Muaji i Ramazanit nuk është thjesht një periudhë agjërimi, por një shkollë hyjnore e edukimit moral dhe pastrimit të brendshëm. Ai vjen si një dritë që zgjon ndërgjegjen, forcon vetëkontrollin dhe e rikthen njeriun në thelbin e tij të pastër. Përmes përmbajtjes nga ushqimi dhe dëshirat, besimtari mëson disiplinën, durimin dhe sinqeritetin, duke e vendosur moralin mbi instinktin dhe përgjegjësinë mbi epshin.
Në këtë muaj, vlerat si mëshira, bujaria dhe falja marrin një dimension më të thellë. Agjërimi nuk është vetëm ndalim nga ushqimi e pija, por një përmbajtje nga fjalët e këqija, nga padrejtësia dhe nga çdo sjellje që cenon dinjitetin njerëzor. Ramazani e edukon shpirtin që të jetë i butë me të dobëtin, i drejtë me tjetrin dhe i përulur para Krijuesit. Ai e ndërton karakterin përmes sakrificës dhe e forcon ndjenjën e përgjegjësisë sociale.
Kështu, Muaji i Ramazanit bëhet një laborator i formimit moral, ku besimtari stërvitet për ta vazhduar këtë pastërti edhe pas përfundimit të tij. Qëllimi nuk është vetëm të përfundohet agjërimi, por të fillojë një transformim i brendshëm që reflektohet në sjellje, në marrëdhënie dhe në përkushtim ndaj së mirës. Nëse këto vlera rrënjosen thellë në zemër, atëherë Ramazani nuk mbetet një muaj kalendarik, por bëhet një mënyrë jetese.
——————————————–
Është transmetuar nga Profeti Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “O njerëz! Kush prej jush e përmirëson moralin e tij në këtë muaj, do të ketë leje kalimi mbi Sirat në Ditën kur këmbët do të rrëshqasin.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shī‘ah”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 228.).
1- Ndërtimi i vullnetit dhe ushtrimi në durim
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz; dhe ajo është e rëndë, përveç për të përulurit” (Sure “El Bekare”, ajeti 45).
Në tefsirin e këtij ajeti transmetohet nga Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Nëse njeriut i zbret një fatkeqësi e rëndë, le të agjërojë, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Kërkoni ndihmë me durim”, që do të thotë me agjërim.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shī‘ah”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 298.).
Gjithashtu, në një Hadith Kudsij thuhet se Allahu i Madhëruar ka thënë: “Të gjitha veprat e birit të Ademit shumëfishohen nga dhjetë deri në shtatëqindfish, përveç durimit; ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Durimi është agjërimi.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shiatu”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 295.)
Muaji i Ramazanit është shkollë e vullnetit. Ai e mëson njeriun të përmbahet nga hallalli për hir të Allahut, e si rrjedhojë bëhet më i fortë për t’u përmbajtur nga harami. Ai e stërvit shpirtin në durim, vetëkontroll dhe qëndrueshmëri përballë vështirësive.
2- Stolisja me virtyte
Ramazani është muaj i pastrimit të shpirtit: braktisje e moralit të keq dhe zbukurim me virtyte të larta. I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O njerëz! Kush prej jush e përmirëson moralin e tij në këtë muaj, do të ketë leje kalimi mbi Sirat në Ditën kur këmbët do të rrëshqasin.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shiatu”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 228.)
Kjo do të thotë se agjërimi nuk është vetëm uri dhe etje, por është edukim i gjuhës, i zemrës dhe i sjelljes: falje, butësi, mëshirë, ndihmë ndaj të tjerëve dhe largim nga përgojimi, zemërimi e padrejtësia.
3- Llogaritja e vetes
Një nga gjërat më të rëndësishme me të cilat duhet të merret njeriu është llogaritja e vazhdueshme e vetes për veprat e saj, sepse muhasebeja ndihmon:
– Të shfaqë dëshirën e njeriut për virtyt, dhe kujdesin e tij për ta mbajtur veten në të vërtetën, duke u përkushtuar vazhdimisht ndaj saj.
