një mbikëqyrës i gatshëm.” (Sure Kaf, ajeti 18). Kjo e bën gjuhën jo thjesht mjet komunikimi, por amanet dhe përgjegjësi.

Përdorimi i pahijshëm i gjuhës – përmes fyerjes, përgojimit, shpifjes apo talljes – përbën devijim nga etika islame dhe cenim të dinjitetit njerëzor. Allahu urdhëron: “O ju që besuat! Le të mos përqeshë një popull tjetrin…” (Sure Huxhurat, ajeti 11), duke e lidhur pastërtinë e fjalës me pastërtinë e zemrës.

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka theksuar se besimtari i vërtetë nuk është fyes, as mallkues, as i turpshëm në fjalë. Në dritën e këtyre udhëzimeve, gjuha bëhet pasqyrë e imanit dhe peshojë e karakterit, ndërsa kontrolli i saj shndërrohet në rrugë drejt shpëtimit dhe fisnikërisë shpirtërore.

———————————————————–

Në ajetet 8-10 të sures “Beled” Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy,  edhe gjuhë, edhe dy buzë, dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët?”

Gjuha është një nga mirësitë e mëdha të Allahut, por ajo është edhe një nga sprovat më të rrezikshme. Me gjuhën mund të fitojmë Xhennetin, por me të mund të meritojmë edhe dënimin. Një fjalë e vetme mund të ndërtojë zemra, ndërsa një tjetër mund të shkatërrojë familje, shoqëri e kombe.

Në ajetin 18 të sures “Kaf” Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk shqipton ai asnjë fjalë, e që pranë tij të mos jetë një mbikëqyrës i gatshëm (për ta shënuar).”

Pra, sipas këtij ajeti të begatë çdo fjalë regjistrohet. Çdo fjalë ka peshë.

Allahu i Madhëruar na ka mirësuar me gjuhën që ne ta përdorim në të mirë dhe jo në të këqija. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Botën Tjetër, le të flaës mirë ose të heshtë.”

Sa i mrekullueshëm ky hadith i Profetit dhe sa edukativ!

Mirëpo, për fat të keq shohim se shumica e njerëzve e përdorin këtë mirësi të Allahut, gjuhën, për gjëra të pahijshme. Prej tyre janë:

 

 1- Përgojimi dhe thashethemet

Në ajetin 12 të sures “Huxhurat” Allahu i Madhëruar thotë: “Mos e përgojoni njëri-tjetrin. A do ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?!”

Sa i rëndë është ky përngjasim! Përgojimi nuk është thjesht një fjalë – është cenim i nderit të vëllait besimtar.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “A e dini çfarë është përgojimi?” Ata thanë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.

Ai tha: “Të përmendësh për vëllain tënd atë që ai nuk e pëlqen.”

Nëse ajo që thuhet është e vërtetë, është përgojim. Nëse është gënjeshtër, është shpifje.

Është transmetuar nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Përgojimi është ushqimi i qenve të Xhehenemit.”

Ndërsa imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush përgojon një besimtar, Allahu e nxjerr atë nga miqësia e Tij dhe e lë në miqësinë e shejtanit.”

Sa shumë humbje për një fjalë!

2- Shpifja dhe cenimi i nderit

Në ajetin 23 të sures “Nur” Allahu paralajmëron e thotë: “Vërtet, ata që shpifin për gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në Tjetrën; për ata ka dënim të madh.”

Shpifja është një nga mëkatet më të mëdha sepse shkatërron familje, nder dhe besim.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Shmanguni shtatë mëkateve shkatërruese”, dhe ndër to përmendi shpifjen ndaj grave të ndershme.

3- Tallja, përqeshja dhe nofkat fyese

Të gjitha këto janë të ndaluara në Islam. Për këtë, në ajetin 11 të sures “Huxhurat” Allahu i Madhëruar thotë: “Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëritjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.”

Sa shpesh sot njerëzit e bëjnë talljen argëtim, ironinë kulturë, dhe poshtërimin “humor”.

Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Muslimani është vëllai i muslimanit; nuk e poshtëron dhe nuk e përçmon.”

Ndërsa imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Plaga e gjuhës është më e rëndë se plaga e shpatës.” Shpata plagos trupin, por fjala plagos zemrën.

4- Fjalët e pahijshme dhe sharjet

Në ajetin 148 të sures “Nisa” Allahu thotë: “Allahu nuk e do që e keqja të shpallet haptazi me fjalë…”

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Besimtari nuk është sharës, as mallkues, as i pamoralshëm në fjalë.”

Gjithashtu, Profeti ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.” Heshtja shpesh është adhurim.

 

5- Shtrembërimi i fjalës dhe manipulimi

Në ajetin 46 të sures “Nisa” Allahu përmend ata që “i përdredhin gjuhët e tyre dhe shtrembërojnë fjalët” dhe thotë: “Në mesin e hebrenjve ka nga ata që i nxjerrin fjalët nga konteksti i tyre dhe i thonë Profetit: “Dëgjuam, por nuk të bindemi”! dhe “Dëgjo, mos dëgjofsh!” dhe “Ra’iná!”, duke shtrembëruar (shprehjet) me gjuhën e tyre dhe duke shpifur për fenë. Po sikur ata të kishin thënë: “Dëgjuam dhe u bindëm!” dhe “Dëgjo!” e “Shikona neve!”, kjo do të ishte më e mirë dhe më e drejtë për ata. Allahu i mallkoi ata për shkak të mohimit të tyre, prandaj ata nuk besojnë, përveç një numri të vogël.”

Kjo përfshin manipulimin, ironinë me qëllim dëmtimi, keqinterpretimin e qëllimshëm. Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të) se ka thënë: “Gënjeshtra e prish besimin ashtu si uthulla prish mjaltin.”

 

6- Fjala e rreme dhe dëshmia e pavërtetë

Në ajetin 30 të sures “Haxh” Allahu i Madhëruar thotë: “…shmanguni thënies së rreme.”

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e përsëriste aq shumë paralajmërimin për dëshminë e rreme, sa sahabët menduan se nuk do të ndalej. Dëshmia e rreme rrëzon drejtësinë, shkatërron jetët e njerëzve dhe sjell padrejtësi shoqërore.

7- Ngritja e zërit dhe ashpërsia në komunikim

Në ajetin 19 të sures “Lukman” Allahu i Madhëruar thotë: “Ule zërin tënd, vërtet, zëri më i shëmtuar është zëri i gomarëve”

Islami edukon qetësinë, butësinë dhe dinjitetin. Është transmetuar nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Zemra e të mençurit është pas gjuhës së tij, ndërsa gjuha e të pamendit është para zemrës së tij.”

I mençuri mendon pastaj flet. I pamendi flet pastaj pendohet.

Si ta ruajmë gjuhën?

– Të mendojmë para se të flasim.

– Të pyesim veten: A është e vërtetë? A është e dobishme? A është e domosdoshme?

– Të përmendim Allahun shpesh – sepse dhikri e pastron gjuhën.

– Të kërkojmë falje për fjalët e kota.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Njeriu mund të thotë një fjalë që e kënaq Allahun dhe të ngrihet me të në grada të larta; dhe mund të thotë një fjalë që e zemëron Allahun dhe të bjerë me të në Xhehenem.”

Le ta bëjmë gjuhën tonë mjet për dhikër, për këshillë, për pajtim dhe për fjalë të mira!

Allahu na bëftë prej atyre që e ruajnë gjuhën, e pastrojnë zemrën dhe flasin vetëm atë që e kënaq Atë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Fill out this field
Fill out this field
Please enter a valid email address.
You need to agree with the terms to proceed