– Të vëzhgojë rritjen e përsosjes në shpirtin e tij, duke u përforcuar në shtimin e veprave të mira dhe në korrigjimin e mangësive që ka bërë; si dhe duke u përballur me veset e pranishme dhe duke u përpjekur t’i çrrënjosë ato, ose të paktën t’i pakësojë sipas mundësisë dhe fuqisë.
– Të mishërojë frikën dhe devotshmërinë ndaj Allahut, si dhe frikën nga qëndrimi para Tij për llogari, në mënyrë që njeriu të jetë gjithmonë i përgatitur për vdekjen, i vetëdijshëm për rreziqet dhe pasojat e saj.
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Llogaritni veten tuaj para se të llogariteni, peshojeni atë para se të peshoheni, dhe përgatituni për Paraqitjen e Madhe.” (El Hurr El Amilij, “Uaesailu Esh Shiatu”, burimi i mëparshëm, vëll. 11, f. 380.)
Është transmetuar nga Ali ibn Abi Talib (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Sa e denjë është për njeriun që të ketë një orë në të cilën asgjë nuk e angazhon, ku ai llogarit veten e tij dhe shikon çfarë ka fituar për të dhe kundër saj gjatë natës dhe ditës.”
(Et Tabrisij, “Mustedrekul Uesail”, vërtetuar nga Instituti i Ehlul Bejt (Paqja qoftë mbi ta!), Liban – Beirut, 1408 hixhri, botimi i parë, vëll. 12, f. 155.)
Po ashtu, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Fryti i vetllogaritjes është përmirësimi i shpirtit.” (Et Tabrisij, “Mustedrekul Uesail”, vërtetuar nga Instituti i Ehlul Bejt (Paqja qoftë mbi ta!), Liban – Beirut, 1408 hixhri, botimi i parë, vëll. 12, f. 155.).
Ramazani është koha më e përshtatshme për këtë vetëllogari, para iftarit, pas namazit, apo në qetësinë e natës. Ai që e llogarit veten në këtë botë, do ta ketë më të lehtë llogarinë në Botën Tjetër.
4- Shtimi i pranisë në xhami në Muajin e Allahut
Xhamitë janë ndër vendet më të rëndësishme të mbushura me atmosferë besimi, të cilat ndihmojnë në ngritjen shpirtërore të besimtarit.
Është transmetuar nga Ali ibn Abi Talib (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kush shkon shpesh në xhami, do të përfitojë njërën nga tetë gjëra: një vëlla prej të cilit përfiton për hir të Allahut; ose një dije të re; ose një ajet të qartë; ose dëgjon një fjalë që e udhëzon; ose një mëshirë të pritur; ose një fjalë që e largon nga humbja; ose lë një mëkat nga frika apo turpi ndaj Allahut.” (El Hurr El Amilij, “Uaesailu Esh Shī‘ah”, burimi i mëparshëm, vëll. 3, f. 480.)
Ramazani është muaji ku zemrat lidhen më fort me xhaminë: namazi me xhemat, namazet nafile, ligjëratat, leximi i Kur’anit dhe atmosfera e vëllazërisë.
Ndër veprat e rëndësishme në muajin Ramazan është edhe kërkimi i dijes dhe njohjes, thellimi në fe dhe pajisja me kulturë të saktë fetare.
Ka thënë Ali ibn Abi Talib (paqja qoftë mbi të): “O Kumejl, nuk ka asnjë lëvizje që bën, përveçse ke nevojë për dije në të.” (Eruditi Muhamed Bakir Mexhlisij, “Biharul Enuar”, Instituti El Uafā’, Liban – Beirut, 1403 hixhri/1983, botimi i dytë, vëll. 74, f. 267.)
Kjo do të thotë se çdo veprim, adhurim, punë, marrëdhënie me njerëzit, kërkon njohuri të drejtë, në mënyrë që të jetë i pranueshëm dhe i saktë. Ramazani është mundësi e artë për t’u afruar me Kuranin, për të marrë pjesë në ligjërata dhe për të forcuar vetëdijen fetare.
